Ndërlidhjet

logo-print

WSJ: "Riparimi i Ballkanit"



Janusz Bugajski, "Wall Street Journal"

Samiti i NATO-s në Bukuresht ka ofruar një bekim të kufizuar për Ballkanin. Edhe pse Shqipëria dhe Kroacia u ftuan në aleancë, Maqedonia u fut në dhomën e pritjes, Serbia mbeti anash, ndërkaq kërcënimet e vazhdueshme të Rusisë mbi një konflikt të ripërtrirë rajonal për shkak të Kosovës, mbeten të pasfiduara.

Çdo sukses i NATO-s në Ballkan duket se zbulon një problem të ri dhe samiti në Bukuresht nuk ishte përjashtim. Por, ana më e dukshme negative e samitit ishte shtyrja e vendimit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, për shkak të mospajtimeve mbi emrin me Greqinë.

Rjedhimisht, politika në Maqedoni ka gjasë të radikalizohet. Qeveria e brishtë mund të detyrohet të tërhiqet nëse pajtohet me ndonjë emër të ri për vendin, për çka do të duhet një ndryshim kushtetues. Në këtë drejtim, mund të pritet një shpërthim akuzash kundër Athinës dhe një ringjallje e pasioneve nacionaliste, gjëra që do të dëmtonin imazhin e Maqedonisë në cilësinë e një kandidati të përshtatshëm për anëtarësim në NATO.

Zoti Bugajski thotë se nëse nuk zhvillohet një strategji e arsyeshme mbi negociatat me Greqinë, me përfshirje të nivelit të lartë edhe të Shteteve të Bashkuara, pasiguria politike mund t'i trimërojë udhëheqësit e pakicës shqiptare në Maqedoni që të synojnë një autonomi territoriale në kufi me Kosovën dhe Shqipërinë.

Pasojat më të gjera rajonale të moszgjidhjes së çështjes së Maqedonisë gjithashtu mund të jenë destabilizuese. Nëse Shkupi nuk e njeh shpejt shtetësinë e Kosoëvs dhe dështon të arrijë marrëveshje mbi kufirin me Prishtinën, militantët shqiptarë përbredna Maqedonisë mund të ndihen të trimëruar për të synuar edhe përshtatje territoriale. Në sytë e tyre, Maqedonia, pa anëtarësim në NATO, mund të jetë thjesht një "shtet i përkohshëm".

Edhe Rusia gjithashtu do të mëtojë të përfitojë nga paqartësitë rreth Maqedonisë, duke stimuluar marrëdhënie më të ngushta ekonomike, politike dhe të sigurisë me Shkupin dhe duke e prezantuar vetveten si mbrojtës të fuqishëm nga pan-shqiptarizmi dhe "terrorizmi islamik".

Synimi i Moskës do të jetë që të shtojë edhe një pronë në tablon gjithnjë e më të gjerë ruse dhe të konstruktojë një zinxhir të varshmërisë në Ballkan, duke synuar Evropën Qendrore dhe Perëndimore.

Një deklaratë jo edhe aq e vërejtur e Kremlinit mbi, siç është thënë, faktin se zhvillimet në Kosovë ende nuk kanë arritur në "fazën më të nxehtë", jep shenja se NATO-ja dhe operacionet evropiane mund të sfidohen nga rezistenca serbe dhe lëvizjet për ndarjen e Kosovës.

Moska do të vazhdojë të kapitalizojë mbi njohjen e kufizuar ndërkombëtare të Kosovës, duke krijuar kokëçarje për NATO-n dhe duke penguar zgjerimin e mëtejshëm të ndikimit perëndimor. Konfliktet, e ngrira apo edhe të tjerat, ofrojnë mundësi për promovimin e interesave të Rusisë në një rajon i cili ende nuk është futur brenda institucioneve perëndimore.

Nëse nacionalistët formojnë qeverinë e ardhshme në Serbi, NATO-ja duhet të jetë në pritje të një koordinimi edhe më të ngushtë midis Beogradit dhe Moskës, në përpjekje për të provokuar trazira në Kosovë. Ata madje mund ta hartojnë edhe një deklaratë mbi një entitet të ndarë administrativ serb në komunat e veriut të Kosovës.

Moska është duke zbatuar një strategji me dy shtigje drejt Perëndimit, duke bërë përpjekje që të përçajë brendinë e Evropës për të zgjeruar ndikimin rus dhe duke penguar praninë amerikane për të parandaluar shkëputjen e përhershme të Evropës lindore nga orbita ruse. Në këtë kontekst të zgjeruar strategjik, samiti i Bukureshtit ka shënuar disa suksese në Ballkan, por janë të nevojshme përkushtime edhe më të gjera dhe më të palëkundshme në këtë rajon ende të brishtë dhe të kontestuar.

XS
SM
MD
LG