Ndërlidhjet

Prishtina e Shkupi bëjnë matjet në brezin kufitar


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Komisionet teknike për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës e Maqedonisë janë duke i bërë matjet teknike të pronave kadastrale për të vërtetuar çështjet kontestuese mes dyja vendeve për kufirin. Kështu thotë kryesuesi i Komisionit teknik të Prishtinës për demarkacionin e kufirit, Bekim Çollaku. Sipas tij, vetëm pasi që këto matje të jenë kryer, do të vërtetohet nëse Kosova ka pësuar dëme apo jo nga marrëveshja e vitit 2001, ndërmjet ish-autoriteteve jugosllave dhe atyre maqedonase.


Demarkacioni i kufirit Kosovë – Maqedoni, në pjesën e quajtur Debëllde, vazhdon të jetë një prej angazhimeve të përbashkëta të dy qeverive. Komisionet teknike të Prishtinës e Shkupit, deri më tash kanë zhvilluar një takim të përbashkët të moderuar nga Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë. Pas këtij takimi, kryesuesi i Komisionit kosovar, Bekim Çollaku, thotë se janë kryer disa aktivitete në lidhje me pronat kadastrale në brezin kufitar, për të nxjerrë konkluzione në prag të takimit të ardhshëm.

“Komisioni kosovar për çështje të demarkacionit deri tash ka kryer një mori punësh, do të thotë ka grumbulluar informacione adekuate për këtë çështje, i ka shikuar të gjitha detajet teknike, pronat kadastrale dhe jemi plotësisht të bindur se brenda afatit të caktuar do ta kryejmë punën tonë sipas udhëzimeve dhe rekomandimeve që i kemi”, tha Çollaku.

Ndërsa autoritetet maqedonase në vazhdimësi e përsërisin se njohja e Kosovës si shtet ndërlidhet ngushtë me çështjen e demarkacionit, Bekim Çollaku thotë se këto janë çështje të ndara. Sipas tij, është në interesin e të dyja vendeve të bashkëpunojnë si vende fqinjë, por njohja reciproke nuk ka të bëjë me demarkacionin.

“Për ne është në interes strategjik e kombëtar që të kemi marrëdhënie të mira me fqinjët tanë, sidomos me Maqedoninë, ku kemi një pjesë të madhe të popullsisë shqiptare që jeton atje. Kështu që nuk është mirë që të kemi konteste të pazgjidhura ndërmjet dy shteteve. Sa i përket çështjes tjetër se a do të ndikojë zgjidhja e këtij problemi për njohjen apo mosnjohjen nga Maqedonia, unë nuk i ndërlidh këto dy çështje aspak. Komisioni për demarkacion është komision plotësisht teknik dhe nuk ka të bëjë me çështje politike”, vlerëson Çollaku.

Prishtina, sipas Çollakut, hyn në bisedimet teknike me Shkupin pa ngarkesa në lidhje me marrëveshjen e vitit 2001 ndërmjet Beogradit dhe Shkupit për demarkacionin e kufirit. Përderisa bisedimet të mos sjellin konkluzione, ai thotë se nuk mund të konkludohet asgjë në lidhje me atë se a i ka sjellë kjo marrëveshje dëme apo jo Kosovës.

“Ne nuk e dimë a bëhet fjalë këtu për dëme apo jo. Ne e dimë se ekziston një marrëveshje dhe në bazë të asaj marrëveshjeje pritet të bëhet demarkacioni. Matjet praktike në terren akoma nuk kanë filluar dhe vetëm kur këto matje praktike të fillojnë në terren të sipërfaqes së tokës dhe të shënimit të vijës kufitare, pra demarkacionit, atëherë mund ta dimë se a është në pyetje ndonjë dëm apo jo”, pohon Çollaku.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës, qysh në vitin 2001, e pati vlerësuar të dëmshme marrëveshjen ndërmjet ish-Jugosllavisë dhe Maqedonisë për demarkacionin e kufirit dhe e pati shpallur atë të pavlefshme me një rezolutë të miratuar në Kuvend. Por, e njëjta rezolutë qe anuluar nga shefi i administratës ndërkombëtare. Bazuar në deklaratat e mëparshme të zyrtarëve kosovarë, marrëveshja Beograd – Shkup i sjell dëm Kosovës për humbjen e 2.500 hektarëve tokë.

Sidoqoftë, tani komisionet e përbashkëta të të dyja vendeve janë ato që thonë se do të vërtetojnë në tërësi këtë marrëveshje dhe përcaktojnë pronat e banorëve të fshatit Debëllde, duke siguruar që askush të mos humbë pronat e tyre, si brenda territorit të Kosovës ashtu edhe ato prona që shtrihen në të dyja anët e kufirit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG