Ndërlidhjet

Rexhepi: Veriu nuk është konflikt i ngrirë


Bajram Rexhepi
Bajram Rexhepi

"Integrimi i pjesës veriore, sigurisht, do të jetë proces që do të zgjasë pak më shumë. Disa funksione qendrore duhet të vendosen, siç janë doganat dhe gjykatat, mirëpo konflikt i ngrirë i mirëfilltë nuk mund të jetë", thotë Bajram Rexhepi, kryetar i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, në intervistë për Radion Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rexhepi, fillimisht, si e vlerësoni situatën e sigurisë në Mitrovicë?

BAJRAM REXHEPI
E qetë është. Tensione ka, por që sa ditë nuk ka ndonjë incident që vlen të përmendët. Ka nganjëherë protesta, në numër të vogël, para Gjykatës Regjionale, mirëpo, në përgjithësi, situata është e qetë.

RADIO EVROPA E LIRË
A pajtoheni me disa vlerësime të disa vëzhguesve ndërkombëtarë që thonë se Mitrovica mund të shndërrohet në konflikt të ngrirë?

BAJRAM REXHEPI
Nuk besoj. Konflikt i ngrirë i mirëfilltë nuk do të jetë. Sigurisht që integrimi i asaj pjese do të jetë proces që do zgjasë pak më shumë. Disa funksione qendrore duhet të vendosen, siç janë doganat, gjykatat duhet të funksionojnë dhe të tjerat, mirëpo konflikt i ngrirë i mirëfilltë nuk mund të jetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohë më parë keni marrë një vendim që të mos bashkëpunoni me administratorin rajonal të UNMIK-ut, Gerard Gallucci. A vazhdoni ta keni të njëjtin qëndrim?

BAJRAM REXHEPI
Të njëjtin. Prej asaj dite që e kam thënë publikisht, pas takimit që kam pasur, jo pas asaj që kam lexuar në media, më nuk kam pasur asnjë takim dhe nuk do kem. Por, unë bashkëpunoj me UNMIK-un, më zëvendësin e tij, kështu që nuk pengon asgjë në bashkëpunimin me UNMIK-un; kjo është me individin.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbia vazhdon të insistojë në atë që ata e quajnë ndarje funksionale të Kosovës midis shqiptarëve dhe serbëve. Si i shihni ju synimet e Beogradit?

BAJRAM REXHEPI
Këto janë pas kohe 'post festum'. As që merrem me ato. Kosova është e pavarur, sovrane dhe duhet dialogu i brendshëm, duhet të bëhet integrimi i komunitetit serb në kuadër të pakos së Ahtisaarit. Të gjitha këto janë dëshira të atyre që u ka kaluar koha.

RADIO EVROPA E LIRË
Autoritetet e Serbisë kanë paralajmëruar se zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale do të mbahen edhe në Kosovë. Administrata e Kombeve të Bashkuara ka pohuar se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë shkel Rezolutën 1244. Si mendoni t'i ndalni këto zgjedhje?

BAJRAM REXHEPI
Të ndalen, realisht është pak më vështirë. Kjo është kompetencë e UNMIK-ut; është shumë mirë që UNMIK-u ka dalë qartë, se janë jo legjitime ato që organizohen në Kosovë. Është shumë vështirë të parandalohen fizikisht ato, por është shumë me rëndësi që qëndrimi i UNMIK-ut ka qenë shumë i qartë, sa i përket asaj se kush ka kompetenca të organizojë zgjedhje në Kosovë.

Çështja e sigurisë dhe e rendit publik është në duar të ndërkombëtarëve, sidomos në pjesën veriore. Ne mund të kërkojmë që bashkërisht, në kombinim me UNMIK-un, që të ndalohen, por në momentin që ne ta kemi atë fuqi komplete, sigurisht që nuk do të lejonim gjëra të tilla.
XS
SM
MD
LG