Ndërlidhjet

Tërmkolli: Udhëheqja aktuale po degradon LDK-në


Melihate Tërmkolli
Melihate Tërmkolli

“Paraqitja edhe e raportit 100 ditësh, edhe e programit qeverisës për një ditë, është absurditet”, thotë deputetja nga LDK-ja Melihate Tërmkolli. Ajo e quan programin e Qeverisë si një përpjekje e dështuar për kopjim nga programet e qeverive tjera.


RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Tërmkolli, Qeveria e Kosovës paraqet nesër në Kuvend raportin 100 ditësh, si dhe programin qeverisës. Si e vlerësoni ju punën e deritashme të Qeverisë, pjesë e së cilës është edhe subjekti juaj politik?

MELIHATE TËRMKOLLI
Së pari, mendoj se është absurditet që në të njëjtën ditë të paraqitet edhe një lloj raporti që e kanë quajtur më shumë informata për punën 120 ditëshe të Qeverisë, të cilin unë së paku nuk e kam marrë, dhe së dyti, pas tre muajve, të paraqitet programi i Qeverisë. Unë mendoj se pavarësisht asaj se a është LDK--ja pjesë e koalicionit a jo, ne do të flasim si institucion.

Mendoj se ka probleme rreth këtij programi edhe në planin procedural, por edhe në aspektin përmbajtjesor. Është tepër i vonuar dhe arsyetimet e kryeministrit se paraqitja e këtij programi është vonuar për arsye të procesit të pavarësisë së Kosovës, mendoj se janë arsyetime shumë banale, janë joserioze dhe të papranueshme.

Kjo klasë politike pra, deri tani, ka qenë më tepër aktor, sesa faktor i finalizimit të procesit të pavarësisë së Kosovës. Madje, kur është kërkuar ndonjë përgjegjësi prej tyre, qoftë në procesin e bisedimeve apo më vonë, gjithnjë janë arsyetuar se çështja e pavarësisë është në duar të ndërkombëtarëve. Dhe, kjo ia merr këtë adut kryeministrit për të folur ashtu siç flet.

Me këtë lidership, vështirë se do të bëhej finalizimi i pavarësisë. Është fat i madh që janë bërë punë dhe veprime shumë më herët dhe kështu çështja e procesit të pavarësisë ka hyrë në binarët e vet dhe të rrugës së vet për t’u realizuar. Mendoj se kjo qeveri, të gjitha çështjet më esenciale i ka pasur të gatshme nga qeveria paraprake. Mendoj se pjesën më të madhe të ligjeve e ka pasur të gatshme, në veçanti ato që lidhen me dokumentin e Ahtisaarit. Po ashtu, edhe ligjet tjera që janë të rëndësishme, shumë nga to edhe ligje organike. Ka pasur të gatshme edhe çështjen e transferimit të kompetencave te institucionet e Kosovës nga grupet punuese që kanë punuar një kohë të gjatë. Kanë pasur po ashtu të gatshme shumë projekte që i ka lënë të gatshme qeveria e kaluar; mund të përmend regjistrimin e popullsisë e të tjera, që janë bërë të gjitha përgatitjet dhe janë të gatshme për t’u finalizuar. Dhe, në planin përmbajtjesor, mendoj se është një përpjekje e dështuar për kopjim të programeve të qeverive të tjera; është më shumë një program përshkrues sesa një program i mirëfilltë që bën planet mes dëshirave dhe mundësive të realizmit.

RADIO EVROPA E LIRË
Të kalojmë te zhvillimet tjera. LDK-ja gjendet në fazën e reformimit, përderisa nga mbledhja e djeshme është thënë se LDK-ja synon të marrë sërish primatin në skenën politike. Ju jeni ndër emrat brenda këtij subjekti që keni shfaqur haptas pakënaqësinë me zhvillimet brenda LDK-së. Ku qëndron problemi me këtë parti?

MELIHATE TËRMKOLLI
Mendoj se ajo që është thënë dje si proces reformimi, më tepër është fshehje e përpjekjeve për reformim, sesa realisht ndonjë përpjekje e mirëfilltë për reformimin e LDK-së. Që dy vjet, LDK-ja ka pësuar defaktorizimin në masën e palejueshme. Udhëheqja e ngushtë politike për interesa personale dhe grupore ka degraduar dhe ka devalvuar idenë e LDK-së dhe kjo udhëheqje e ka dëmtuar rëndë identitetin e LDK-së.

Është e qartë se në LDK duhen reforma, por duhen reforma serioze, duke hyrë në zgjedhje, dhe si të tilla unë dua të besoj se do të realizohen. Përndryshe, nëse vazhdohet jo veç me këtë ritëm, por edhe me këtë mënyrë të konceptimit të reformës në LDK, kam frikë se gjërat nuk do të shkojnë ashtu si duhet.

RADIO EVROPA E LIRË

Folët për grupime në LDK, ndërkohë që edhe emri juaj është lakuar si një nga personat që bën pjesë në atë që është quajtur grupim i ish-ministrave. Sa në të vërtetë do të mund ta kthejë LDK-ja primatin, siç është thënë, nëse ka ndarje të tilla?

MELIHATE TËRMKOLLI
Kur fola për grupimet, mendova në udhëheqjen e ngushtë të LDK-së, në atë që quhet kryesi e kryesisë. Unë nuk jam pjesë e asnjë grupimi në këtë drejtim. Unë jam pjesë e LDK-së dhe politikës që ka prezantuar dhe zhvilluar në mënyrën e shkëlqyeshme presidenti Rugova.

RADIO EVROPA E LIRË
Me Kushtetutën e re, kryetari i vendit nuk mund të jetë edhe kryetar i ndonjë subjekti politik. Marrë parasysh këtë, kur priten zgjedhjet brenda subjektit tuaj politik?

MELIHATE TËRMKOLLI

Në bazë të kësaj që po shihet, do të jetë një devalvim i procesit nga ajo çfarë ka projektuar kjo kryesi e kryesisë, një devalvim i procesit të reformimit që lidhet edhe me zgjedhje në LDK. Ka një demagogji të madhe nga anëtarë të caktuar; ta zëmë, nënkryetari i parë i LDK-së nuk e sheh si çështje problematike çështjen e pozitave në dy vende të presidentit të vendit, përderisa nuk ka lënë gur pa lëvizur që këtë t’ia mohonte presidentit Rugova.

Unë mendoj se ka një mungesë sinqeriteti minimal në punën e tyre dhe kjo do të jetë një problem i madh për LDK-në.

RADIO EVROPA E LIRË
E quajtët disa herë Kryesinë e LDK-së – Kryesi të Kryesisë. Çka nënkuptoni me këtë?

MELIHATE TËRMKOLLI
Po, është e vërtetë. Ajo vepron si e tillë, ajo merr vendime, qëndrime, ia prezanton kryesisë dhe pavarësisht qëndrimeve të kryesisë, ajo bën punën e vet.

RADIO EVROPA E LIRË
Kush bën pjesë në këtë Kryesi të Kryesisë?

MELIHATE TËRMKOLLI
Është e qartë, është ajo pjesa e ngushtë, kryetari, nënkryetarët, sekretari.

RADIO EVROPA E LIRË
Në zhvillimet tjera, zonja Tërmkolli, si mendoni se duhet të përgjigjen institucionet vendore dhe ndërkombëtare ndaj tendencave për të mbajtur zgjedhjet lokale serbe në Kosovë?

MELIHATE TËRMKOLLI
Mendoj se çështja e zgjedhjeve serbe është problemi më serioz në Kosovën e pavarur, në kohën kur është shpallur pavarësia e Kosovës dhe ka pasuar njohja ndërkombëtare e vendit tonë. Ne kemi parë deklarata verbale të Qeverisë dhe një sjellje të pakuptimtë të UNMIK-ut në këtë drejtim. Mendoj se Qeveria duhet të ketë një plan rreth kësaj çështjeje dhe ta hartojë atë plan në koordinim me të gjithë faktorët relevantë në Kosovë dhe rreth Kosovës.

Mendoj se Qeveria duhet të marrë një vendim dhe një plan konkret të veprimit. Deklarimi i Qeverisë se zgjedhjet serbe janë të papranueshme dhe deklarimi i fundit i UNMIK-ut se nëse mbahen ato zgjedhje, do të anulohen, unë mendoj se nuk kanë asnjë domethënie. Mund të jenë deklarata verbale të pafund dhe të mos kenë domethënie reale. Çështja është se këto zgjedhje duhet të pengohen. Duhet të mos lejohet mbajtja e tyre në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të pengohen?

MELIHATE TËRMKOLLI
Duhet të merren të gjitha masat që mos të lejohet mbajtja e tyre në Kosovë. Unë mendoj se mund të bëhet një gjë e tillë. Janë mekanizmat institucionalë sikur në çdo shtet të pavarur, që për veprimet e palejueshme, anti-kushtetuese dhe veprimet që cenojnë integritetin e vendit, të merren masa adekuate.

Në këtë prizëm, unë mendoj se kjo është një shkelje e rëndë e statusit të vendit si i pavarur dhe si e tillë nënkupton ndërmarrjen e masave kushtetuese.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, çka do të pasojë në rast të mbajtjes eventuale të zgjedhjeve serbe në Kosovë?

MELIHATE TËRMKOLLI
Nga praktika e deritanishme e UNMIK-ut, shihet që ka bërë lëshime të palejueshme dhe të patolerueshme. Po të mos ishin këto lëshime, ne nuk do ta kishim gjendjen sot as në veriun e vendit dhe as në pjesët tjera. Por, mendoj se ka munguar edhe një vendosmëri e institucioneve të Kosovës. Në vazhdimësi dhe në veçanti, do të thosha se edhe tani kjo është e shprehur.

Unë mendoj se do të jetë vërtet një problem serioz nëse ato zgjedhje do të mbahen, pavarësisht anulimit të tyre. Nisur nga praktikat e mëhershme, do të thotë serbe, për ta ato do të konsiderohen si një fakt i kryer pavarësisht anulimeve dhe do të paraqesin një problem shumë të madh të funksionimit jo veç të institucioneve të Kosovës, por edhe të cenimit të territorit, edhe probleme tjera funksionale.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo edhe zyrtarizim i strukturave paralele?

MELIHATE TËRMKOLLI
Në njëfarë mënyrë po, për të mos thënë edhe një lloj ndarjeje, siç po i thonë, e butë.
XS
SM
MD
LG