Ndërlidhjet

Çeku: Nuk synoj pushtetin


Agim Çeku
Agim Çeku

"Fakti që PSDK-ja është parti e vogël, tregon që unë nuk jam i interesuar me çdo kusht për pushtet. Po të isha, isha bërë ministër, do të isha pjesë e Qeverisë", thotë kryetari i sapozgjedhur i Partisë Social-Demokrate të Kosovës, Agim Çeku, në intervistë për Radion Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Çeku, sot jeni vënë në krye të PSDK-së. Çfarë të reje do të sjellë në skenën politike ky veprim i juaji?

AGIM ÇEKU
Sot, unë vërtet kam vendosur që të vazhdoj karrierën time politike, duke marrë në drejtim Partinë Social-Demokrate të Kosovës, me qëllim që ta freskoj, fuqizoj, masovizoj këtë parti dhe ta promovoj konceptin social-demokrat. Rëndësia është që nuk ia kam shtuar Kosovës edhe një parti politike, por e kam marrë një parti ekzistuese, e cila deri më tash nuk ka shënuar ndonjë rezultat të madh, nuk ka pasur hapësirë të mjaftueshme për t'u promovuar, nuk ka pasur ndoshta energji të mjaftueshme.
Dëshiroj të ndërtoj një koncept politik që do njihet nga programi, e jo nga lideri.

Tani unë dëshiroj të ndërtoj një koncept politik, i cili do të njihet nga programi, e jo nga lideri. Unë do ta favorzioj rolin e programit dhe do ta relativizoj sa më shumë rolin e liderit politik. Kam mbledhë rreth vetes, si partnerë në këtë përpjekje, në këtë projekt, njerëz të rinj, të paangazhuar deri tash politikisht, njerëz të shkolluar, shumica e tyre të shkolluar jashtë vendit dhe shumica e tyre të kthyer në vend, duke e lënë luksin e perëndimit për të kontribuar në Kosovë. Unë mendoj se me këta njerëz dhe me ata që kanë qenë, do të bëjmë ndryshime.

Qëllimi im është që ta kemi një subjekt politik ndryshe nga të tjerët.

RADIO EVROPA E LIRË
Marrë parasysh numrin e madh të subjekteve politike, PSDK-ja dihet se nuk ka qenë në mesin e atyre 4-5 partive kryesore në vend. A mendoni se do të keni sukses pas zgjedhjeve të ardhshme, a do të mund të renditeni më lart?

AGIM ÇEKU
Ne do të përpiqemi. Kjo është një sfidë për mua. Unë i dua sfidat, kam vullnet të ballafaqohem me sfida dhe besoj se PSDK-ja do të rritet. Vetë ky fakt që është parti e vogël, që nuk është parti që ka treguar sukses, tregon që unë nuk jam i interesuar me çdo kusht për pushtet. Po të isha, isha bërë ministër, kisha qenë pjesë e Qeverisë, isha bërë anëtar i një parte të madhe.

Unë, thjesht, dëshiroj që ky koncept të ngjallet, të rritet; mendoj dhe besoj se është koncepti më i përshtatshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, si mund t'i zbatoni projektet nëse nuk arrini në pushtet?

AGIM ÇEKU
Gjatë tërë kësaj kohe, deri në zgjedhjet e ardhshme, ne do të krijojmë projekte, do t'ua ofrojmë qytetarëve, do t'i sqarojmë, t'i argumentojmë dhe mbetet që qytetarët t'u besojnë këtyre projekteve dhe t'i përqafojnë e t'i mbështesin.

RADIO EVROPA E LIRË
PSDK-ja aktualisht është në koalicion me PDK-në. Cila është pozita aktuale e PSDK-së pasi që ju jeni vënë në krye karshi këtij fakti?

AGIM ÇEKU
PSDK-ja vërtet ka nënshkruar një memorandum parazgjedhor. Nuk jemi parti qeveritare, nuk do të jemi parti qeveritare. Jemi parti parlamentare, kemi deputete zonjën Jashari, e cila në bazë të asaj marrëveshjeje, është pjesë dhe do të mbetet pjesë e Grupit Parlamentar të PDK-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Dje u miratua Kushtetuta e Kosovës. Si e vlerësoni këtë akt?

AGIM ÇEKU
Kushtetuta është akti më i lartë juridik i një vendi; është akt vërtet historik, është e arritur e madhe për Kosovën. Mendoj se ka munguar një debat më i madh për Kushtetutën; Kushtetuta nuk nxirret apo nuk ndryshohet çdo ditë apo çdo vit.

Por, sidoqoftë, është shumë me rëndësi që Kosova e ka Kushtetutën e vet që do të hyjë në fuqi dhe Kushtetuta e bën Kosovën vend demokratik, të pavarur dhe pres që kjo Kushtetutë të aplikohet në tërë territorin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka gati dy muaj që Kosova shpalli pavarësinë, ndërkohë që procesi i njohjes duket që ka stagnuar paksa. Çfarë mund të bëhet për t'u dinamizuar ky proces?

AGIM ÇEKU
Është ngadalësuar dinamika e njohjes dhe vërtet që neve na duhet shumë shpejt të arrijmë te një numër kritik i vendeve që kanë njohur Kosovën, diku rreth numrit 70. Nga bisedat e mia me faktorë relevantë ndërkombëtarë, kërkohet ky numër për të lehtësuar anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme botërore, politike apo financiare. Çka duhet të bëjmë? Ne duhet të vazhdojmë me këtë sjellje të matur, dinjitoze. Duke vazhduar të dërgojmë mesazhe pozitive edhe për gatishmërinë tonë për implementimin e pakos së Ahtisaarit, për rregullimin e shtetit tonë në bazë të asaj pakoje, kjo i bën shumë vende që të besojnë në Kosovën dhe ta njohin.

Gjithashtu, mungon edhe lobimi diplomatik, kontaktet, njohja e drejtpërdrejtë e faktorëve relevantë me Kosovën, me argumente të shumta që i kemi, që të binden se ia vlen. Në këtë aspekt, Serbia është shumë aktive, duke lobuar kundër pavarësisë dhe shumë vende mu për këtë hezitojnë që ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Kështu që nevojitet një aktivitet diplomatik shumë më i fuqishëm i të gjithëve; nuk do të thotë veç i Qeverisë; të gjithë ne mund të kontribuojmë. Qeveria duhet të kërkojë aleatë, duhet t'u ndajë detyra edhe të tjerëve që janë jashtë Qeverisë, nuk duhet të jetë aq e ngushtë, aq me xhelozi t'i zhvillojë aktivitetet.

Njohja e Kosovës është çështje e të gjithëve. Ka njerëz që kanë lidhje, që kanë qasje e kanale dhe (Qeveria) duhet t'i angazhojë të gjithë, t'i dërgojë në boë. Kemi zyrtarë të Bashkësisë Islame që kanë shumë respekt në vendet islame, por Qeveria nuk i dërgon, nuk i angazhon. Kemi njerëz jashtë partive politike. Kemi zotin Surroi, i cili është shumë i njohur e i respektuar në shumë vende të botës dhe është i pashfrytëzuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova po vë themelet e shtetit, ndërkohë që Serbia ende trajton Kosovën si territor të saj. Kjo shihet edhe në paralajmërimin për mbajtjen e zgjedhjeve më 11 maj. Si e shihni ju këtë veprim?

AGIM ÇEKU
Unë e shoh si një sfidë të madhe. Jam kategorisht kundër të qenit të Kosovës njësi zgjedhore e Serbisë. Ne jemi shtet, duhet të sillemi si
Jam kategorikisht kundër të qenit të Kosovës njësi zgjedhore e Serbisë.
shtet. Serbët edhe në Kosovë, edhe në Serbi, duhet ta shohin se Kosova tanimë është shtet.

Unë kërkoj nga Qeveria, e sidomos nga faktori ndërkombëtar që ta përballojnë këtë sfidë dhe këtë test të shtetësisë. Nuk mund të ketë zgjedhje. Serbët e Kosovës mund t'i zgjedhin përfaqësuesit e tyre vetëm për Parlamentin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Me pakon e Ahtisaarit parashihet që të mbahen zgjedhjet pas nëntë muajsh, pas zgjidhjes së statusit, Jeni ju pro?

AGIM ÇEKU

Unë nuk jam ithtar i asaj që ta konsideroj pakon e Ahtisaarit si Bibël dhe të bëjmë gjithçka që është në pakon e Ahtisaarit, edhe nëse nuk është funksionale dhe nuk është në interes të Kosovës.

Unë do të pozicionohem për çdo çështje në bazë të interesit të Kosovës. Nëse e shohim që është interes i Kosovës për t'u mbajtur zgjedhjet, unë do të luftoj për t'i mbajtur. Assesi për shkak të formaliteteve të mbahen zgjedhjet. Unë gjithmonë do ta mbështes atë që është e nevojshme dhe që i duhet Kosovës. Tash për tash, sot, nuk ka nevojë për zgjedhje; të shohim, t'i japim kohë Qeverisë. Nëse brenda pesë muajve ka nevojë për zgjedhje, unë do t'i favorizoj zgjedhjet.

XS
SM
MD
LG