Ndërlidhjet

UNMIK-u ofron modalitete për zgjedhjet serbe në Kosovë?


Joachim Rucker
Joachim Rucker

Shefi i administratës së Kombeve të Bashkuara, Joachim Reucker, ende nuk ka marrë përgjigjen e Beogradit zyrtar mbi propozimin e tij që zgjedhjet lokale të Serbisë në Kosovë të mbahen pas 11 majit, për të përmbushur zbrazëtinë e legjitimitetit në komunat e banuara me serbë.


Shefi i UNMIK-ut, Joachim Reucker, ende nuk ka marrë përgjigjen e Beogradit zyrtar ndaj qëndrimit të tij të qartësuar në letrën që i ka dërguar ministrit serb, Sllobodan Samarxhiq, lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë.

Megjithëse zyrtarët e Qeverisë serbe edhe pas dërgimit të kësaj letre kanë deklaruar se do t’i mbajnë zgjedhjet lokale në Kosovë, UNMIK-u, preferon të presë reagimin zyrtar, para se të ndërmarrë hapat e ardhshëm.

“Nuk kemi pranuar ende përgjigje nga Beogradi, lidhur me letrën e PSSP-se. Nuk mund të reagoj ndaj komenteve që politikanët serbë kanë bërë, por është e qartë në letër se nëse Serbia mban zgjedhjet në Kosovë, ato do të jenë të paligjshme”, thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Sven Lindholm.

UNMIK-u ruan qëndrimin neutral për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare. Por, sa i përket zgjedhjeve lokale, konsideron se ato në Kosovë mund t’i organizojë vetëm UNMIK-u. Sidoqoftë, për të zgjidhur këtë problem, shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, i ka propozuar qeverisë serbe shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë.

“Kjo nënkupton se nëse Serbia dëshiron që të mbajë zgjedhje legjitime në 5 komunat kryesore serbe, atëherë do të mund të diskutojmë modalitetet e mbajtjes së zgjedhjeve atje”, thotë Lindholm, duke mos dhënë detaje të këtyre modaliteteve.

Ndryshe, UNMIK-u nuk sqaron veprimet që do t’i ndërmarrë nëse zgjedhjet lokale serbe mbahen në Kosovë më 11 maj.

“Ne shpresojmë se Qeveria e Beogradit do të jetë e vëmendshme nga veprimet dhe reperkusionet që mund të pasojnë, e të cilat janë specifikuar në letër, por ne nuk mund të flasim tash, për atë që mund ose nuk mund të ndodhë”, thotë Lindholm.

Presidenti i Kosoëvs, Fatmir Sejdiu, ka shprehur besimin se UNMIK-u do të veprojë në mënyrën e duhur, në mënyrë që të ruajë Kosovën nga deinstitucionalizimi i saj.

“Nuk them se do të ketë mbajtje të zgjedhjeve serbe në Kosovë. Në intencën çfarë Serbia dëshiron ta bëjë është shkatërrimi institucional i Kosovës; në atë çfarë ne mendojmë të jetë është që të inkurajohen qytetarët serbë, t’i kthehen realitetit praktik, të jenë pjesë e institucioneve të drejtpërdrejta dhe UNMIK-u të menaxhojë në mënyrën më të mirë të mundshme për aq sa është në pushtetin e tij. Ne nuk do të përplasemi në formën çfarë Serbia dëshiron ta provokojë Kosovën, por është me rëndësi të themi se asnjë proces zgjedhor jashtë vullnetit të institucioneve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, në këtë rast të misionit ndërkombëtar të deklaruar shumë qartë, nuk do të jetë i pranueshëm”, tha Sejdiu.

Një qëndrim më pak të qartë rreth mbajtjeve të zgjedhjeve serbe në Kosovë e ka dhënë sot kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili nuk saktëson nëse do të mbahen ose jo zgjedhjet lokale serbe në Kosovë.

“Ne sot kemi pasur takim me Piter Feitihn dhe Joachim Rueckerin, me presidentin Sejdiu dhe Jakup Krasniqin; kemi diskutuar për këtë çështje dhe nga Kosova dhe ndërkombëtarët përgjigjja ka qenë unike. Institucionet legjitime të Kosovës kanë autoritetin e plotë në gjithë territorin e Kosovës dhe do të marrin vendimin meritor. Institucionet e Kosovës e kanë qëndrimin shumë të qartë që është i njohur, prandaj qëndrimi i SHBA-ve është qëndrim për t'u përshëndetur, është shumë inkurajues dhe do të jemi me qëndrime të përbashkëta - Prishtina, Uashingtoni, Brukseli dhe NATO-ja”, tha Thaçi.

Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, ka deklaruar se me mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë, Serbia do ta legjitimojë atë si territor të saj, duke shtuar se zgjedhjet do të mbahen deshi ose jo UNMIK-u. Ndërkohë, edhe UNMIK-u, edhe qeveria, tashmë kanë deklaruar se të vetmet mjete që do t'i përdorin për të penguar zgjedhjet, janë ato ligjore, që nënkupton shpallja e zgjedhjeve dhe rezultateve të tyre si jovalide.

Në anën tjetër, opozita në Kosovë është treguar më e ashpër, duke kërkuar nga të gjitha institucionet të shprehen në mënyrë shumë të prerë kundër zgjedhjeve komunale serbe dhe të mos i lejojnë ato që të mbahen në Kosovë.

XS
SM
MD
LG