Ndërlidhjet

logo-print

Braktisja e shkollave alarmante



Vetëm gjatë vitit 2007- 2008, rreth 10 mijë nxënës kanë braktisur bankat shkollore, ende pa përfunduar viti shkollor. Këto janë statistikat e fundit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, edhe pse zyrtarë të kësaj ministrie ende shpresojnë se këto shifra deri në fund të vitit mund të ndryshojnë për të mirë.

Nehat Mustafa, këshilltar në Ministrinë e Arsimit, megjithatë, thotë se këto shifra janë alarmante. Ai thotë se nëse ky fenomen krahasohet me vitin 2004, atëherë rezulton se trendi i braktisjes së shkollës është dyfishuar. Sipas statistikave të kësaj ministrie, gjatë vitit shkollor 2004 – 2005, numri i nxënësve që kanë braktisur shkollën ka qenë përafërsisht 5000 mijë nxënës.

“Për vitin shkollor 2007 – 2008, në gjysmëvjetorin e parë, kjo dukuri jo vetëm se nuk ka rënë, por ka vende që është rritur. Vetëm në Komunën e Gjakovës, kemi 392 nxënës, të cilët konsiderohen se e kanë braktisur shkollën në gjysmëvjetorin e parë”, thotë Mustafa.

Nehat Mustafa thotë se në shumicën e rasteve, nxënësit e braktisin shkollën në nivelin e dytë. Ai thotë se përderisa më herët shkollën më shumë e kanë braktisur femrat, tash, në shumicën e rasteve, meshkujt janë ata që largohen nga shkolla, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike.

“Hulumtimet tregojnë se janë disa arsye. Një arsye është se të rinjtë nuk po shohin perspektivë. Arsye tjetër është kriza ekonomike. Te gjinia femërore, si arsye po përmendet udhëtimi, sidomos është fjala për komunat që kanë më shumë territore rurale dhe udhëtimet janë të gjata”, thotë Mustafa.

Por, Arbena Kuriu, nga Fondi për Zhvillimi i Kombeve të Bashkuara, përmend edhe arsye tjera të këtij fenomeni.

“Arsyet kanë qenë nga më të ndryshmet; nganjëherë kanë qenë qëndrimet e familjes në lidhje me shkollimin e vajzës, pra qëndrimet diskriminuese ndaj shkollimit të vajzës; nganjëherë ka qenë mungesa e transportit të vajzave prej shtëpisë deri tek shkolla dhe frika e prindërve nga pasiguria në rrugë”, shprehet Kuriu.

Ministria e Arsimit me shqetësim të madh po e përcjell fenomenin e braktisjes së shkollës, thotë Nehat Mustafa, duke shtuar se tashmë ka promovuar fushatën kundër braktisjes së shkollës nga nxënësit.

“Ministra është duke menduar që seriozisht të merret me këtë problem, është në kontakte të vazhdueshme edhe me Bankën Botërore. Dhe, së bashku me Bankën Botërore, ne kemi shpallur një konkurs, ku do të konkurrojnë shoqata të ndryshme me programe të ndryshme, për ta luftuar braktisjen e shkollave”, tha Mustafa.

Ndryshe, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit, përpjekjet për ta ulur shkallën e braktisjes së shkollave nga nxënësit, do të ndikojë edhe në uljen e analfabetizmit.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG