Ndërlidhjet

"Në rastin e Kosovës, Moska i është kthyer logjikës tipike sovjetike, përkatësisht obstruksionizmit diplomatik. Rusia do të bënte mirë nëse do ta harronte Kosovën dhe nëse do t'u ndihmonte miqve të saj në Serbi për të modernizuar ekonominë e atjeshme dhe standardin jetësor të popullit serb", thotë analisti i Radios Evropa e Lirë, Patrick Moore.


RADIO EVROPA E LIRË
UNMIK-u, i mbështetur nga Grupi i Kontaktit, ka kundërshtuar planin e Serbisë për të mbajtur zgjedhje lokale në Kosovë. Megjithatë, Beogradi mbetet i vendosur për t'i organizuar ato edhe në Kosovë. A sinjalizon kjo situatë tensionime të reja në Kosovë?

PATRICK MOORE
Fillimisht duhet thënë se këtu kemi të bëjmë me dy çështje: me zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Zgjedhjet parlamentare nuk janë problem. Për shembull, kroatët që jetojnë në Gjermani ose kudo tjetër, kanë të drejtë të votojnë për zgjedhjet parlamentare të Kroacisë.

Në rastin e Kosovës, problem janë zgjedhjet lokale të serbëve. Përmes zgjedhjeve lokale në Kosovë, Serbia dëshiron të ndërhyjë në një vend tjetër, përkatësisht në Kosovë. Në këtë rast kemi të bëjmë me një testim dhe unë nuk jam i sigurt se çfarë do të ndodhë. Ajo që e di është se Prishtina, UNMIK-u, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të njohin asnjë zyrtar serb, që do të thotë se ka siguruar mandat nga këto zgjedhje.

RADIO EVROPA E LIRË
Njëkohësisht EULEX-i është duke u ballafaquar me probleme. Ndërsa Rusia e kualifikon si "mision ilegal" dhe "gabim", ka njoftime se disa vende të Bashkimit Evropian gjithashtu janë duke shqyrtuar mospjesëmarrjen në këtë mision, derisa, siç thonë ato, "çështja e ligjshmërisë së tij" të mos zgjidhet. Si e komentoni këtë aspekt të çështjes?

PATRICK MOORE
Kjo është një dobësi fundamentale e Bashkimit Evropian dhe kjo është thënë nga politikanë të urtë, siç ishte ish – kryeministrja e Britanisë së Madhe, Margaret Thaçer. 27 vende anëtare të BE-së kanë 27 interesa të ndryshme nacionale dhe rrjedhimisht nuk mund të ketë politikë unike të jashtme dhe as të sigurisë, sepse, në fakt, Bashkimi Evropian kontrrollohet nga Franca dhe Gjermania.

Parisi, Berlini, bashkë me Londrën, Romën dhe qendrat tjera mbështesin EULEX-in dhe rrjedhimisht ky mision do të ecë përpara, pavarësisht nëse në të nuk do të marrin pjesë Spanja dhe ndonjë vend tjetër.

Pyetja esenciale është kjo – a do të presë EULEX-i miratimin nga serbët, që nuk do të vijë kurrë, para se të vendoset në veri, apo ndoshta dikush duhet ta mbështesë EULEX-in ushtarakisht në këtë qëllim dhe kush do të jetë ky?

RADIO EVROPA E LIRË
Ambasadori i Rusisë në Bashkimin Evropian, Vladimir Çizov, ka kundërshtuar fuqishëm vendosjen e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës dhe ka shtuar se "rruga e vetme për të vazhduar me procesin është vazhdimi i bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës". Çfarë do të thotë kjo?

PATRICK MOORE
Ky është obstruksion dhe Çizov e di mirë këtë. Negociatorët evropianë kanë bërë të ditur se bisedimet ishin të kota dhe rifillimi i tyre nuk ka asnjë kuptim.

Propozimi i Çizovit synon mohimin e pavarësisë së Kosovës. Këto komente të Çizovit dëshmojnë se Moska i është kyther logjikës tipike sovjetike, pra obstruksionizmit diplomatik, pa bërë asnjë propozim konkret.

Duket se Çizov pret finalizimin e kontratës me Serbinë për shitjen e monopolit të naftës NIS, për Gazpromin, pasi që zgjedhjet e majit të kenë përfunduar. Këtë marrëveshje në këtë çast e kanë bllokuar Tadiq dhe bashkëpunëtorët e tij.

Çizov do të bënte mirë nëse harron Kosovën dhe ndihmon miqtë e vet serbë, për ta modernizuar ekonominë e Serbisë nga e cila do të përfitonte i gjithë populli serb.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG