Ndërlidhjet

logo-print

UNMIK-u mohon spekulimet për largimin e Rossinit


Pamje nga Prishtina

Pamje nga Prishtina

UNMIK-u po e trajton si çështje personale konfliktin midis zëvendësit të parë të shefit të kësaj administrate, Larry Rossin dhe administratorit rajonal në Mitrovicë, Gerard Gallucci. Marrëdhëniet mes tyre janë ashpërsuar pas ndërhyrjes së forcave ndërkombetare të rendit në Mitrovicë më 17 mars.

Raportet mes zëvendësshefit të UNMIK-ut Larry Rosin dhe administratorit rajonal të UNMIK-ut në Mitrovicë Gerard Galluci vazhdojnë të jenë të tensionuara. Edhe pse zyrtarë të misionit të OKB-së në Kosovë e trajtojnë këtë si një çështje të brendshme, ata pranojnë se konfliktin në fjalë është duke u munduar ta zgjidhë shefi i UNMIK-ut Joachim Ruecker.

"E di që termi betejë është shumë i popullarizuar në Ballkan, por ne e quajmë këtë çështje të brendshme, dhe siç ka thënë Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, ai do të mundohet ta zgjidhë këtë sa më shpejt që të jetë e mundur, por ne nuk do japim detaje për këtë", tha zëdhënësi i UNMIK-ut Aleksandër Ivanko.

Administrata ndërkombëtare hedh poshtë njoftimet jozyrtare se Larry Rosin mund të largohet nga Kosova për shkak të mospërkrahjes së mjaftueshme nga New Yorku, në betejën e tij me Gerard Gallucin.

"Këto janë spekulime, por çdo çështje personale është çështje e brendshme", pohon një zëdhënës tjetër i UNMIK-ut Sven Lindhlom. Intervenimi i UNMIK-ut dhe KFOR-it, më 17 mars, për të liruar objektin e gjykatës së uzurpuar nga serbët në veriun Mitrovicës, qe bërë mollë sherri mes Gerard Galluccit dhe zëvendësshefit të UNMIK-ut, Larry Rossin, i cili kishte dhënë urdhër për intervenim.

Gallucci, u kishte shkruar një letër zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku kishte kritikuar ashpër Rossinin për vendimin e tij, siç e ka quajtur të njëanshëm për intervenim". Ai e kishte akuzuar Rossinin se "përkrah hapur shqiptarët dhe pavarësimin e Kosovës".

Ky qëndrim i Galluccit sipas njoftimeve jozyrtare ka bërë që Rossin të kërkojë menjëherë largimin e tij nga Mitrovica, por selia qendrore e OKB-së në New York, nuk ka miratuar ende shkarkimin e Gallucit.

Njësitet speciale të policisë së UNMIK-ut në Mitrovicë

Sidoqoftë, analistët politikë këtë konflikt mes dy zyrtarëve të lartë të UNMIK-ut, e shohin si një fakt që jep arsyen se pse problemi në Mitrovicë vazhdon të jetë i pazgjidhur. Arben Gashi, analist për cështje të qeverisjes, thotë se kjo mungesë komunikimi në zingjirin hierarkik të administratës ndërkombëtare mund të ketë qenë faktor ndikues në mosintegrimin e qytetit për nëntë vjet me radhë.

"Mund të themi se konfliktualiteti mes niveleve të administrimit ndërkombëtar në Kosovë është i shprehur dhe shihet mjaft mirë në rastin e qytetit të Mitrovicës, i cili shihet mjaft mirë, se është i ndarë fizikisht, administrativisht, territorialisht dhe problematika e vërtetë qëndron te vullneti i bindur i administratës ndërkombëtare për të krijuar një qytet funksional, i cili do të duhej të kishte një lidhshmëri dhe logjikë të komunikimit të niveleve të qeverisjes dhe të komunikimit të përgjegjshmërisë pra institucioneve dhe para ligjit", tha Gashi.

Përveç problemeve me komunikim mes administratës rajonale të UNMIK-ut në Mitrovicë me zyrat në Prishtinë, aktualisht, është ngrirë edhe bashkëpunimi mes përfaqësuesve shqiptarë të komunës së Mitrovicës me Gerard Gallucin.

Shqiptarët e Mitrovicës e shohin si person të papërshtatshëm për të bashkëpunuar, duke u nisur nga fakti se të njëjtën letër, që Gallucci i kishte dërguar OKB-së në New York ua kishte dërguar edhe liderëve serbë të veriut të Mitrovicës, Milan Ivanoviq dhe Marko Jakshiq.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG