Ndërlidhjet

UNMIK-u i rikujton Beogradit 1244-shin


Selia e UNMIK-ut në Prishtinë
Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë thotë se mbajtja e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë paraqet shkelje të 1244-shit. UNMIK-u thotë se pret instruksione nga Nju Jorku se si të veprohet nëse Serbia do vendosë përfundimisht t’i mbajë këto zgjedhje në Kosovë.


Administrata e UNMIK-ut i ka rikujtuar edhe sot Beogradit se mbajtja e zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës është shkelje e Rezolutës 1244. Qeveria e Kosovës thotë se integriteti territorial i Kosvës është i pacenueshëm, përderisa analistët vlerësojnë se lejimi i zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë do të shënonte fillimin e zbatimit të planit të Beogradit për ndarjen e komuniteteve në Kosovë dhe krijimit të entitetit serb.

Sidoqoftë, UNMIK-u aktualisht nuk ka ndonjë plan se si do të mbrojë zbatimin e Rezolutës 1244, pasi që është në pritje të instruksioneve nga Nju Jorku. Duke i komentuar vendimet e Beogradit që zgjedhjet e ardhshme të Serbisë të shtrihen edhe në territorin e Kosovës, zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, bën dallim mes zgjedhjeve parlamentare dhe atyre në nivelin lokal.

"Sa u përket zgjedhjeve parlamentare, ne do t’i përmbahemi politikës së kaluar se as nuk do t'i organizojmë e as pengojmë ato, por zgjedhjet lokale janë shkelje e Rezolutës 1244”, tha zëdhënësi Ivanko.

Sidoqoftë, UNMIK-u ende nuk e ka thënë përfundimisht se do të lejojë apo jo mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe ne Kosovë, pavarësisht se i cilëson si shkelje të Rezolutës 1244.

Në anën tjetër, qeveria dhe kryeministri dhe institucionet tjera të Kosovës ndonëse nuk kanë paraqitur ndonjë qëndrim krejt të prerë lidhur me zgjedhjet serbe, thonë se u kanë kërkuar autoriteteve ndërkombëtare që të përkujdesen për zbatimin e ligjit dhe për moscenimin e tërësisë territoriale të Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi tha, gjatë mbledhjes së qeverisë të mbajtur në Mitrovicë, se institucionet e Kosovës e kundërshtojnë çdo cenim të integritetit territorial të Kosovës, ndërkaq premtoi plane konkrete për integrimin e Mitrovicës dhe komuniteteve në këtë pjesë të Kosovës.

“Do t’i ndërmarrim të gjitha masat për t’u përkujdesur për ruajtjen e tërësisë territoriale, integrimin e plotë administrativ, por edhe të njerëzve. Do të ketë përkushtime shtesë dhe natyrisht se për Mitrovicën nuk do të ketë veri e jug. Do të ketë Mitrovicë në përputhshëmri me dokumentin e presidentit Ahtisaari, siç do të jetë për tërë Kosovën. Do të punojmë për sukses dhe jemi të bindur në suksesin tonë të përbashkët, në suksesin për integrim”, tha kryeministri kosovar.

Ndërkohë, analisti Lulëzim Peci thotë se mbajtja e zgjedhjeve, sidomos atyre lokale në Kosovë, do të ketë pasoja që do të hetohen me vite. Me mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në Kosovë do të funksionin dy legjislacione, tha ai. Kurse qëllimi final, sipas Lulëzim Pecit, është zbatimi i planit serb për Kosovën dhe krijimi i entitetit serb në Kosovë.

“Me mbajtjen e këtyre zgjedhjeve praktikisht po vihet në jetë plani i Samarxhiqit, i cili ka për qëllim ndarjen funksionale të serbëve dhe të shqiptarëve dhe do të pamundësojë implementimin e pakos së Ahtisaarit. Ndërsa efekti i dytë në aspektin më të gjatë është që Serbia është duke u përpjekur që përmes këtyre zgjedhjeve dhe strategjisë së re, të krijojë një pozitë më të fortë negociatore për negociatat që ajo mendon t’i mbajë në të ardhmen, për sa i përket krijimit të një entiteti serb në Kosovë”, tha Peci.

Beogradi zyrtar i ka mbajtur në jetë strukturat paralele që nga mbarimi i luftës e këndej. Por, me shpalljen e pavarësisë, tashmë janë shprehur haptas dhe tendencat e qeverisë serbe për ndarjen e komunitetit serb nga institucionet dhe organizimi i jetës mbi bazën e ligjeve serbe. Deri më tash, si institucionet kosovare, ashtu edhe prania ndërkombëtare, janë zotuar se nuk do t’i lejojnë veprimet e tilla. Kurse mbajtja e zgjedhjeve serbe brenda kufijve të Republikës së Kosovës, është cilësuar si sfida kryesore me të cilën do të ballafaqohen si Qeveria e Kosovës, ashtu edhe prania civile e ushtarake ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG