Ndërlidhjet

Roli i KS-së në Kosovë


Këshilli i Sigurimit i OKB-së

Këshilli i Sigurimit i OKB-së

Njohës të së drejtës ndërkombëtare thonë se Këshilli i Sigurimit ka rastin e fundit që të dalë juridikisht nga qorrsokaku i futur në lidhje me statusin e Kosovës. Juristët kosovarë thonë se shpallja e pavarësisë de facto e ka shfuqizuar Rezolutën 1244, por, sipas tyre, për të dalë nga situata e krijuar, KS duhet ta shfuqizojë vetë rezolutën.


Vazhdimin e diskutimeve të Këshillit të Sigurimit çdo tre muaj për Kosovën, edhe pas shpalljes së pavarësisë së saj, juristët dhe njohës të së drejtës ndërkombëtare në Kosovë e vlerësojnë si diçka që nuk i sjell asnjë dobi realitetit të ri të krijuar në terren. Shpallja e pavarësisë së Kosovës ka nxjerrë nga loja Këshillin e Sigurimit. Megjithatë, mbetja në fuqi e Rezolutës 1244, sipas juristëve kosovarë, i lë një shteg Këshillit të Sigurimit që edhe më tej të mblidhet për Kosovën, mbledhje këto që, sipas tyre, destinim kanë dështimin.

Profesori i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, Avdullah Robaj, thotë se është koha e fundit që Këshilli i Sigurimit të dalë nga kjo situatë e paqartë.

“Këshilli i Sigurimit e ka rastin e fundit që të dalë juridikisht nga ky qorrsokak, meqë nga 5 anëtarët e KS-së, tre tashmë e kanë njohur Kosovën, një (Kina) mban qëndrim neutral dhe vetëm Rusia kundërshton atë. Pra, vetëm një e pesta është kundër pavarësisë. Kjo tregon një shantazh të Rusisë, që do të imponohet dhe në aspektin ndërkombëtar; kjo nuk kuptohet si e drejtë. Prandaj, KS e ka një mundësi që ta shfuqizojë këtë rezolutë dhe të dalë ndershmërisht nga kjo situatë. Përndryshe, konsideroj se me këtë pozicion të paqartë dhe konfuz, e qet vetveten nga loja dhe atë kokulur”, thotë Robaj.

Por, juristi Ilir Dugolli vlerëson se edhe më tej Këshilli i Sigurimit do të pretendojë se është autoriteti kryesor që ka të drejtë të merret me çështjen e Kosovës, pavarësisht rezultateve negative që dalin nga çdo diskutim për Kosovën.

“Me faktin që Rezoluta 1244 ka mbetur në fuqi, atëherë KS ka të drejtë të diskutojë. Megjithatë, unë nuk shoh hapësirë për vendimmarrje përmbajtjesore, nuk shoh hapësirë që të bëjë diçka dhe të kompensojë paaftësinë e vet për të marrë vendim, kur më shumë se një vit më parë kishte tërë kohën në dispozicion”, shprehet Dugolli.

Megjithatë, mosarritja e një konsensusi për Kosovën brenda Këshillit të Sigurimit ka edhe refleksionet e veta në terren. Pasojë e kësaj, Kosova, sipas Robajt, aktualisht qeveriset nga katër pushtete.

“Në Kosovë nuk kemi rend juridik, sepse rend juridik është kur kemi një adresë të saktë dhe një akt ligjor, siç është Kushtetuta. Tani nuk kemi, por kemi katër pushtete: kemi atë të Republikës së Kosovës, UNMIK-ut, EULEX-it dhe të Serbisë. Këto e pengojnë Kosovën, por unë mendoj se organet e pushtetit duhet të jenë më të fuqishme dhe shtetësinë dhe sovranitetin ta zbatojnë në tërë territorin e saj”, thotë Robaj.

Në anën tjetër, Ilir Dugolli thotë se pengesa më e madhe që mund t’i vijë Kosovës nga Këshilli i Sigurimit, është pamundësia për t’u anëtarësuar në institucionet financiare ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara.

“Rruga e anëtarësimit të Kosovës në OKB kalon përmes Këshillit të Sigurimit dhe pa i neutralizuar votat negative në KS, nuk di se si mund te ecë ky proces i anëtarësimit, nuk ka ndonjë mundësi tjetër, gjasë reale që të ndodhë. Kjo është pengesë serioze”, tha Dugolli.

Duke marrë parasysh përvojën e vitit të kaluar, kur Këshilli i Sigurimit dështoi të marrë një qëndrim unanim për statusin e Kosovës, kosovarët shprehin skepticizëm për çdo nismë që eventualisht mund të dalë nga ky organ.
XS
SM
MD
LG