Ndërlidhjet

Pozita lavdëron qeverinë, opozita i quan 100 ditë të dështuara


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Opozita në Kosovë kritikon qeverinë për mungesë të rezultateve të punës gjatë 100 ditëve të para të saj. Ndërkaq, partitë në pushtet thonë se kanë punuar më shumë se çdo qeveri e deritashme. Debati për punën e qeverisë pritet të bartet nesër edhe në seancën plenare të Kuvendit.


Pozita dhe opozita në Kosovë ndajnë mendime krejtësisht të kundërta lidhur me rezultatet e punës gjatë 100 ditëve të para të Qeverisë së Kosovës. Ndërsa partitë në pushtet thonë se angazhimet e qeverisë në çështjen e statusit kanë qenë arsye që disa çështje tjera që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve kanë mbetur anash, por premtojnë se këto projekte do të zhvillohen në të ardhmen, partitë opozitare vlerësojnë se qeveria nuk ka treguar fare rezultate. Sidoqoftë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili është dhe deputet i PDK-së, vlerëson se qeveria e tashme ka arritur më shumë rezultate për 100 ditë, sesa secila qeveri e deritashme.

“Nëse i marrim e krahasojmë 100 ditë të kësaj qeverie me punën e cilësdo qeveri demokratike të një vendi modern, besoj se rezultatet janë të prekshme. Nëse shkoni nëpër ambiente të Kosovës dhe nëse e sheh opinionin publik përballë qeverisë së Kosovës dhe nëse e sheh jetën e përditshme të qytetarëve, mendoj që këto 100 ditë kanë lënë shenja pozitive në jetën politike, institucionale të qytetarëve të Kosovës”, vlerëson Kuçi.

Ndryshe nga Kuçi, nënkryetari i AAK-së, Bajram Kosumi, vlerëson se qeveria është marrë vetëm me gjëra të imta dhe jo me politika që kanë të bëjnë me zhvillimin e projekteve madhore.

“Në fakt kjo qeveri i ka harxhuar energjitë e veta në dy çështje kryesore. Nën një, në krijimin e imazhit për vete se është një qeveri që punon, e që po ta përkthesh është marketing, dhe çështja e dytë që kjo qeveri ka harxhuar energji, janë cikrrimet. Me kryeministër, me ministra, me të gjithë, janë marrë me cikërrime, janë marrë me çështje të çelësave të veturave, me lista në sa ora hyjnë punëtorët e në sa dalin prej punës”, thotë Kosumi.

Ndërkohë, partneri i PDK-së në qeveri, Lidhja Demokratike e Kosovës, konsideron se qeveria ka punuar mjaft shumë, krahasuar me angazhimet që kishte në çështjen e përmbylljes së statusit. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se pret që qeveria tash të kalojë nga agjenda e statusit në realizimin e projekteve madhore të zhvillimit të gjithmbarshëm në Kosovë.

“Mendoj që qeveria ka bërë punë të mëdha, por ka lënë anash çështjet e ditës, çështjet që kanë të bëjnë me angazhimet ditore, por çdo qeveri në 100 ditët e para merret me vetveten. Nëse kombinohet koncentrimi i qeverisë në procese të mëdha dhe angazhimi në riorganizim të brendshëm që përfshin buxhetin, prioritetet dhe detyrat tjera, është tregues i qartë për një fillim të suksesshëm”, pohon Haziri.

Në anën tjetër, nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Makolli, thotë se Qeveria Thaçi nuk ka treguar as rezultatin e vetëm në punën e saj. Makolli thotë se e ka shumë vështirë të gjejë të paktën një rezultat pune të kësaj qeverie.

“Edhe pse i takoj opozitës, do të isha shumë i lumtur nëse sot do të mund të numëroja të arriturat e qeverisë, sepse kanë të bëjnë me jetën tonë të përditshme. Madje, në disa sfera të jetës është shënuar kthim prapa dhe mund të thuhet se ky 100 ditësh, sa i përket veprimit të qeverisë, mund të llogaritet si i humbur”, thotë Makolli.

Në seancën e nesërme plenare, kryeministri dhe Qeveria e Kosovës pritet të paraqesin një informatë pune për 100 ditët e para dhe programin qeverisës. Nënkryetarja e LDD-së, Besa Gaxherri, thotë se ky program që ka ofruar kjo qeveri, nuk meriton të marrë përkrahjen e legjislativit.

“Vërtet në qoftë se duam të debatojmë për programin e qeverisë, në atë program nuk ka asgjë, nuk ka çka të debatohet, nuk do të duhej të aprovohet. Por, fatkeqësisht, matematikisht pozita është me numra të mjaftueshëm, e di që do të aprovohet, por është një program që nuk ka asgjë, nuk thotë asgjë. Është një përshkrim i gjendjes aktuale dhe një ëndrrim se si është dashur të jetë apo si do të dëshironim që të jetë Kosova”, vlerëson Gaxherri.

Ndryshe, bazuar në premtimet që kryeministri Thaçi i ka dhënë në ekspozeun e tij para Kuvendit më 9 janar, në ditën e formimit të qeverisë, ai pati premtuar se gjatë qeverisjes së tij, Kosova do të gëzojë një zhvillim ekonomik të mbështetur edhe nga institucionet monetare ndërkombëtare, se do të ketë ulje taksash për bizneset, ulje të TVSH-së, se do të ketë rrymë 24 orë, se do të ketë reforma në arsim, mirëqenie sociale dhe një përkujdesje më të mirë për kategoritë e rrezikuara të shoqërisë, e deri te premtimi se Kosova do t’i ketë autostradat e saj që do ta lidhin Kosovën me rajonin dhe Evropën.

XS
SM
MD
LG