Ndërlidhjet

Del Ponte barazon agresorin dhe viktimën


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Akuzat e fundit të Carla Del Pontes janë ndikim i Beogradit dhe me to synohet të barazohet agresori dhe viktima. Nëse ajo ka fakte të tilla dhe nuk i ka përfshirë në aktakuzë, del se ajo ka kryer vepër penale për fshehjen e krimeve, pohon ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi.


Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, juristë dhe aktivistë për të drejtat e njeriut thonë se nuk ka bazë ligjore që Qeveria e Kosovës të fillojë hetime për pretendimet e ish-kryeprokurores së Gjykatës së Hagës, Carla Del Ponte, të shkruara në librin e saj, se kinse luftëtarët shqiptarë i kanë vrarë disa dhjetëra serbë dhe i kanë shitur organet e tyre. Një kërkesë për të filluar hetime i është bërë institucioneve të Kosovës nga Human Rights Watch. Por, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se Qeveria e Kosovës bazohet në fakte dhe jo në imagjinata e shpifje.

"Jo, do të dalim me një qëndrim. Ne tash do të shohim se si është, por ka nevojë për konsultime pak më të gjera", tha Kuçi.

Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, konsideron se e gjithë kjo është ndikim i Beogradit dhe, sipas saj, me ketë është synuar të barazohet agresori me viktimat.

"Unë mendoj se Qeveria e Kosovës nuk e ka për detyrë dhe nuk ka bazë ligjore per t'i filluar këto hetime, sepse keto janë fabrikime të zonjës Carla Del Ponte, të shkruara në librin e saj. Kurse, libri i saj nuk mund të merret për bazë për të filluar hetime ndaj dikujt. Kur e them këtë, kam parasysh se pikërisht zonja Carla Del Ponte ka qenë autore e akuzave kundër luftëtarëve të UÇK-së, zotit Fatmir Limaj dhe zotit Ramush Haradinaj me shokët e tyre dhe akuzat e saj kanë dalë të pabaza", tha zonja Kelmendi.

Ministrja Kelmendi shpreh skepticizmin e saj lidhur me vërtetësinë e të dhënave të paraqitura në librin e Del Pontes.

"Shtrohet pyetja pse ajo ato aktakuza, meqë ishte autore e atyre aktakuzave; pse me ato aktakuza nuk i përmendi edhe faktet që i prezanton në librin e saj. Unë nuk di çfarë transformimi është bërë tek ajo zonjë, kur prej një luftëtareje për drejtësinë dhe prej një gruaje me një retorikë jashtëzakonisht të ashpër ndaj Serbisë, shkoi dhe u transformua deri në atë masë sa që tha se Serbia po bashkëpunon mjaft me Tribunalin e Hagës dhe i bëri këto deklarata në momentin kur duhej të largohej nga posti i kryeprokurores së Tribunalit të Hagës", tha Kelmendi.

Ajo thotë se po të ishin të vërteta ato që Del Ponte shkruan për UÇK-në, ato do t'i përfshinte edhe në aktakuzat që ka bërë. Sipas Kelmendit, nëse ajo ka fakte të tilla dhe nuk i ka përfshirë në aktakuzë, del se ajo ka kryer vepër penale për fshehjen e krimeve.

Edhe Behxhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë se Qeveria e Kosovës nuk ka nevojë të fillojë kurrfarë hetimi me atë që i rekomandohet nga organizata ndërkombëtare që merret me të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, dhe për ato që janë shkruar në librin e Carla Del Pontes. Por, Shala thotë se Qeveria e Kosovës duhet të ngrejë aktpadi kundër vetë Del Pontes, për të pavërtetat që ajo ka shkruar në librin e saj.

"Nëse duhet të fillohen hetime ndaj Carla Del Pontes, atëherë në rregull. Ne, si këshill, i kemi rekomanduar kryeministrit të Kosovës që të ngrejë një padi kundër Carla Del Pontes, e Carla Del Ponte të ofrojë fakte për atë që ka deklaruar. Carla Del Ponte ka akuzuar me një akuzë jashtëzakonisht të rëndë, me një akuzë të konstruktuar në bazë të thashethemeve pa e ofruar asnjë dëshmi konkrete. Andaj, ne nuk shohim arsye pse kryeministri i Kosovës duhet të kërkojë hetime", tha Shala.

Po ashtu, edhe juristi Ismet Salihu thotë se nuk mund të fillohet asnjë hetim për askend sa i përket asaj që është thënë në librin e Carla Del Ponete. Sipas zotit Salihu, për hetimet e tilla duhet pasur një bazë të fortë për të filluar hetimet.

"Ato nuk mund të fillojnë. Dihet kush mund t'i fillojë ato. Human Rights Watch-in, ne e respektojmë shumë. Hetimet fillojnë kur ka dyshim të bazuar. Domethënë, kur nuk ka indikacione të forta që vërtet janë kryer ato veprime, ato vepra, atëherë ajo çështje i procedohet prokurorisë dhe prokuroria duhet të merret me to dhe policia. Mirëpo, deri tash anjë asociacion, asnjë individ nuk ka shprehur dyshim se janë kryer ato vepra", thotë Salihu.
XS
SM
MD
LG