Ndërlidhjet

"Pavarësia imponon zmbrapsjen e UNMIK-ut"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOHA DITORE
Debati i parë për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së pas shpalljes së pavarësisë, ka qenë i gjallë, por pozicionet e kundërta nuk kanë ndryshuar. Derisa një pjesë e vendeve të Këshillit të Sigurimit, të udhëhequra nga Rusia, vazhdojnë ta kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, përkrahësit e republikës më të re në Evropë, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, kanë theksuar se pavarësia tashmë është punë e kryer dhe se procesi duhet të vazhdojë me kalimin e përgjegjësive prej UNMIK-ut në autoritetet vendore të Kosovës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, si dy anëtaret e përhershme të KS të OKB-së, thonë se nga 15 qershori priten rikonfigurime, përshtatje dhe bartje të përgjegjësive tek kosovarët. Me këtë datë, sipas tyre, fuqizohet plani i Ahtisaarit përmes Kushtetutës së re të Republikës së Kosovës dhe se askush s'duhet të gënjejë veten se mund ta ndryshojë realitetin e ri të krijuar në terren pas shpalljes së pavarësisë....

KOSOVA SOT
Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri i Kuvendit të Kosovës pranoi dje raportin për gjendjen në vend pas 17 shkurtit, i cili do t'i përcillet Kryesisë së Kuvendit, bashkë me kërkesën për një seancë të veçantë, në të cilën do të shqyrtohej situata e sigurisë në vend. Në seancën dëgjimore të Komisionit kanë raportuar ministri i Brendshëm, Zenun Pajaziti, kryetari i Mitrovicës, Bajram Rexhepi, koloneli i SHPK-së, Sheremet Ahmeti, drejtori i Shërbimit Doganor, Naim Huruglica, si dhe përfaqësuesit e TMK-së. Kryetari i këtij Komisioni parlamentar, Rrustem Mustafa, tha se Kryesisë do t'i rekomandohet seancë plenare për shqyrtimin e gjendjes së sigurisë, me qëllim që të merren masat për menaxhim sa më të mirë të situatës. Ndikimi politik i Beogradit mbi serbët lokalë, sipas vlerësimit të këtij Komisioni, ishte njëri ndër faktorët kryesorë që mundësuan uzurpimin e gjykatave, si dhe shkaktuan protestën e dhunshme të 17 marsit në qytetin e Mitrovicës. Ministri Pajaziti dhe kryetari i Mitrovicës, Bajram Rexhepi, kanë dorëzuar raportin për gjendjen në veri të vendit, të cilën e kanë vlerësuar te qetë, por me rrezik destabilizimi nëse lejohet zhvillimi i zgjedhjeve serbe të 11 majit...

EPOKA E RE
Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, ua ka tërhequr vërejtjen rivalëve të tij që të mos nënshkruajnë asnjë marrëveshje me BE-në
para zgjedhjeve, pasi ky është kurth për ta njohur Kosovën. "Kjo marrëveshje është në interes të Oli Rehnit dhe Havier Solanës, por nuk është në interesin kombëtar të Serbisë, pasi do të interpretohej se Serbia ka nënshkruar njohjen e pavarësisë së Kosovës", ka thënë
Koshtunica. Brukseli kërkon nënshkrimin e marrëveshjes para zgjedhjeve të 11 majit, në mënyrë që ta ndihmojë bllokun proevropian në këto zgjedhje...

ZËRI
Duket që për shkaqe të ndryshme ka pasur ngecje dhe moskuptime në relacionet midis Prishtinës dhe Shkupit pas 17 shkurtit, apo pas shpalljes së pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës, të cilat edhe shkaktuan që të bëhen nyjë procedurat që do të duhej të çonin në njohjen e
Kosovës nga Maqedonia. Sipas të gjitha gjasave, procesi i njohjes së Kosovës nga Maqedonia ka mbërritur, për shkaqe të njohura, në një qorrsokak, i cili mund të lihet prapa vetëm pas zgjedhjeve të 1 qershorit (zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare), sepse do të ishte një befasi e rendit të parë po qe se gjatë fushatës parazgjedhore Qeveria e tanishme teknike do të ishte në gjendje edhe të diskutojë për këtë temë, e lëre më të marrë farë vendimi. Sipas hulumtimeve të fundit të opinionit publik në Maqedoni, mbi 60 për qind e maqedonasve kundërshtojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe këto rezultate me siguri që do të merren parasysh prej partive dhe politikaneve maqedonas…

EXPRESS
Nëntëmbëdhjetë subjekte politike nuk i kanë dorëzuar raportet për shpenzime gjatë periudhës së fushatës për zgjedhjet komunale dhe qendrore, ka bërë të ditur të hënën Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe ka kërkuar që të jenë më transparente me fondet e tyre. Zëvendësshefi i Misionit, Markk Laamanen, ka deklaruar se në një sistem demokratik, votuesit kanë të drejtë të dinë se si i financojnë subjektet politike fushatat e tyre zgjedhore. "Transparenca krijon kredibilitet. Është shumë e rëndësishme që subjektet politike t'iu përmbahen rregullave. Politikanet janë figura publike, andaj korrektësia dhe kredibiliteti i tyre paraqesin model për të gjithë", ka thënë Laamanen. Zyra për Regjistrimin e Partive Politike në OSBE tash do të paraqesë ankesë pranë Komisionit të Zgjedhjeve për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP)lidhur me dorëzimin e raporteve financiare të pakompletuara dhe të pasakta apo për shkelje të rregullave zgjedhore...

LAJM
Përveç opozitës, e cila tashmë e ka filluar betejën politike me Qeverinë, koalicioni i Thaçit me Sejdiun ka filluar të sfidohet edhe nga njerëz brenda partive në bashkëqeverisje. Astrit Haraçija, anëtar i Kryesisë Qendrore të LDK-së, nuk heziton të kërkojë publikisht nga udhëheqësit e partisë së tij, përfshirë edhe presidentin Sejdiu, që ta prishë koalicionin me PDK-në dhe ta lidhë atë me AAK-në. Haraçija është njëri ndër njerëzit që në tërësi nuk e përkrah koalicionin actual. Sipas tij, ky koalicion nuk është dashur të bëhet, e tani nuk duhet të vazhdojë më. Per më tepër, ai është i mendimit se LDK-ja, në fazën e reformimit ku ndodhet, duhet të fillojë të mendojë të lidhcë koalicion politik me AAK-në e Ramush Haradinajt. Sipas tij, kjo formulë do të ishte më e mirë për LDK-në, por dhe per vendin. Këtë propozim nuk e përkrahin udhëheqësit tjerë relevantë lë LDK-së…

INFOPRESS
Nuk ka nevojë të bisedohet me Serbinë për statusin e Kosovës, sepse pavarësia është e shpallur. Me Serbinë mund te bisedojmë vetëm për çështje teknike siç janë gjetja e të zhdukurve dhe borxhet që Serbia i ka ndaj Kosovës, thanë në Prishtine kryetari i LDD-së, Nexhat Daci, dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ata deklaruan kështu pas një takimi që patën të hënën në Prishtinë, ku ndër të tjera u tha se është biseduar edhe për forcimin e opozitës kosovare për shumë çështje të ndryshme. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke iu referuar pohimeve dhe kërkesave të Serbisë për bisedime të mundshme me Kosovën, tha se për çështjet që janë zgjidhur tashmë, siç është statusi i Kosovës, nuk ka nevojë të bisedohet. "Nëse ka interes për biseda dhe bashkëpunim me vendet fqinje si dy shtete, natyrshëm se ato janë të praktikueshme dhe janë diçka që edhe ne do të interesohemi për to dhe do të interesohemi për cilat tema, por jo biseda për temat që janë zgjidhur", tha Haradinaj...

NACIONAL
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në një raport monitorues të punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës në periudhën janar-mars 2008, vlerëson se Kuvendi i Kosovës gjatë periudhës janar-mars 2008, ka mbajtur gjithsej dymbëdhjetë seanca plenare, prej tyre 11 seanca të rregullta dhe 1 seancë të jashtëzakonshme, në të cilën është bërë miratimi i Deklaratës për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. Gjatë muajit janar janë mbajtur tri seanca, në shkurt pesë seanca dhe në muajin mars 4 seanca. Në këtë vlerësim thuhet se duke pasur parasysh faktin se gjatë kësaj periudhe monitoruese Kuvendi i Kosovës kryesisht është marrë me miratimin e ligjeve që kanë dale nga pakoja e Ahtisaarit, ligje këto që janë miratuar me procedurë të përshpejtuar dhe me shmangie nga rregullorja e punës së Kuvendit. Pjesëmarrja e deputetëve në debate realisht ka qenë e kufizuar...

BOTA SOT
Gjendja e sigurisë në Mitrovicë, edhe përkundër vazhdimit të protestave në veri te qytetit, vazhdon të jetë e qetë dhe nën kontroll, kanë vlerësuar drejtues të strukturave politike dhe ata të sigurisë, që përfaqësohen në Komitetin e Sigurisë në Komunën e Mitrovicës, në takimin e rregullt, që është mbajtur të hënën. Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në komunë, Ylber Durmishi, në diskutimin e tij ka bërë fjalë për problemin e hapur te punëtorët shqiptarë të gjykatave, të cilët prej 21 shkurtit të këtij viti, nuk janë duke punuar në objektet e tyre, për shkak të mungesës së sigurisë. Sipas tij, për problemin e gjykatave është duke u biseduar në nivele të larta vendëse dhe ndërkombëtare. Ai tha se ky problem pritet të zgjidhet pas zgjedhjeve në Serbi, duke shtuar njëkohësisht se edhe mosfunksionimi i doganave në veri pritet të zgjidhet, për çka tha se ka informata se kanë nisur punët për përgatitjen teknike të pikave kufitare, për rinisjen e punës së Shërbimit Doganor...
XS
SM
MD
LG