Ndërlidhjet

Në tregun kosovar mallra me afat të skaduar nga Serbia



Ekonomia joformale në verilindje të Kosovës ka sjellw shumë produkte me afat të skaduar dhe të dëmshme për shëndetin e qytetarëve në Kosovë. Kështu bëjnë të ditur zyrtarë të Aleancës Kosovare të Biznesit, pas një hulumtimi të bërë në muajit e fundit.

Agim Shahini, udhëheqës i kësaj aleance, pohon se tashmë ka fakte të mjaftueshme se në dyqanet e Kosovës shiten më shumë se 20 artikuj nga Serbia, me afat të skaduar, që në Kosovë kanë hyrë nga pikat kufitare në Jarinë dhe Zubin Potok, që gjenden në pjesën veriore të Mitrovicës. Prodhimet serbe, që afati u ka skaduar prej vitit 2003, janë kryesisht prodhime ushqimore për përdorim të përditshëm.

“Janë mbi 20 artikuj nga 15 prodhues nga Serbia, prodhime që afati u ka skaduar prej vitit 2003 deri në vitin 2006, që kanë hyrë në veriun e Kosovës, pas asnjë kontroll gjatë muajit të fundit“, thotë Shahini.

Ai thekson se në pjesën veriore të Kosovës është formuar një ekip i përbashkët i kontrabandistëve, të cilët po i falsifikojnë datat e prodhimit të produkteve.

"Këto prodhime gjenden në Mitrovicë, Zveçan, Leposaviq, Leshak dhe më pak në Zubin Potok, ku disa ripaketohen, disave u fshihen datat e skadimit dhe u vihen datat e reja, apo u ndërrohet krejt tiketa. Këto produkte nga depot e Serbisë vijnë falas, kurse nga veriu shiten me zbritje rreth 50 për qind, e në disa raste edhe më shumë”, pohon Shahini.

Ndryshe, Agim Shahini pohon se mallrat me afat të skaduar që tashmë gjenden në tregun kosovar janë pasojë e mungesës së inspektimit ndaj importit në pikat kufitare në veri të Kosovës.

Se mallrat me afat të skaduar janë shtuar pikërisht në qytetin e Mitrovicës, pranojnë edhe zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Shemsi Elezi, kryeinspektor i tregut, thotë se pas mbylljes së pikave kufitare në veri të Kosovës, kanë marrë masa të shtuara për kontrollimin e tregut. Ai thotë se inspektorët komunalë në tregun e Mitrovicës tashmë kanë konfiskuar një sasi të mallit me afat të skaduar.
“Deri më tash, në dyqanet në qytetin e Mitrovicës, nga inspektorët e komunës është konfiskuar mall me afat të skaduar deri në afro 800 euro”, thotë Elezi.

Megjithatë, Elezi thotë se problem në këtë kuadër po paraqet numri i vogël i inspektorëve. Ai thotë se me qëllim të parandalimit të kësaj dukurie, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të dërgojë inspektorë shtesë në Mitrovicë, por, në këtë kuadër, shton ai, kërkohet ndihma edhe e Shërbimit Policor të Kosovës.

“Kërkesa nga inspektorët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës është që të merret sa më urgjent një organizim më i gjerë, sepse vetëm inspektorët e Komunës së Mitrovicës nuk mund t'i kryejnë punët, sepse është një terren shumë i gjerë. Ata kanë kërkuar që përmes SHPK-së të asistohet puna e tyre dhe me një mbikëqyrje të inspektorëve të MTI-së”, shprehet Elezi.

Sidoqoftë, janë bërë gati dy muaj kur në shenjë pakënaqësie pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, serbët kishin djegur pikat doganore në Jarinë dhe Zubin Potok, që gjenden në pjesën veriore të Mitrovicës.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG