Ndërlidhjet

Zgjedhjet serbe - tendencë për ndarje të Kosovës


Prishtinë
Prishtinë

Mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë është një tendencë për ndarje të Kosovës dhe instalimin e funksionimit të dy pushteteve, konsiderojnë analistët politikë kosovarë. Ata vlerësojnë se edhe pas pavarësisë, Qeveria e Serbisë vazhdon të mendojë që ka ndikim në Kosovë. Analisti Ramush Tahiri thotë se sfidë për institucionet e Kosovës nuk është mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe, por instalimi i pushtetit serb në Kosovë.


Analisti Ramush Tahiri thotë se sfidë për institucionet e Kosovës nuk është mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe, por instalimi i pushtetit serb në Kosovë.

"Instalimi i pushtetit lokal, i asambleve komunale dhe i qeverive komunale, zgjedhja e kryetarit të komunave, janë atak i drejtpërdrejtë në sistemin e shtetit në të cilin mbahen, në këtë rast të Kosovës, dhe kjo do të thotë sistem i dyfishtë në Kosovë ose instalime të pushtetit të shtetit të Serbisë në Republikën e Kosovës. Këtë nuk do ta lejonte asnjë vend dhe këtë nuk mund ta tolerojë as Kosova. Nëse kjo ndodh dhe nëse zgjedhjet lokale mbahen në pesë komunat me shumicë serbe, kjo do të thotë eksterritorialitet, apo ndarje e pushteteve", vlerëson Tahiri.

Zoti Tahiri thotë se nëse ndodh një gjë e tillë, ato komuna nuk do t'u përgjigjen institucioneve të Kosovës dhe nuk do t'i zbatojnë ligjet e Republikës së Kosovës. Kjo, sipas tij, nënkupton ndarjen territoriale. Tahiri shpreh skepticizëm se institucionet e Kosovës mund të bëjnë diçka në këtë drejtim, meqë përgjegjës për zgjedhjet, sipas tij, mbetet ende UNMIK-u.

"Edhe po të jetë përgjegjësi e institucioneve të Kosovës, nuk ka mekanizma që do t'i ndalonin serbët që t'i mbajnë zgjedhjet, sepse konsiderohet që nuk shkelet ligji, konsiderohet që është grupim apo deklarim plebesitar i vetë qytetarëve. Nëse zgjedhjet mbahen dhe konsiderohen vetëm si deklarim qytetar, pa implikim, nuk do të ketë pasoja. Mirëpo, nëse bëhet tentim dhe përkrahen nga Serbia apo nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, atëherë kjo është shkelje e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës", tha Tahiri.

Analisti tjetër për çështje politike, Migjen Kelmendi, vendosmërinë e Serbisë që zgjedhjet lokale të mbahen në Kosovë e konsideron një debakël politik dhe manipulim me serbët e Kosovës.

"Kjo është një lojë që po vazhdojnë serbët në krye me Koshtunicen dhe e cila në esencë asgjë nuk është duke bërë, vetëm duke e manipuluar popullin e vet, duke manipuluar votuesit e vet, duke manipuluar vetveten dhe duke gënjyer vetveten. Se që po vijnë një grusht i votave prej vendeve të banuara me serbë në Kosovë, kjo flet vetëm për një debakël politik të kësaj klase poltike", tha Kelemendi.

Kelmendi pohon se institucionet e Kosovës ndodhen para një sfide dhe para një provokimi të madh. Sipas tij, udhëheqësit e institucioneve nuk duhet të bien pre e provokimeve të tilla që vijnë nga Serbia.

"Unë mendoj se institucionet e Kosovës nuk posedojnë mekanizma, e as instrumente konkrete që do të bënin ndonjë ndërprerje të ketyre zgjedhjeve. Ajo që munden institucionet e Kosovës të bëjnë, është që t'i qesin njerëzit në rrugë edhe të krijojnë një problem të madh për bashkësinë ndërkombëtare. Nga kjo situatë, nuk është mirë që institucionet tona të dalin si humbëse. Qëndrimi i institucioneve të Kosovë ishte i qartë dhe i saktë, janë kundër", tha Kelmendi.

Analistë të shumtë thonë se organizimi i zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Kosovë mund të nxisë tensione. Liderët e Kosovës kanë vlerësuar se kjo do të ishte përzierje në punët e brendshme të Kosovës, që çon në destabilizim. Sidoqoftë, derisa zgjedhjet lokale kundërshtohen në masë të madhe si nga institucionet vendëse, ashtu edhe nga ato ndërkombëtare, zgjedhjet parlamentare duket se nuk paraqesin problem të madh, meqë institucionet janë zotuar se do të respektojnë parimin e dyshtetësisë.

XS
SM
MD
LG