Ndërlidhjet

logo-print

Lindholm: Mosmbajtja e zgjedhjeve në Kosovë - në interes të Serbisë


Sven Lindholm

Sven Lindholm

“Ekziston shpresa se meqë është në interes të saj, Serbia do të vendosë që të mos mbajë zgjedhjet lokale. Do të presim se çka do të ndodhë”, thotë Sven Lindholm, nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, në intervistë për Radion Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Lindholm, zyrtarët serbë, edhe pas përgjigjes negative të UNMIK-ut, janë të vendosur të mbajnë zgjedhjet në Kosovë. Cili do të jetë hapi juaj tash?

SVEN LINDHOLM
Fatkeqësisht, letra e fundit që vjen nga Qeveria serbe nuk i kontribuon zgjidhjes së problemit, që do të ishte në interesin e përbashkët - organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve legjitime në Kosovë.

Kështu që qëndrimi ynë mbetet i njëjtë, zgjedhjet lokale serbe janë në kundërshtim me Rezolutën 1244, prandaj si të tilla nuk mund të konsiderohen legjitime.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur keni pranuar letrën nga Qeveria serbe?

SVEN LINDHOLM
E kemi marrë letrën në fillim të kësaj jave dhe tashmë ia kemi kthyer përgjigjen zotit Samarxhiq.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë, pavarësisht përgjigjes suaj, Qeveria serbe po kërkon mbajtjen e zgjedhjeve këtu, si do t’i ndaloni këto zgjedhje?

SVEN LINDHOLM
Do t’i konsiderojmë si zgjedhje jovalide, sepse nuk po organizohen nga UNMIK-u dhe nuk po mbahen në kuadër të parimeve të Rezolutës 1244.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do t’i trajtoni institucionet që eventualisht do të dalin nga zgjedhjet serbe në Kosovë?

SVEN LINDHOLM
Po zgjedhjet nuk kanë ndodhur ende, kështu që ekziston shpresa se meqë është në interes të saj, Serbia të vendosë që të mos mbajë zgjedhjet lokale. Do të presim se çka do të ndodhë.

RADIO EVROPA E LIRË
A keni biseduar me serbët lokalë të Kosovës, a u është bërë i qartë atyre qëndrimi i UNMIK-ut se zgjedhjet do të jenë të paligjshme dhe cila është përgjigjja e tyre?

SVEN LINDHOLM
Mendoj se atyre u është bërë kjo shumë e qartë, përmes përgjigjeve që ia kemi dërguar Qeverisë serbe, ashtu sikurse edhe përmes mediave. Ne shpresojmë se ky mesazh është kuptuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ruecker ka propozuar shtyrjen e zgjedhjeve lokale në komunat me shumicë serbe. Kur mendoni se është koha e duhur për t‘i mbajtur këto zgjedhje?

SVEN LINDHOLM

Nuk mund të flasim për ndonjë datë për zgjedhjet e mundshme legjitime, të cilat do të bëheshin në bashkëpunim të mirë me Qeverinë serbe, por janë shumë çështje teknike, të cilat do të duhej të zgjidheshin para se të mbahen vetë zgjedhjet.

RADIO EVROPA E LIRË

Në zhvillimet tjera, si është duke ecur periudha e tranzicionit? A ka nisur UNMIK-u t’i transferojë kompetencat apo jo?

SVEN LINDHOLM
Në fakt, periudha e tranzicionit nuk ka nisur, por ne po shikojmë të rikonfigurojmë misionin dhe kjo është si reaksion ndaj realitetit politik në terren. Kjo pra është situata.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka do të bëhet me UNMIK-un pas 15 qershorit?

SVEN LINDHOLM
Tash për tash, UNMIK-u vepron në mandatin që ka më Rezolutën 1244. Nuk mund të them se çka do të bëhet pas kësaj date, por vetëm për atë se si është gjendja me UNMIK-un tani.
XS
SM
MD
LG