Ndërlidhjet

“Ruecker: Nuk do lejoj zgjedhje serbe”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
LAJM
Mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe është e papranueshme për UNMIK-un. Kjo është pika kryesore e letrës me të cilën kreu i UNMIK-ut, Joachim Reucker, i është përgjigjur Qeverisë në Beograd, përkatësisht ministrit serb për Kosovën, Slobodan Samarxhiq. Letra e dërguar të mërkurën, më 16 prill, një kopje të së cilës e ka siguruar "Lajm", i shpjegon ministrit serb se pse mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe është e papranueshme për UNMIK-un. "Ne kemi bërë të qartë në letrën e 10 prillit se organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në territorin e Kosovës nuk do të jetë konsistente me mandatin dhe autoritetin e UNMIK-ut, në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe nuk mund të lejohen. Brenda Kosovës zgjedhjet mund të thirren vetëm nga UNMIK-u", thuhet në letrën e Rueckerit…

INFOPRESS
Tendenca për mbajtjen e zgjedhjeve serbe edhe në Republikën e Kosovës ka ngjallur edhe reagimin e institucionit më të lartë të Kosovës. Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, të enjten, deputetët kërkuan që të reagohet rreth këtyre zgjedhjeve nëpërmjet një deklarate, dukee kundërshtuar kështu mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë. Ligjvënësit, po ashtu, kërkuan që nëpërmjet kësaj deklarate të kërkohet nga UNMIK-u që të ndalojë mbajtjen e këtyre zgjedhjeve... Kërkesa, e cila u mbështet nga të gjitha grupet parlamentare, është vlerësuar si e nevojshme dhe racionale, ndërkaq për vënien e një deklarate të tillë që kundërshton zgjedhjet lokale serbe në Kosovë, ka mbetur që të vendosë Kryesia e Kuvendit. Megjithëse e ka cilësuar si çështje të rëndësishme, kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se nuk është urgjente, prandaj ka kërkuar ndjekjen e procedurave përkatëse parlamentare për procedimin e kësaj çështjeje...

KOHA DITORE

Qeveria e Serbisë ka vendosur të enjten se do ta shpërfillë kundërshtimin e UNMIK-ut dhe do të mbajë, megjithatë, zgjedhjet lokale në Kosovë. Administrata ndërkombëtare në Kosovë, ndërkohë, kundërshton mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, por nuk shpreh ndonjë mekanizëm, me të cilin do t'i bllokonte ato. Ministri i Tregtisë dhe i Shërbimeve i Serbisë, Predrag Bubalo, ka theksuar të enjten se ende janë duke u zhvilluar bisedime mes UNMIK-ut dhe Beogradit për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, por ka shtuar se, pavarësisht nga këto bisedime, Serbia është e prerë t'i mbaje zgjedhjet lokale edhe në Kosovë. "Vendimin e kemi marrë njëzëshëm dhe nuk kemi kurrfarë dilemash rreth zgjedhjeve", ka theksuar Bubalo, në një konferencë shtypi në Beograd, transmeton agjencia e lajmeve FoNet. Të enjten, ka vazhduar, ndërkaq, korrespodenca e UNMIK-ut me Beogradin lidhur me zgjedhjet. Serbia më 11 maj do t'i ketë zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale, ndërsa zyrtarë në Beograd kanë ngulur këmbë që t'i mbajnë zgjedhjet, përfshirë ato lokale, edhe në Kosovë. Sipas tyre, nëpërmjet këtyre zgjedhjeve do të përpiqen të tregojnë se "Kosova është tokë serbe"...

EPOKA E RE

Komisionari evropian, Oli Ren, ka deklaruar të enjten në Bruksel se "Ballkani Perëndimor do të ketë ardhmëri të ndritshme në Bashkimin Evropian, në qoftë se tejkalohen çështjet e zgjidhjes përfundimtare të statusit të Kosovës dhe sendërtohet qëndrueshmëria demokratike në Serbi". Duke folur më tutje për Kosovën, komisionari evropian ka thënë se "përcaktimi i Kosovës për shoqëri demokratike dhe shumetnike është gdhendur në kushtetutën e miratuar kohë më parë". "Bashkimi Evropian mbështet Kosovën që të qëndrojë në këmbët e veta dhe dëshiron që t'i ndihmojë Kosovës që ajo t'i ndihmojë vetvetes. Ky edhe është caku i programit tonë ekonomik dhe shoqëror, e kjo është edhe detyrë e Misionit të Bashkimit Evropian, EULEX, të vendosur në Kosovë”, ka shpjeguar Ren...

EXPRESS
Hashim Thaçit iu besua roli kryesor në skenën e shpalljes së pavarësisë. Shijoji fotografitë më të mira të karrierës, në botë, si përfaqësues i Kosovës. Brenda, ai u transformua, pa skenar, nëpër rolin e heroit, liderit popullist dhe shijuesit të thartësirës së realizmit të pushtetit. Pas 100 ditësh, Kryeministri hyn në ngjarjen e vërtetë. Kjo ndodhi në Kosovë në të kaluarën e afërt. Ishte një ngjarje që do të mbahet mend dhe për të cilën mund të shkruhet shpesh... Prova e tij e parë e suksesshme zhvillohet në Lipjan, ku një skenë e dhuratës me traktorin për serbin Sllavisha bëhet gjest i prekshëm. Tashmë Hashim Thaçi ka kërkuar me ngulm dhe ka marrë rolin kryesor në skenën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pas një procesi të gjatë sakrificash, negociatash dhe pritjesh. Është i dëgjueshëm ndaj diplomatëve të huaj, e di se gjithçka do të përfundojë mirë me mbështetjen e tyre dhe është admirues i kamerave. Hashim Thaçi ka vetëm një hall - në mos stabiliteti do ta dëshpërojë?...

ZËRI
Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) ka mirëpritur progresin e Republikës së Kosovës, të bërë në dy muajt e funksionimit si shtet i pavarur, ndërkohë që ka lavdëruar liderët e Kosovës, të cilët "kanë treguar pjekuri dhe largpamësi". I mbledhur në Vjenë për herë të dytë brenda dy muajve, ISG është deklaruar qartë kundër mbajtjes së zgjedhjeve lokale të Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe ka përjashtuar mundësinë e ndarjes etnike të Kosovës. Shumica e shteteve që aktualisht kanë njohur shtetin e Kosovës janë anëtare të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i cili drejtohet nga shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Feith... "Grupi Drejtues Ndërkombëtar do të bëjë gjithçka që është e mundur që ky progres të jetë i qëndrueshëm", ka thënë Shefi i Zyrës Ndërkombëtare Civile, Pieter Feith pas takimit të djeshëm, duke shtuar se Grupi mirëpret edhe miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila, sipas tij, përmbush standardet më të larta të të drejtave të njeriut dhe ofron mbrojtje të gjerë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë...

KOSOVA SOT
Partitë opozitare thonë se Qeveria nuk ka çka të raportojë në Kuvend për 100 ditët e qeverisjes. Duke përdorur numrat që ka, koalicioni qeverisës do ta miratojë Programin që ka paraqitur, i cili, sipas tyre, nuk i përgjigjet nevojave që ka vendi për stabilitet, zhvillim ekonomik dhe integrim në strukturat euro-atlantike. Forcat politike opozitare janë shprehur me tone kritike lidhur me seancën e së premtes të Kuvendit, për të cilën theksojnë se është e ngarkuar qëllimisht për të mos dhënë rezultatet e duhura. Gjatë kësaj seance është paraparë që legjislativit t'i drejtohet kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili do të paraqesë punën 100 ditëshe të qeverisjes, së bashku me programin tashmë të bërë publik. Po ashtu, ata kanë kritikuar Qeverinë, pasi, siç thonë, nuk ka dorëzuar materialin e duhur për punët që kanë bërë gjatë 100 ditëve të qeverisjes...

NACIONAL
Politikanët kosovarë janë të kënaqur me numrin e 37 shteteve që e kanë njohur formalisht pavarësinë e Kosovës. Me gjithë ngecjen e këtij procesi, ata flasin për një numër të madh të njohjeve që ka marrë Kosova me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Për çudi, shqetësues ka qenë për dikë krejt tjetër që nuk është shqiptar. Komandanti i lartë i NATO-s për Evropë, Bantz Cradock, para disa ditëve kishte shfaqur shqetësimin e tij për shkakun se shumë pak vende anëtare të NATO-s e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës. "Vetëm 34 vende e kanë njohur Kosovën, kjo është pak shqetësuese", kishte thëne Cradock gjate një paraqitjeje në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, një javë para shpalljes, kishte thënë se mund të konfirmojë se rreth 100 shtete po bëjnë garë për ta njohur shpalljen e pavarësisë, menjëherë pasi që Kuvendi i Kosovës ta nxjerrë deklaratën e pavarësisë....

BOTA SOT
Ne një komunikim për shtyp, zëdhënësja e Kryeministrit të Shqipërisë, zonja Juela Meçani, bëri te ditur se Presidenti i Shteteve te Bashkuara të Amerikës, George W. Bush, i ka dërguar një mesazh të përzemërt kryeministrit Berisha, me rastin e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO. Në këtë mesazh thuhet: I dashur Sali! Faleminderit Miku im që erdhe në Zagreb. Më shijoi dreka jonë dhe me të vërtetë u gëzova tek ju këqyrja Ju, pas pranimit tuaj në NATO,në Rumani. Urime për punën Tuaj të mirë që keni bërë! Me urimet më të mira për Ju dhe familjen Tuaj. Sinqerisht George W. Bush"... Edhe presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka marrë sot një mesazh nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W.Bush, në të cilin shprehen urimet dhe krenaria për marrjen e ftesës nga Shqipëria, për t'u anëtarësuar në Aleancën e Atlantikut Verior...


XS
SM
MD
LG