Ndërlidhjet

Qytetarët për 100 ditët e qeverisë


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Për të arriturat e Qeverisë së Kosovës gjatë 100 ditëve të para, qytetarët thonë se nuk janë shumë të kënaqur. Por, ka edhe të atillë që thonë se është punuar mjaft gjatë asaj periudhe kohore.


Qeveria e Kosovës duhet të punojë edhe më shumë për t’i realizuar premtimet e dhëna, thotë Kemajl Sadriu.

“Ka shumëçka për t’u bërë; kemi pritur shumë më shumë për t’u bërë. Fillime ka, mirëpo perioda do ta arsyetojë punën e tyre. Do të thotë, nuk jam prej atyre që trumbetojnë për shkëlqimin e punës së tyre. Kanë obligim shumë të madh para popullit”, thotë Sadriu.

Ndërsa, Rifat Dragusha thotë se deri më tash nuk ka parë ndonjë rezultat tjetër veç zgjidhjes së statusit të Kosovës.

“Puna e Qeverisë së Kosovës nuk ka ndonjë rezultat. Tash statusi është zgjidhur, shpresoj se qeveria duhet t’u kthehet aktiviteteve konkrete”, shpreh mendimin Dragusha.

Nazife Tahiri thotë se deri më tash është punuar mjaft, por jo në atë nivel sa është pritur.

“Nuk di çka të them, mirë deri diku, por mund të jetë edhe më mirë. Nuk jemi të kënaqur me punën e tyre. Ndoshta do të bëhet mirë”, shprehet Tahiri.
Sheshi Nënë Tereza në Prishtinë


Hamit Berisha thotë se Qeveria e Kosovës ka bërë shumë punë brenda 100 ditëve të kaluara dhe, sipas tij, suksesi më i madh është pavarësia e Kosovës.

“Qeveria 100 ditëshe është shumë e suksesshme. Ka dhënë jashtëzakonisht mjaft kontribut për këtë kohë. Po shihet vetë, ka zgjedhur organet institucionale që janë të vlefshme. Rryma është stabilizuar. Domethënë, pavarësinë e kemi fituar për këtë kohë, duke iu falënderuar Hashim Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Na ka njohur bota dhe do të na njohë tash e tutje. Do të thotë, është jashtëzakonisht qeveri efikase”, thotë Berisha.

Por, Qëndresa Azemi konsideron se qeveria nuk është duke punuar sa duhet, por thotë se duhet pritur edhe pak kohë.

“Deri më tash, sipas mendimit tim, po më duket se asgjë nuk kanë bërë, edhe pse kemi pritur prej tyre më shumë. Mirëpo, askund nuk janë me asgjë, sipas mendimit tim. Tash po shpresojmë edhe dy deri në tri vjet... Nuk dimë se kujt t’ia japim votën, se jemi ftohur totalisht”, shprhet zonja Azemi.

Por, Driton Sylejmani thotë se është i kënaqur me punën 100 ditëshe të qeverisë.

“Shumë mirë është duke shkuar, veç le të vazhdojnë më këta hapa. Unë jam shumë i kënaqur. Të ndalohet edhe pak korrupsioni dhe të punohet më tepër në çështjet ekonomike”, thotë Sylejmani.

Edhe Hamit Xhelali mendon ngjashëm.

“Për 100 ditë, qeveria ka arritur sukses të mjaftueshëm. Së pari kanë shpallur pavarësinë, ekonomia ka nisur të zhvillohet dhe pres edhe më shumë”, shprehet Xhelali.
XS
SM
MD
LG