Ndërlidhjet

Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Botërore të Tregtisë



Pas shpalljes së pavarësisë, institucionet e Kosovës kanë filluar bisedimet për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Botërore të Tregtisë. Kështu thotë Naser Osmani, zëvendësministër i Tregtisë dhe Industrisë, duke shtuar se tashmë është duke u diskutuar për mënyrat dhe kriteret për anëtarësim në këtë organizatë. Osmani, ndërkaq, pohon se Qeveria e Kosovës shumë shpejt do ta dërgojë aplikacionin në këtë organizatë për anëtarësim.

“Ne jemi vetëm në hapat e parë të procedurave. Kemi marrë ekspertë që e njohin këtë lëmi dhe shpresojmë se në vijim do t'i kemi shumë të qarta procedurat dhe kushtet që duhet të plotësohen, për t'u përmbushur standardet për të qenë anëtare e barabartë e Organizatës Botërore të Tregtisë. Ne fillim, ne do të jemi vetëm vëzhgues, deri sa të plotësohen ato procedura”, thotë Osmani.

Kosova, për t'u bërë anëtare me të drejta të plota në këtë organizatë, duhet të plotësojë disa kritere. Naser Osmani thotë se një ndër kushtet kryesore ka qenë anëtarësimi i Kosovës në Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Evropën Juglindore, që njihet me emrin CEFTA. Ndërkaq, për standardet tjera të kërkuara, Ministria e Tregtisë është duke punuar me përkushtim të madh në këtë drejtim, thotë Osmani.

“Ne jemi anëtarë të CEFTA-s dhe jemi më të mirët në këtë organizatë rajonale. Fjala është për eliminimin e disa barrierave, ku ne vetëm kemi arritur rezultate të lakmueshme në këtë drejtim; është fjala për barriera doganore dhe disa kushte tjera që janë të procedurave më formale", shprehet Osmani.

Kosova përfiton nga anëtarësimi në Organizatën Botërore të Tregtisë, pasi në këtë mënyrë merr të drejtën e garancisë që eksportet e saj do të gëzojnë trajtimin e statusit të kombit më të favorizuar në të gjitha vendet e kësaj organizate, thotë Osmani.

“Rëndësia e kësaj është e një qarkullimi më të mirë të mallrave dhe bashkëpunimit doganor për tregtim të produkteve të ndryshme. E mira e gjithë kësaj është se Kosova bëhet anëtare e barabartë me të gjitha organizatat botërore që janë anëtare fuqiplotë dhe në një tregti të pakufi me produkte të ndryshme“, thotë Osmani.

Edhe ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se anëtarësimi në këtë organizatë do t'i hapë rrugë Kosovës për një zhvillim të mirë ekonomik. Ali Jakupi pohon se kjo çështje do të ketë rezultate edhe në aspektin politik.

“Së pari, përfiton se bëhet anëtare me disa shtete që i kanë disa benificione. Ka mundësi që të plasohet me këmbime tregtare në vende të ndryshme; fiton përvojë. Me rëndësi është që politikisht je anëtar dhe ke atë aspektin që njihesh ndërkombëtarisht; e dyta, merr përvoja teknike, mëson dhe i përgatit kuadrot e Kosovës që të bëhen partnerë konkurrentë”, thotë Jakupi.

Ndryshe, Organizata Botërore e Tregtisë është e vetmja organizatë ndërkombëtare që merret me përcaktimin e rregullave të funksionimit të tregtisë ndërmjet vendeve anëtare. Në këtë organizatë botërore, e cila është e përmasave të OKB-së, bëjnë pjesë 150 vende të botës, kurse rreth 30 të tjera janë në proces anëtarësimi, që përfaqësojnë mbi 97 për qind të shkëmbimeve tregtare botërore.
XS
SM
MD
LG