Ndërlidhjet

logo-print

Dëmet nga mosfunksionimi i gjykatave në veri – të pakompensueshme


Paqeruajtësit e KFOR-it para gjykatës në Mitrovicë

Paqeruajtësit e KFOR-it para gjykatës në Mitrovicë

Gjykata e Qarkut dhe ajo Komunale në veri të Mitrovicës vazhdojnë të jenë jashtë funksionit, përderisa shumë nga punonjësit e këtyre gjykatave kanë zhvendosur punën në objektin e gjykatës në Vushtrri. Kreu i Gjykatës së Qarkut, Kapllan Baruti, thotë se pasojat e mosfunksionimit në veri janë të pakompensueshme.


Gjykata e Qarkut dhe ajo Komunale në veri të Mitrovicës vazhdojnë të mos kryejnë funksionin e tyre që nga 17 shkurti, përkatësisht që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Në këto gjykata kanë punuar 150 punonjës shqiptarë dhe 20 serbë. Shumica nga ta, përkohësisht, sipas kryetarit të Gjykatës së Qarkut në veri të Mitrovicës, Kapllan Baruti, kanë zhvendosur punën në objektin e Gjykatës Komunale në Vushtrri.

"Për shkak të situatës së krijuar pas datës 17 shkurt, kur organet kompetente të UNMIK-ut dhe SHPK-së, duke filluar nga 20 shkurti i këtij viti, ua ndaluan punëtorëve të judikaturës në Mitrovicë, transportimin në vendet e punës në objektet e tyre, selia e të cilëve gjendet në pjesën veriore të qytetit, është vendosur, që nga të gjitha pesë organet e judikaturës, numri i të cilëve është më i madh se 170 persona të të gjitha nacionaliteteve, të formohet një ekip i përbashkët, me detyrë ekskluzive që sipas nevojës të punojnë në materien penale", tha Baruti.

Kreu i Gjykatës së Qarkut, Baruti, thekson se për shkak të rrethanave të reja dhe për shkak të pamundësisë së kryerjes së punës, të drejtat e qytetarëve janë duke u cenuar. Baruti thotë se shumica e procedurave gjyqësore të nisura, kanë mbetur në gjysmë, për shkak se dokumentacioni ka mbetur në gjykatat në veri të Mitrovicës.

"Është vështirëusar edhe puna e të gjitha organeve tjera të judikaturës në rajonin e kësaj gjykate, me pasoja tejet të mëdha, të rënda dhe të paparapara në aspektin e realizimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, të garantuara me konventat ndërkombëtare dhe legjislacionin vendor. Për shkak se të gjitha shkresat e lëndëve gjenden në objekt, palëve në procedurat gjyqësore objektivisht u është pamundësuar t'i realizojnë të drejtat e veta. Mirëpo, pasojat janë të pakompensuara, nëse, siç jemi të informuar jozyratrisht, nga çfarëdo arsye janë shkatërruar apo bartur shkresat e lëndëve, pajisjet, literaturat profesionale, etj", tha Baruti.

Ndryshe, në veri të Mitrovicës, tash dy muaj, janë duke protestuar ish-punonjësit serbë të këtyre gjykatave, të cilët kërkojnë kthimin në punën, që, sipas tyre, kanë mbajtur deri në vitin 1999.

Zëdhënësi i SHPK-së për Mitrovicën, Besim Hoti, thotë se protestat mbahen në baza ditore.

"Çdo ditë pune, nga e hëna në të premten, nga ora 7 e 30 deri në 10 e 30, një grup prej 30 ose 40 personash, që konsiderohen të jenë ish-punëtorë të sistemit të mëhershëm, protestojnë para objekteve të gjykatave", tha Hoti.

Prokurori publik i qarkut, Milan Bigoviq, ka thënë se kërkesa për kthim në vendet e punës, si dhe bisedimet me përgjegjësit e UNMIK-ut, deri sot nuk kanë dhënë rezultate. Bigoviq ka theksuar se ish-punonjësit serbë të gjykatave nuk do të heqin dorë nga kërkesa e tyre.

Ndërkohë, objektet e Gjykatës së Qarkut dhe asaj Komunale ende po i ruajnë pjesëtarët e KFOR-it. Ndërtesa e gjykatës në Mitrovicë ka qenë edhe vendi i trazirave të 17 marsit të këtij viti, gjatë të cilave u vra një polic ndërkombëtar dhe u lënduan dhjetëra të tjerë. Deri tani, askush nuk është arrestuar për këto trazira.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG