Ndërlidhjet

logo-print

Kubis: Sllovakia tash për tash nuk e njeh Kosovën e pavarur


Jan Kubis

Jan Kubis

Sllovakia nuk do ta njohë në këtë fazë shtetin e Kosovës, ka deklaruar sot, në Prishtinë, ministri i Jashtëm i këtij vendi, Jan Kubis. Gjatë një vizite që i bëri Prishtinës, Kubis zhvilloi takime me presidentin Fatmir Sejdiu dhe zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi.


Sllovakia nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj për sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës, ka thënë sot në Prishtinë, ministri i Jashtëm sllovak, Jan Kubis. Këto komente, Kubis i bëri pas takimeve që zhvilloi me presidentin Fatmir Sejdiu dhe zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi. Ministri sllovak tha se vendi i tij ka preferuar në vazhdimësi që zgjidhja për statusin e Kosovës të arrihet përmes procesit negociator dhe Këshillit të Sigurimit. Sidoqoftë, ai tha se mosnjohja e Republikës së Kosovës nga ana e Sllovakisë, nuk e pengon këtë vend që të vazhdojë bashkëpunimin me Kosovën si partnerë të barabartë, si dhe të vazhdojë me praninë e saj në kuadër të forcës së KFOR-it dhe misionit të EULEX-it.

“Kam dëgjuar shumë qartë dhe drejt kërkesën e presidentit Sejdiu për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa unë kam konfirmuar se pozicioni i vendit tim, tani për tani, mbetet ashtu siç është”, tha ministri Kubis.

Ndërkohë që pozicioni i Sllovakisë mbetet i pandryshuar për sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës, ai tha se vendi i tij ka vendosur të shtojë numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it, si dhe ka dhënë pëlqimin për pjesëmarrje në misionin e EULEX-it. Ndërkaq, në një pyetje të gazetarëve se ku ndodhet ai aktualisht, në Republikën e Kosovës apo në krahinën serbe, Kubis tha se ai e di fare mirë se ndodhet në Kosovë.

Kubis tha se Bratislava do të përcjellë me vëmendje përparimet në Kosovë, tash pas shpalljes së pavarësisë, sidomos në planin e integrimit të pakicave, para se të marrë eventualisht ndonjë qëndrim tjetër lidhur me pavarësinë e Kosovës. Ai e përgënjeshtroi mundësinë që pozicioni sllovak është në vijë me politikën ruse, duke thënë se Bratislava i ka arsyet e veta politike pse nuk e ka njohur shtetin e Kosovës dhe nuk ka të bëjë me pozicionimin e saj pro-politikës ruse.

Në anën tjetër, presidenti Fatmir Sejdiu tha se i ka konfirmuar shefit të diplomacisë sllovake interesimin e Kosovës që të vazhdohet bashkëpunimi i ndërsjellë, duke besuar se Sllovakia shumë shpejt do ta ndryshojë pozicionin në lidhje me Kosovën e pavarur.

“Unë, edhe një herë, kam kërkuar me argumente dhe drejtpërdrejt, me kurrfarë formule anësore të themi, që Sllovakia të shpejtojë me procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke e kuptuar realitetin praktik që është vullnet i qytetarëve të Kosovës dhe, në të njëjtën kohë, vazhdimin e një bashkëpunimi në partneritet me lëvizjet tona drejt integrimeve euroatlantike”, tha Sejdiu.

Edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se Qeveria e Kosovës shpreh gatishmërinë e saj për bashkëpunim me Qeverinë sllovake, mbi bazat e një partneriteti të barabartë.

“Ne kemi ofruar ‘partnership’ me shtetin e Sllovakisë. Besoj që partneriteti është edhe në kuptimin bilateral në mes të dy vendeve dhe po ashtu besoj se partneriteti do të jetë edhe në kuadër të misioneve dhe aktiviteteve të Bashkimit Evropian dhe shpresojmë përmes partneritetit, i cili do të ndihmojë që të sqarohen gjërat dhe zhvillimet në Kosovë edhe për hapat e mëtejmë. Mosnjohja momentale nga ana e Sllovakisë nuk është pengesë që të bashkëpunojmë si dy vende, por besojmë se do të jetë një mundësi për veprimet e ardhshme”, u shpreh Kuçi.

Që nga shpallja e pavarësisë, ministri i Jashtëm sllovak, Jan Kubis, ka vizituar dy herë Kosovën. Ai ka ofruar bashkëpunim mes dy vendeve, në vend të njohjes së shtetit të Kosovës.

Ndryshe, Kosovën e pavarur deri më tash e kanë njohur 38 shtete, prej tyre 18 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe 7 shtete të G-8-shes.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG