Ndërlidhjet

Ferati: Beogardi synon krijimin e ndasive ndëretnike në Kosovë


Sadri Ferati

Sadri Ferati

"Duke paralajmëruar mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë, Beogradi synon ngritjen e tensioneve dhe krijimin e ndasive ndëretnike në Kosovë", thotë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Sadri Ferati.


RADIO EVROPA E LIRË

Zoti ministër, Beogradi ka paralajmëruar mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë edhe nëpër komunat e Kosovës. Si do të veproni në këtë rast dhe cili është pozicioni i ministrisë suaj, i Qeverisë së Kosovës lidhur me këto paralajmërime?

SADRI FERATI
Ne kemi deklaruar pozicionin tonë, që është shumë kategorik, që nuk duhet të mbahen zgjedhjet e asnjë vendi tjetër në Kosovë, përveç atyre të Kosovës, sepse Kosova e ka shpallur shtetësinë e vet, pra Republika e Kosovës e ka zgjedhur rrugën e vet me ofertat më të mira për një jetë të mirë për të gjithë qytetarët e saj. Por, njëkohësisht, në këtë rast do të ishte thyer edhe Rezoluta 1244 si tranzicion.

Beogradi edhe në të kaluarën, që nga viti 1999, nuk ka bërë zgjedhje lokale në Kosovë; e gjen mu në këto momente të bëjë zgjedhje dhe më tepër është qëllimi që të krijojë tensione dhe ndasi në mesin e serbëve.

Vetë dokumentet e Kosovës parashohin me reformën e pushtetit lokal një qeverisje shumë të gjerë edhe për komunitetin serb në ato komuna ku serbët janë shumicë, edhe në implementimin e pesë plus një komunave të reja, me një bazë shumë të gjerë të kompetencave dhe të autonomisë shumë të fuqishme për pushtetet lokale, që është një mostër jo vetëm për rajonin, por edhe më gjerë.

RADIO EVROPA E LIRË

Në rast se UNMIK-u, megjithatë, lejon mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, sa në fakt do të bëhet i pazbatueshëm plani i Ahtisaarit dhe projektet tuaja për decentralizimin, marrë parasysh se nëpër komuna, kushtimisht thënë, do të aplikohej dyligjësia, ligjet e Kosovës dhe ato serbe?

SADRI FERATI
UNMIK-u ka marrë një qëndrim që nuk pajtohet të mbahen ato zgjedhje dhe nuk do t'i pranojë, siç nuk do t'i pranojnë as institucionet kosovare, por njëkohësisht edhe deklarimi i shumicës së shteteve më me ndikim në politikën ndërkombëtare, duke përfshirë SHBA-të dhe BE-në, që nuk duhet të ndodhin ato zgjedhje, janë të papranueshme dhe nuk do të mund të implementohen ato rezultate.

Edhe popullata serbe duhet ta përshëndesë vullnetin e mirë dhe vendosmërinë e institucioneve për të implementuar decentralizimin dhe decentralizimi është forma e parë ku njerëzit mund të vetëqeverisen; pra, qyetetarët serbë në këtë rast të qeverisen me një fushë aq të madhe të kompetencave. Nga ana tjetër, me këtë është menduar se do të ulen tensionet dhe do të bëhet një pajtim, një ofrim ndëretnik, por edhe futja e serbëve në sistemin kosovar.

RADIO EVROPA E LIRË

Si e shihni letrën që zoti Ruecker i ka dërguar Qeverisë së Beogradit për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në bashkëpunim me administratën ndërkombëtare?

SADRI FERATI

Unë mendoj se edhe ky është një vullnet i mirë. Ne do të organizojmë zgjedhje lokale në Kosovë edhe për komunat me shumicë serbe dhe ky është edhe një rast i mirë për Beogradin, se kështu mund të faktorizohet Beogradi, duke bashkëpunuar me strukturat e UNMIK-ut, me përfaqësuesin civil ndërkombëtar që do instalohet në atë pjesë, por edhe me institucionet e Kosovës, në rast se Beogradi vërtet e ka për të siguruar sa më shumë të drejta për komunitetin serb. Në rast se ai mendon se nuk ka përfunduar beteja, beteja për territore është çështje e koncepteve të gabuara.

Unë mendoj se serbët e Kosovës duhet të udhëhiqen me opsione reale dhe opsionet reale janë pretendimi i tyre për një jetë më të mirë, në një Kosovë unike, në një qytet të integruar të Mitrovicës dhe me një perspektivë evropiane, me përmbushjen e standardeve më të larta edhe të funksionimit të institucioneve, por edhe të të drejtave të tyre.

RADIO EVROPA E LIRË

Ju jeni edhe kryesues i grupit për decentralizimin. Kur dhe në çfarë forme do të fillojnë punët në lidhje me zbatimin e obligimeve që dalin nga pakoja e Ahtisaarit në këtë fushë?

SADRI FERATI
Ne 'de facto' kemi filluar punën, kemi proceduar vendimin në kabinetin qeveritar dhe është marrë vendim për formimin e këtij grupi. Ky grup ka mbajtur takimin e parë dhe ka themeluar nëngrupet, që kanë një afat shumë të shkurtër për t'u takuar dhe kompletuar për të shqyrtuar propozim-planin dhe çdo sugjerim i mirë, çdo plotësim i mirë i atij plani do të jetë shumë i mirëseardhur; pastaj, mbi ato propozime, i njëjti do të kthehet në grupin ndërministror për decentralizim, ku do të aprovohet si një dokument i mëtejmë.

Të gjitha ato grupe, edhe ai legjislativ, edhe ai për implementimin e komunave të reja, edhe për kompetencat dhe resurset, edhe ai për kapacitete dhe koordinime donatore, kanë qëllimin më të mirë, që t'u ofrohet ky pushtet të gjitha komunave, pra edhe atyre me shumicë serbe, që të ngritën kapacitete.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa në fakt e pengon, e vështirëson zbatimin e këtyre obligimeve, çështjen e decentralizimit, funksionimi i mëtutjeshëm i strukturave serbe nëpër komuna?

SADRI FERATI
Absolutisht e vështirëson dhe është e papranueshme. Unë mendoj se nuk është rrugë e mirë dhe nuk është fare rrugë që me ndërtimin e institucioneve paralele të pretendohet të merren ato kompetenca që parashikohen edhe me decentralizimin, edhe atë territorial, edhe atë funksional.

Vetë decentralizimi dhe qëllimi që me decentralizimin dhe krijimin e komunave të reja t'i kontribuohen çështjeve që diskutuam më parë, atëherë do të humbiste kuptimin ky decentralizim nëse refuzohet, bojkotohet ose sabotohet nga pala që i dedikohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat do të jenë pasojat e vazhdimit të funksionimit në këtë formë të komunitetit serb vetëm sipas direktivave të Beogradit, tash në Republikën e Kosovës, në shtetin e Kosovës?

SADRI FERATI
Duke u bazuar në këtë ofertë, por edhe në faktin se së shpejti pritet të mbahet edhe Konferenca e donatorëve që parasheh buxhete deri tash të papara për qytetarët e Kosovës, unë mendoj se do të ketë dy pasoja, do të vonohet themelimi dhe funksionimi i këtyre strukturave, pra komunave, dhe do të vonohen edhe investimet shumë të fuqishme që do ndikonin drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Njëkohësisht, i gjithë ky stagnim i këtij procesi do të kushtojë edhe me shumë benificione që parashihen që do t'i ketë çdo shoqëri gjatë ecjes për integrime evropiane, duke filluar nga liberalizimi i vizave deri te mundësia e këmbimit të përvojave. Pasojat më të mëdha do të jenë mu për qytetarët e nacionalitetit serb.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG