Ndërlidhjet

"Debelldehasit mbrojnë pronën dhe flamurin"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOSOVA SOT
Deputetët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kanë shfaqur mospajtime të thella. Debati i paralajmëruar të mërkurën pasdite është zhvilluar i ndarë në dy tabore. Delegatët e vendeve që janë kundër pavarësisë kanë nxjerrë në shesh akuza e arsyetime kundër statusit të vendit tonë, ndërsa delegatët e vendeve që tashmë e kanë njohur pavarësinë, e kanë arsyetuar pse është njohur pavarësia. Debatin për Kosovën, i futur me vonesë në rendin e ditës, e ka hapur suedezi Bjorn von Sodou nga Grupi i Socialistëve, i cili e ka hedhur poshtë frikën që ka ekzistuar më parë për pasojat e shpalljes së pavarësisë. Në vazhdim socialisti suedez ka theksuar se në Kosovë jetojnë dy milionë evropianë, të cilët nuk janë te përfaqësuar në organizatat ndërkombëtare dhe të cilët do të duhej t'i gëzonin të gjitha të drejtat ashtu sikur edhe evropianët e tjerë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike...

LAJM

Qëllimshëm apo rastësisht është caktuar që në të njëjtën seancë, të premten, në Kuvendin e Kosovës të diskutohet raporti mbi 100 ditët e punës së Qeverisë dhe programi qeveritar 2008 - 2011. Kjo "taktikë" duket se është kalkuluar mirë nga Qeveria dhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili tenton që me këtë potez të "shpëtojë" nga kritikat e opozitës rreth tremujorit të parë të qeverisjes pa program, dhe njëkohësisht për t'u ikur vërejtjeve rreth programit 51 faqesh të Qeverisë, i cilësuar si përgjithësues, i varfër dhe abstrakt. Sigurisht që programi qeveritar do të bjerë nën hijen e raportit 100-ditësh të qeverisjes dhe anasjelltas. Madje, jo rastësisht, programi i Qeverisë është lënë të debatohet në pjesën e dytë të seancës, atëherë kur do të jetë shterur debati parlamentar për raportin dhe kur deputetët e lodhur, mezi do të presin të ikin në shtëpi. Qartë shihet se kjo është bërë me qëllim nga koalicioni, për t'i ikur kritikave dhe vërejtjeve rreth qeverisjes së deritanishme pa program dhe që të mos ketë shumë kohe për debat rreth programit qeveritar...

KOHA DITORE

Pakkush në Kosovë mund ta urrejë Planin gjithëpërfshirës të presidentit Martti Ahtisaari më shumë se banorët e fshatit Debëlldeh të Vitisë. Ata kanë frikë se për sherr të këtij plani, lidershipi i Kosovës një ditë do t'i ngrejë duart lart dhe do të heqë dorë nga 2500 hektarët e territorit të Kosovës që janë "goditur" mes Maqedonisë e Serbisë në vitin 2001. Pranimi i marrëveshjes që është bërë ndërmjet Shkupit dhe Beogradit zyrtar, me rastin e shënimit të vijës kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë, nga banorët e këtij fshati paralajmërohet si një ogur i keq, i cili mund t'i paraprijë kapjes së armëve për t'u vënë në mbrojtje të pronave të tyre. Sali Avdullahu, këshilltar komunal në Viti, thotë se që nga 17 shkurti, ditën kur është shpallur pavarësia e Kosovës, debëlldeshasit i kanë dy motive të fuqishme për të ngulur këmbë në të drejtën për mbrojtje të pronave stërgjyshore. "E para është se ne luftojmë për një të drejtë të garantuar me konventa ndërkombëtare, sipas të cilave prona private është e shenjtë, dhe e dyta, se, duke e mbrojtur tokën tonë, ne e mbrojmë flamurin e shtetit të Kosovës", thekson Avdullahu...

ZËRI

Ka qenë e pritur dhe e parashikueshme që do të mbërrijmë te kjo skemë e rrjedhës së ngjarjeve në Kosovë, pas 17 shkurtit të këtij viti, kur Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e Kosovës. Autoritetet e Kosovës, për shkak të lidhshmërisë së krijimit të shtetit të Kosovës me Propozimin Gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari, e kanë pasur të domosdoshme të përqendrohen në segmentin legal të proceseve politike, përmes hartimit dhe miratimit të Kushtetutës së Kosovës, dhe kalimit, sa më shumë që është e mundur, të ligjeve nga Agjenda legjislative që del nga pakoja e Ahtisaarit. UNMIK-u dhe KFOR-i, në anën tjetër, edhe për shkak që Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka mbetur në fuqi, kanë pasur prioritet të tyre ruajtjen e sigurisë dhe të stabilitetit, qëmoti të cilësuar si të brishtë. Shtetet e mëdha perëndimore, SHBA-ja, BE-ja si organizëm, është dashur të fokusohen në njohjen sa më të madhe të shtetit të Kosovës në botë, dhe në këtë drejtim, ka pasur arritje të cilat kanë mundësuar që vetë shpallja e pavarësisë të marrë një konfirmim tepër të vlefshëm në botë...

INFOPRESS
Përderisa kohë më parë Kosova qeverisej nga Korniza Kushtetuese, në të cilën po ashtu specifikohej se presidenti nuk mund të ushtrojë poste tjera njëkohësisht, Sejdiu ushtronte të dyja postet pa çarë shumë kokën se çka shkruhej në atë kornizë. Por, që tani Kosova u bë shtet dhe miratoi aktin më të lartë politik e juridik siç është kushtetuta, Sejdiu vazhdon me avazin e vjetër, duke hezituar kështu të lë postin e kryetarit të LDK-së. Megjithatë, deri tani zyrtarë të LDK-së arsyetonin veprimin e Sejdiut, kinse ky i fundit në një mënyrë kishte ngrirë postin e kryetarit në parti dhe se nuk merrej me aktivitet partiake. Por, fushata e fundit parazgjedhore për zgjedhjet e nëntorit te vitit të kaluar tregoi të kundërtën, ku Sejdiu, pavarësisht faktit se me kornizë kushtetuese si president ishte i thirrur të përfaqësojë unitetin e popullit, ishte në krye të fushatës partiake...

EXPRESS

Presidenti Fatmir Sejdiu përballet me momentin e tij vendimtar të kthesës ose fundosjes, derisa Lidhja Demokratike e Kosovës po i hyn një procesi të ripërcaktimit të pozicioneve të brendshme. Rezultati i aksioneve të tij do të jetë, madje, një test i aftësisë së transformimit të kësaj shoqërie. Njeriu i parë i këtij vendi nuk më ka impresionuar asnjëherë deri më tash me ndonjë manovër politike, ndonjë fjalim të jashtëzakonshëm, ose argumentim të thelluar. Të themi se, sikur për shumë kolegë të tij, shpesh e më shpesh më torturon mllefi dhe keqardhja përse janë në këto pozita shtetërore dhe, per më shume, se si i ngritë lart kjo shoqëri. Por, ai ka një kualitet shumë të rëndësishëm në këtë kohë, kur këtij vendi i duhet një rend etik, në mungesë të sundimit të ligjit. Fatmir Sejdiu shfaqet një politikan me sens përgjegjësie dhe nderi...



XS
SM
MD
LG