Ndërlidhjet

Austri: Kosova merr pjesë në hedhjen e shortit në hendboll


Logo e kampionatit evropian në hendboll

Logo e kampionatit evropian në hendboll

Drejtuesit e Federatës së Hendbollit të Kosovës kanë njoftuar se më 18 prill, në Austri, kosovarët do të marrin pjesë në hedhjen e shortit për kampionatin evropian të hendbollit, që do të mbahet në vitin 2010, në Austri.


Edhe pse Kosova ka shpallur pavarësinë e saj dhe atë e kanë njohur shumica e shteteve të Bashkimit Evropian, Federata e Hendbollit të Kosovës ende nuk është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Federatën Evropiane të Hendbollit. Por, drejtuesit e kësaj federate kanë njoftuar se më 18 prill, në Austri, kosovarët do të marrin pjesë në hedhjen e shortit për kampionatin evropian të hendbollit që do të mbahet në vitin 2010 në Austri. Mexhit Devaja, kryetar i Federatës së Hendbollit të Kosovës, thotë se kjo federatë ka aplikuar që të marrë pjesë në tërheqjen e shortit dhe ka marrë përgjigje pozitive nga federata evropiane.

”Do të jemi edhe ne pjesë e tërheqjes së shortit pasi që e kemi ftesën zyrtare. Kemi kërkuar që së paku federata jonë, përfaqësuesja e Kosovës të gjendet në short. Domethënë, ka mundësi që të bëhet më vonë pranimi i të drejtave të plota, por mos ta humbim tash shansin për tërheqjen e shortit të kampionatit 2010, që mbahet në Austri. Nëse hyjmë në short më 18, atëherë do të jemi pjesëmarrës, nëse jo, atëherë e humbim shansin, sepse ndahen grupet. E nëse nuk parashikohesh në ato grupe, atëherë nuk je pjesë e tyre. Për atë, kam kërkuar me këmbëngulësi që të jemi pjesë e 18 prillit”, tha Devaja.

Megjithëkëtë, shton zoti Devaja, pjesëmarrja e përfaqësueses kosovare të hendbollit në kampionatin evropian në Austri më 2010, ende mbetet e rrezikuar, për shkak të pengesave, siç i quan ai, me prapavijë politike.

“Tani nuk është në pyetje Serbia. Serbinë nuk e pyet askush. Tani është në pyetje Rusia, sa po mund të kuptoj unë përmes kanaleve të mia. Domethënë, Rusia bën presion. Frikësohen se mos po i bie shorti Rusisë të luajë me Kosovën dhe Rusia pasi që nuk e ka pranuar, nuk pranon të zhvillojë as ndeshje me Kosovën. Prandaj, do t’i krijojë probleme federatës evropiane, e cila u frikësohet këtyre gjërave, pasi që ka përvojë nga e kaluara, nga shtetet jugosllave”, tha Devaja.

Pavarësisht nga pengesat eventuale, Federata e Hendbollit të Kosovës, sipas zotit Devaja, do të jetë këmbëngulëse në insistimin e saj pranë Federatës Evropiane të Hendbollit që Kosova të marrë pjesë në kampionatin evropian të vitit 2010.

“Në një shkresë që kam shkruar tash, që të jemi pjesë e shortit, kam qenë bukur i ashpër, u kam thënë se këto janë vendime politike dhe deri kur federata e hendbollit evropian merret me vendime politike dhe dëgjon shtetet që nuk ia duan të mirën, që merren me politikë e nuk ia duan të mirën hendbollit, gjegjësisht sportit. Prandaj, unë jam në pritje dhe vërtet nuk kam asnjë arsye që të mos jem optimist; për atë edhe po shkoj atje të shoh se çka ka ndodhur dhe çka mund të ndodhë”, tha Devaja.

Sidoqoftë, deri më tash Federata e Hendbollit të Kosovës është anëtare me të drejta të kufizuara në Federatën Evropiane të Hendbollit, por është ndër federatat sportive të pakta të Kosovës, e cila është pranuar në mekanizmat gjegjës evropianë.


  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG