Ndërlidhjet

LDK para vendimeve për reforma


Posteri i LDK-së me pamje të Ibrahim Rugovës

Posteri i LDK-së me pamje të Ibrahim Rugovës

Lidhja Demokratike e Kosovës është në procesin e reformave. Zyrtarë të kësaj partie, thonë se ka dallime në koncepte lidhur me riorganizimin e partisë, por sipas tyre, LDK nuk është në ndonjë krizë aq të thellë që mund të përfundojë me ndarje apo përçarje siç kishte ndodhur në Kuvendin e fundit zgjedhor.

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka iniciuar zhvillimin e një analize të përgjithshme të punës së kësaj partie, që vjen si rezultat edhe i trysnive brenda LDK-së pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, pas ta cilave kjo parti politike doli në vendit e dytë për kah rezultati zgjedhor. Zyrtarët e lartë të kësaj partie, thonë se LDK nuk është në ndonjë krizë apo në ndonjë rrezik të ri për ndarje, siç pati ndodhur në Kuvendin e fundit zgjedhor, por se sipas tyre, LDK-së i duhet një analizë që të shoh vetën se ku është dhe çka duhet të bëjë që të kthehet në partinë më të madhe siç ishte para zgjedhjeve.

Anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Astrit Haraqija, i përfolur dhe si njëri prej atyre që inicion më së shumti ndryshimet në LDK, thotë se qëllimet e tij nuk janë që LDK-ja apo anëtarë të caktuar të saj të largohen nga partia, siç vlerësojnë analistët, por është që LDK-ja të reformohet dhe rikthehet në krye të skenës politike, ku ai mendon se e ka vendin kjo parti politike.

“Unë mbështes që të bëhet një analizë e thellë, të shkohet në bazë me të gjitha nëndegët e degët, të bisedohet, shikohen problemet pak ma afër, ngase nuk bën që nga zyra të komandohet dhe udhëhiqet qoftë pushteti politik, qoftë ai ekzekutiv, por duhet të dilet në bazë, në terren edhe të bisedohet me anëtarësinë, për arsye se ne jemi në shërbim të anëtarësisë e nuk duhet që e tërë anëtarësia të jetë në shërbimin tonë. Tas nuk mund të thirret më askush në statusin e Kosovës, kështu që tani na duhet një program i partisë”, thotë Haraqija.

Ndarja e LDK-së dhe ndryshimet kadrovike me çdo kusht nuk janë zgjidhje, thotë Astrit Haraqija. Sipas tij, taborret që paraqiten si fraksione në LDK, që mblidhen rreth Fatmir Sejdiut e Eqrem Kryeziut në njërën anë dhe Astrit Haraqisë e disa zyrtarëve të tjerë të LDK-së në anën tjetër, sipas z.Haraqija, nuk do të qojnë në ndarjen e sërishme të LDK-së.

“Unë e kam thënë shpesh dhe po e përsëris së LDK-ja bën edhe pa Astrit Haraqinë e bën edhe pa Eqrem Kryeziun. Nuk është LDK-ja e varur nga Astriti apo Kryeziu. Për LDK-në nuk do të ketë krizë, nuk e besoj, unë mund të mos jem pjesë e ekipt që e cakton kryetari Sejdiu, por unë do të pres 3 – 4 vjet, jam i ri dhe kam kohë me prit, nuk mund ta humbas një investim që e kam bërë për 16 vjet brenda natës”, thekson Haraqija.

Në anën tjetër, zëdhënësi i LDK-së, Vehbi Miftari paralajmëron mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ku do të vendoset nëse kjo parti do t’i nënshtrohet në të ardhmen e afërt procesit të zgjedhjeve të brendshme, apo do t’i nënshtrohet ndonjë procesi të ri të reformimit.

“Është ekskluzivisht çështje e Këshillit të Përgjithshëm nëse do të dalë me thirrje për zgjedhje të përgjithshme të partisë ose jo. Tani për tani ne po përgatitemi që të shkojmë në Këshillin e Përgjithshëm dhe që kjo mbledhje e Këshillit të rezulton me ide e koncepte të qarta për sa i përket zhvillimit të ardhshëm të partisë”, tha Miftari.

Edhe zëdhënësi Miftari beson se LDK-ja nuk është para një krize të re që do të rrezikoj me mundësinë e ndarjes së fraksioneve eventuale në parti më të vogla. “Rezultati i zgjedhje të fundit dhe pjesëmarrja e gjatë në skenën politike nënkupton edhe reforma të herëpashershme ose të vazhdueshme dhe ne jemi në një proces të tillë. Nuk mendojmë absolutisht se ka krizë të tillë që mund të interpretohet edhe si thyerje brenda LDK-së”, thotë Miftari.

Në Kuvendin e fundit zgjedhor, LDK-ja qe ndarë në dy parti politike, përkatësisht nga kjo parti, qe shkëputur fraksioni i Nexhat Dacit. Këto zhvillime qenë reflektuar më pas edhe në rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë, pas të cilave LDK për herë të parë doli si subjekti i dytë parlamentar. Ndërkaq pakënaqësitë e disa zyrtarëve të LDK-së janë shtuar pas koalicionit të fundit të kësaj partie me PDK-në, kur ish zyrtarët e lartë të kësaj partie në postet ministrore qenë lënë anash, duke i konsideruar ata si të papranueshëm për qeverinë e re. Por si qëndrojnë tani punët, zyrtarët e LDK-së, përkundër disa dallimeve në mendime lidhur me riorganizimin e partisë, nuk parashohin ndonjë krizë aq të madhe që mund të shpijnë kah ndarjet e reja të kësaj partie.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG