Ndërlidhjet

Rupel: Nuk duam ashpërsim të situatës në kufirin Kosovë-Serbi


Dimitrij Rupel
Dimitrij Rupel

"Nuk duam kurrfarë ashpërsimi të situatës dhe vështirësi në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë", ka thënë ministri i Jashtëm slloven, Dimitrij Rupel, pas takimit që ka zhvilluar të hënën, në Uashington, me sekretaren amerikane të shtetit, Condoleeza Rice.


Sekretarja amerikane e shtetit, Condoleeza Rice, dhe ministri i Jashtëm slloven, Dimitrij Rupel, gjatë takimit të tyre të mbrëmshëm në Departamentin Amerikan të Shtetit, fillimisht kanë diskutuar për Kosovën.

Agjencia sllovene e lajmeve STA citon ministrin Rupel të ketë thënë se "në raport me Ballkanin, të dy kemi shprehur shqetësimin dhe mendojmë se është e nevojshme që në mënyrë të qartë dhe në rrethana reale të vendosim dhe të merremi vesh".

"Nuk duam kurrfarë ashpërsimi të situatës dhe vështirësi në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë", ka thënë zoti Rupel, duke shtuar se në takimin me zonjën Rice është shprehur edhe synimi që "misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë të jetë sa më i suksesshëm dhe që sa më parë të bëhet transferimi i përgjegjësive".

Zoti Rupel tha se është e nevojshme "të dakordohemi për atë se çfarë duhet bërë me misionin e UNMIK-ut, në planin e kufijve, për veriun e Kosovës" dhe shtoi se "asnjë nga bashkëbiseduesit nuk dëshiron asnjë ndarje ose komplikim në kufij".

Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, ministri i Jashtëm slloven për Kosovën ka diskutuar edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, dhe zyrtarin e lartë të Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare, Stephen Hadley.

"Bashkimi Evropian ka rol dhe detyrë të rëndësishëm, ai duhet të jetë pjesë e ekuipazhit ndërkombëtar me rol mbrojtës dhe këtë gjithë e kanë pranuar. Kemi njohur Kosovën si shtet dhe tash kemi disa obligime", ka thënë Rupel.

I pyetur nëse është e mundshme që problemet rreth Kosovës të zgjidhen deri në fund të mandatit që Sllovenia ka si kryesuese e radhës e Bashkimit Evropian, ministri i Jashtëm slloven ka thënë se "duhet të jemi realistë".

"Të gjitha problemet nuk mund t'i zgjidhim. Ndërkaq, hyrja në Bashkimin Evropian dhe marrja e përgjegjësive duhet të zgjidhen në pajtueshmëri me datat e përcaktuara dhe në harmoni me Kushtetutën", ka thënë zoti Rupel.



XS
SM
MD
LG