Ndërlidhjet

logo-print

Clinton dhe Obama përballen në një debat televiziv

  • Jeremy Brandstein

Hillary Clinton dhe Barack Obama gjatë debatit televiziv, 16 prill 2008.

Hillary Clinton dhe Barack Obama gjatë debatit televiziv, 16 prill 2008.

Dy kandidatët për nominim e Partisë Demokratike për president të Shteteve të Bashkuara, senatorja Hillary Clinton dhe senatori Barack Obama, janë ballafaquar në një debat televiziv para zgjedhjeve në Pensilvani, që konsiderohen shumë të rëndësishme. Votimet në Pensilvani janë pothuajse vendimtare për senatoren Hillary Clinton, e cila, sipas hulumtimeve të opinionit, është favorite në këtë garë.


Pas një pushimi prej 6 javësh në zgjedhjet partiake për nominim presidencial në Shtetet e Bashkuara, zgjedhësit në Pensilvani po përgatiten për të votuar të martën për njërin prej dy kandidatëve demokratë, që do të garojë në nëntor kundër kandidatit republikan, John McCain për postin e presidentit amerikan.

Me 12 milionë banorë, Pensilvania është shteti i 6-të për nga numri i popullsisë në Shtetet e Bashkuara, prandaj zgjedhjet në këtë shtet kanë rëndësi të madhe.

Në debatin e mbrëmshëm televiziv, senatorja Hillary Clinton e portretizoi vetveten si mbështetëse të madhe të klasës punëtore, të banorëve të qyteteve të vogla dhe të votuesve të moshuar, ndërsa rivalin e saj, Barack Obama, e paraqiti si një intelektual urban, që nuk ka kontakte me njerëzit e rëndomtë.

Ajo bëri komente lidhur me deklaratat aktuale të zotit Obama, se shumë votues në qytetet e vogla të Amerikës "vuajnë" për shkak të kohërave të vështira ekonomike dhe gjejnë ngushëllim në armë dhe religjion.

"Nuk besoj se gjyshi ose babai im, ose shumë njerëz, të cilët kam pasur privilegjin t’i njoh dhe t’i takoj në mbarë Pensilvaninë, gjatë shumë viteve, gjejnë prehje në religjion, kur Uashingtoni nuk i dëgjon. Mendoj se ky është moskuptim fundamental i rolit të fesë dhe besimit në kohë të mira dhe të këqija. Unë, po ashtu, nuk mendoj se njerëzit gjejnë prehje në traditat e tyre, siç janë gjuetia dhe armët edhe kur ata janë të frustruar me qeverinë. Unë, thjesht, nuk besoj se njerëzit në këtë mënyrë e jetojnë jetën e vet", tha Hillary Clinton.

Senatori Obama u përpoq t'i mbrojë komentet e veta, ashtu siç ka bërë gjatë disa ditëve të fundit.

"Njerëzit tash po kalojnë nëpër kohë shumë të vështira dhe ne po e shohim këtë në gjithë vendin. Dhe, ajo ishte e vërtetë edhe përpara vështirësive ekonomike, që filluan me krizën e shtëpive. Ky është zgjerimi i parë ekonomik, që ne e përfunduam, e në të cilin të ardhurat e njerëzve të rëndomtë u ulën kur u bë harmonizimi për inflacion, në të njëjtën kohë kur çmimet prej përkujdesjes mjekësore e deri në naftë janë rritur shumë. Qëllimi im është të tregoj se kur njerëzit ndjejnë se Uashingtoni nuk po i dëgjon ata. Megjithëqë kanë dëgjuar premtime me vite dhe dekada me radhë, se situata e tyre ekonomike po ndryshon, e ajo nuk ka ndryshuar, atëherë politikisht ata përfundojnë duke u fokusuar në gjërat që janë të përhershme, siç është feja", tha Barack Obama.

Si zoti Obama, ashtu edhe zonja Clinton, folën edhe për të ashtuquajturit "super delegatë", që janë liderë kombëtarë dhe rajonalë të Partisë Demokratike.

Tashmë duket se pavarësisht se çka ndodh në Pensilvani dhe në zgjedhjet e tjera brenda-partiake për nominim, matematikisht është e pamundur që ndonjëri prej kandidatëve ta fitojë shumicën e delegatëve në Konventën që mbahet në muajin gusht, e ku do të zgjidhet kandidati i Partisë Demokratike që do të ballafaqohet me republikanin John McCain në nëntor.

Pra, nëse ndonjëri prej kandidatëve nuk tërhiqet vetë nga gara, kjo do të thotë se u mbetet "super delegatëve" që të vendosin.

Senatorja Clinton shpreson se ajo do ti bindë “super delegatët” me paraqitjen e saj në Pensilvani, se ajo do të jetë kandidate më e mirë që të ballafaqohet me John McCainin, sesa Barack Obama.

Por, kur në debatin e mbrëmshëm iu shtrua pyetja se a mendon se Obama do t’i shkaktonte disfatë republikanit McCain nëse ai nominohet, ajo pranoi se zoti Obama mund të fitojë.

"Po, po. Tash mendoj se unë mund të bëj punë më të mirë. Është e qartë pse jam këtu. Mendoj se jam më e aftë dhe më mirë e përgatitur; në masë të madhe edhe për shkak të asaj nëpër të cilën kam kaluar dhe që kam punuar dhe rezultatet që i kam arritur për njerëzit dhe për koalicionin që e kam bashkuar në këtë fushatë", tha Clinton.

Adresa e Shtëpisë së Bardhë në Uashington është 1600 Pensilvania Avenue. Rezultatet e zgjedhjeve në Pensilvani mund të ndihmojnë në përcaktimin se kush do të banojë në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar të vitit 2009.
XS
SM
MD
LG