Ndërlidhjet

"Prapë bisedime?"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

NACIONAL
Lajmi i keq për rinisjen e bisedimeve që kishte shkruar para disa ditëve gazeta "The Times", nuk doli i pavërtetë ashtu siç pretendonin disa. Burime diplomatike nga Brukseli dhe Nju Jorku kanë deklaruar për Agjencinë "Beta" se Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mbështesin "idetë e reja" për bisedime, me ose pa ndërmjetësues ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për zgjidhjen e "çështjeve praktike" në Kosovë. Këtu bëhet fjalë për diçka që ngjason me "pjesën jo statusore" të propozimeve që dikur i kishte prezantuar ndërmjetësuesi i BE-së në Treshen ndërmjetësuese për statusin e Kosovës, Volfgang Ischinger, sipas modelit të bisedimeve që ishin zhvilluar ndërmjet dy shteteve gjermane. Mirëpo, pasi ndërmjetësues do të ishte UNMIK-u, kjo nuk do të thoshte se Serbisë do t'i imponohej njohja dhe kontakti direkt me Kosovën e pavarur, bën të ditur kjo agjenci. Këto bisedime, që në asnjë mënyrë nuk do të kishin të bënin me statusin e Kosovës, do të duhej të sillnin zbutjen e tensioneve dhe problemeve rreth veprimit të UNMIK-ut, ndërsa në pjesët e Kosovës ku serbët përbëjnë shumicën, atë të misionit të BE-së, të cilin ata sikurse edhe Beogradi, nuk e pranojnë...

KOHA DITORE
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pritet që të kërkojë njohjen e shtetit të Kosovës nga shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në fjalimin e tij, që shënon paraqitjen e parë të një përfaqësuesi të shtetit të pavarur të Kosovës para këtij trupi. Zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës kanë bërë të ditur, të dielën, se fjalimi i kreut të Qeverisë tashmë është i konfirmuar para anëtarëve të KS-së, megjithëse ende nuk dihet nëse ai do t'iu drejtohet atyre në seancë të hapur ose të mbyllur. Veç kërkesës për njohjen e shtetit të ri, Thaçi pritet që të flasë edhe për zhvillimet politike që kanë ndodhur në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë dhe për vizionin e Republikës së Kosovës për të ardhmen...

KOSOVA SOT
Podgorica zyrtare, më parë kishte deklaruar se nuk do të nxitojë me vendimin e saj rreth njohjes së realitetit të ri të krijuar në Kosovë. Por,pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale në këtë shtet, ambasadori amerikan u ka bërë thirrje autoriteteve malazeze të ndjekin
kursin e aleatëve perëndimorë karshi Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se pret që Mali i Zi së shpejti do ta njohë pavarësinë e Kosovës. "Mali i Zi nuk ngurron me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Jam i bindur se kjo do të ndodhë në një të ardhme të afërt", citojnë kryeministrin kosovar, Hashim Thaçin, mediet malazeze. Thaçi ka shtuar se më e rëndësishmja është që Kosova ka vendosur marrëdhënie të mira me Malin e Zi, dhe që si fqinjë të mirë do të bashkëpunojnë në të gjitha fushat me interes të dyanshëm. "Mali i Zi gjithmonë ka qenë dhe do të jetë një nga destinacionet për turistët kosovarë", ka thënë kryeministri Thaçi...

EPOKA E RE
Ethem Çeku: Qeveria mbushi 100 ditët e saj të para në pushtet. Në mungesë të programit të saj, Qeveria ka funksionuar me programin e Qeverisë së kaluar, duke "i shitur" projektet e asaj Qeverie si të sajat. Çdo gjë që qytetarët shohin a lexojnë në media, që nga ligjet që derivojnë nga "Pako Ahtisaari" e deri te ndërtimi i shkollave të reja, janë të gjitha projekte të lëna gati nga Qeveria e kaluar. Minimumi do të ishte që Qeveria ta pranonte faktin se po vazhdon projekte të nisura më parë. Sa për ilustrim, projekti për ndërtimin e termocentralit "Kosova C" është lënë në një fazë mjaft dinamike të zhvillimit nga Qeveria e kaluar apo edhe projekti për linjën Kosovë-Shqipëri dhe projekti për Hidrocentralin e Zhurit. Qytetari i Kosovës meriton të dijë se raporti dhe puna njëqind ditore e Qeverisë aktuale mbështetet, kryekëput, në projekte të Qeverisë së kaluar dhe kjo duhet të jetë e ditur për ta hequr njëherë e përgjithmonë maninë e përvetësimit të punës së tjetrit...

EXPRESS
Një marrëveshje mes Beogradit dhe Shkupit më 2001, e cila rivizatoi kufirin e Kosovës me Maqedoninë, shtatë vjet më pas po jep disa nga pasojat e veta: armët dhe uniformat si dhe kërcënimet e pamatura për përdorim të tyre. Duke u nisur nga një provizion në pakon e Martti Ahtisaarit, që parashikon një marrëveshje për çështjen e kufirit, Prishtina dhe Shkupi kanë filluar bisedimet për caktimin e vijës kufitare, duke e trajtuar atë si çështje teknike. Takimi i fundit është zhvilluar të premten në kryeqytetin maqedonas. Por, banorët shqiptarë të zonës kufitare po përgatisin diçka tjetër - një kryengritje fshatare për të mbrojtur tokat e tyre. Ata kanë krijuar kështu një fotografi cinike. Ajo, megjithatë, nuk tregon vetëm njerëz me pushkë, por edhe një lidership të munguar. Pas 17 shkurtit, problemi i zakonshëm ka qenë veriu i Kosovës, që esencialisht është përgjegjësi e NATO-s dhe Perëndimit. Jugu po bëhet test serioz i sigurisë për autoritetet e Prishtinës, pikërisht ndoshta sepse ai është trajtuar sikur problem i vogël...

INFOPRESS

Lideri i Partisë Liberal-Demokratike të Serbisë, Çedomir Jovanoviq, ka deklaruar dje se nëse bëhet pjesë e pushtetit pas zgjedhjeve serbe të 11 majit, ai do të bisedojë me zyrtarët e Prishtinës, madje edhe me Hashim Thaçin. "Do to bisedoja me të gjithë përfaqësuesit e pushtetit në Kosovë, të zgjedhur në mënyrë legjitime, ashtu siç bëjnë sot politikanët e të gjitha fuqive më të mëdha botërore", ka thënë Jovanoviq, i njohur si politikani i vetëm serb qe është pajtuar me pavarësinë e Kosovës...

BOTA SOT
Më 18 qershor përfundon periudha e tranzicionit dhe përfundon edhe validiteti i dokumenteve të UNMIK-ut", tha ministri Arsim Bajrami.
Janë bërë përgatitjet adekuate për lëshimin e dokumenteve të Republikës së Kosovës nga Ministria e Punëve të Brendshme. Së shpejti apo thënë më mirë, pas miratimit të Kushtetutës së vendit tonë, pritet që pas 18 qershorit të nisë edhe dhënia e dokumenteve të reja të shtetit të Kosovës. Halil Bllaca, sekretar i përhershëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, tha për gazetën "Bota sot" se në bazë të vendimit të Agjencisë së Prokurimit Publik të Kosovës mbi lejimin e zhvillimit të negociatave me kompanitë relevante për furnizim njëburimor me repro-material për pasaporta, letërnjoftime dhe patenta shoferi, Ministria e Punëve të Brendshme, këtyre ditëve, ka filluar përgatitjet dhe punën në këtë drejtim. Ministria e Punëve të Brendshme është kompetente për prodhimin e dokumentacionit civil për qytetarët e Kosovës dhe do t'i zbatojë vendimet e institucioneve relevante të Kosovës për kohën se kur do të fillohet me prodhimin e dokumenteve civile të Republikës së Kosovës...

LAJM
Në kohën kur Serbia dhe Maqedonia bënë pazare politike rreth 2500 hektarëve të Debëlldesë, Kosova nuk ishte subjekt ndërkombëtar. Juridikisht, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, Kosova ishte pjesë integrale e Serbisë, por faktikisht Serbia nuk kishte sovranitet mbi Kosovën. Sovraniteti serb mbi Kosovën ishte pezulluar në vitin 1999. Megjithatë, kjo nuk e ndaloi Serbinë që të bënte marrëveshje me Maqedoninë për Kosovën dhe atë pa pjesëmarrjen dhe vullnetin e saj. 2500 hektarë të Kosovës iu falën Maqedonisë nga Serbia, dhe Këshilli i Sigurimit e përkrahu këtë. Por, më e keqja është se Kosova, në Vjenë, u pajtua me humbjen e këtyre hektarëve, ndërsa në Prishtinë, Kuvendi i Kosovës e miratoi këtë humbje, nëpërmjet votimit të Planit të Ahtisaarit, i cili bën thirrje për respektimin e marrëveshjes Serbi-Maqedoni të vitit 2001. Kosova, ndërkaq është njohur nga 37 shtete të botës, në baze të Planit "Ahtisaari", pra pa 2.500 hek-tarë. Por, mund t'i rikthejë, vetëm nëse pajtohet Maqedonia...

ZËRI

Me bisedimet e UNMIK-ut me Qeverinë e Serbisë, është përfillur logjika e Sllobodan Samarxhiqit, ministrit për Kosovën, që jo vetëm veriu, po kudo ku ka serbë, ka probleme në Kosovë. Përmbajtja e bisedimeve sekrete midis një zyrtari të UNMIK-ut (shefit të Zyrës së UNMIK-ut në Beograd, Riçard Vilkoksit), dhe dy ministrave në Qeverinë e Serbisë, Sllobodan Samarxhiqit dhe Vuk Jeremiqit, e cila del në shesh nga raportimi që Vilkoks ua ka bërë diplomatëve të Grupit të Kontaktit në Beograd, por edhe nga letra të cilën Zhan-Mari Gueno, nënsekretar i OKB-së për operacione paqeruajtëse, ia ka dërguar më 25 mars, Vilkoksit, dëshmon që UNMIK-u ka marrë një tatëpjetë të madhe politike.
Një diplomat perëndimor, me kushte anonimiteti, në komentim të kësaj nisme të OKB-së dhe të Zyrës së UNMIK-ut në Beograd, i ka thënë gazetës "Zëri" që kemi të bëjmë me një zgjerim, e jo ngushtim të "territorit" problematik për Kosovën dhe për Perëndimin...

XS
SM
MD
LG