Ndërlidhjet

Shtëpia e Bardhë mirëpret Papën

  • Andrew Tully

Presidenti Bush dhe Ati i Shenjtë gjatë një takimi në vitin 2007

Presidenti Bush dhe Ati i Shenjtë gjatë një takimi në vitin 2007

Papa Benedikti i XVI-të viziton SHBA- të, në të parën vizitë që pas ardhjes në krye të kishës katolike. Ati i Shenjtë do të takohet me presidentin Bush dhe do të shkojë në Nju Jork, ku do të vizitojë skenën e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit dhe OKB-në.

Nuk ka dyshim se Papa Benedikti i XVI-të dhe dhe presidenti amerikan, George Bush kanë të përbashkëta në disa pika themelore. Ata kanë dhe një morri qëndrimesh të ndryshme në çështje madhore. Zhozef Eldrixh, prift protestant në Universitetin Amerikan në Uashington është i specializuar në raportet mes fesë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

"Informacionet që kam lexuar tregojnë se Bushi e ka rrethuar veten me një numër këshilltarësh katolikë të linjës së ashpër, që të ofrojë mbështetje fetare për një numër qëndrimesh në çështjet sociale apo politike.
Këtu përfshihen qëndrimet e Bushit kundër abortit dhe studimeve kërkimore në fushën e qelizave. Në këtë kuptim mund të them se qëndrimet e tij janë në të njëjtat valë me pozicionin e Vatikanit në shumë çështje të ndjeshme sociale", thotë Eldrixh.

Por presidenti amerikan dhe Papa kanë dallime të ndjeshme lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikat fiskale. Eldrixh thekson se dallimet janë më të ndjeshme rreth ndërhyrjes ushtarake në Irak. Papa Benedikti i XVI-të ka folur shpesh për dhunën në Irak dhe thellimin e dallimeve mes të varfërve dhe të pasurve në botë.

A do të thotë kjo se Ati i Shenjtë dhe presidenti Bush do të kenë mosmarrëveshje gjatë takimit privat në Shtëpinë e Bardhë? Eldrixh nuk beson se do ketë kundërshtime të ashpra gjatë takimit.

"Papa nuk do të flasë për detaje me Bushin. Ata nuk do flasin për politikat sociale, për politikën e jashtme apo atë në fushën e mbrojtjes. Do jetë një takim mirësjellje. Nuk besoj se Papa do t'i mbajë mësime presidentit Bush. Padyshim se të dy bashkëbiseduesit janë të një mendje për nismat e presidentit Bush në luftën kundër SIDA-s, malaries, tuberkolozit në nivel global. ", thotë Eldrixh.
Ai shton se duket se presidenti Bush është më i paduruar për tu takuar me Papën se sa anasjelltas.

Presidenti Bush është në vitin e fundit të mandatit të dytë presidencial dhe është shumë i interesuar të ndikojë në trashëgiminë që do të lerë si president. Nuk ka dyshim se marrëdhëniet me botëm myslimane do jenë një element i rëndësishëm i trashëgimisë së Bushit. Megjithatë prifti protestat Eldrixh mendon se është ende herët të thuhet se për çfarë do të kujtohet presidenti aktual amerikan.

Por vizita e Papës në Shtetet e Bashkuara është një moment i rëndësishëm dhe për Atin e Shenjtë.

Eldrixh thotë për Radion Evropa e Lirë se Papa Benedikti i XVI-të dëshiron të flasë me popullin amerikan, që përfaqëson një morri kulturash e besimesh fetare. Kësaj i shërben dhe mesazhi i vendosur në internet në anglisht dhe spanjisht nga Ati i Shenjtë para fillimit të vizitës në Shtetet e Bashkuara.

Vizita e fundit e kreut të kishës katolike në Shtetet e Bashkuara ishte nga Papa Gjon Pali i Dytë në vitin 1999.

XS
SM
MD
LG