Ndërlidhjet

logo-print

Gashi: Institucionet të bëjnë padi kundër Del Pontes


Ibrahim Gashi

Ibrahim Gashi

"Nisma e Behxhet Pacollit, që nëpërmjet mundësive ligjore të tërheqë librin e Carla Del Pontes nga tregu, duhet përkrahur edhe nga institucionet e Kosovës", thotë Ibrahim Gashi, nënkryetar i Aleancës Kosova e Re.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gashi, partia së cilës i takoni ka njoftuar se kryetari i kësaj partie, Behxhet Pacolli, është angazhuar që nëpërmjet mundësive ligjore të tërheqë librin e Carla Del Pontes nga tregu, i cili përmban akuza kryesisht kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. A mund të na shpjegoni pak më shumë rreth kësaj çështjeje?

IBRAHIM GASHI
Ne, edhe si kryesi e partisë, e kemi mirëpritur dhe admiruar nismën e zotit Pacolli, që të iniciojë procedura për ndalimin e shitjes së një libri, i cili është cilësuar tashmë nga shumë qarqe politike dhe analitike të botës se përmban shumë të pavërteta dhe vjen nga një person që ndoshta edhe nuk do të kishte të drejtë të shkruante, derisa ka qenë në cilësinë e prokurores.
Libri komprometon punën e Gjykatës së Hagës dhe me këto të pavërteta provohet të krijohet një opinion i rrejshëm për karakterin e vërtetë që ka pasur UÇK-ja.


Ka edhe një embargo të informacioneve që ajo është dashur t’i ruajë dhe jo të plasojë një libër me të pavërteta të tilla, sepse mendoj se libri, në radhë të parë, e komprometon punën e Gjykatës së Hagës, cilësinë e stafit profesionist që është brenda gjykatës dhe pastaj natyrisht që me këto të pavërteta provohet të krijohet një opinion i rrejshëm për karakterin e vërtetë që ka pasur UÇK-ja.

RADIO EVROPA E LIRË
Akuzat që zonja Del Ponte i ka ngritur në librin e saj janë hedhur poshtë njëzëri nga të gjitha autoritetet në Prishtinë, por ka të atillë që thonë se përgjigjet e këtilla janë të pamjaftueshme. Ju, çfarë mendoni?

IBRAHIM GASHI
Nismat e tilla, natyrisht nëse janë individuale, janë të pamjaftueshme. Ato duhet të marrin edhe mbështetjen institucionale. Zoti Pacolli, në këtë rast, ka reflektuar, është i pari që ka reflektuar pozitivisht, dhe unë mendoj se ajo do të jetë nismë e zbehtë nëse nuk merr mbështetje institucionale. Unë pres që zoti Pacolli ta ketë edhe mbështetjen institucionale që të vazhdojë me këtë padi deri në fund, domethënë duke pasur edhe mbështetjen e institucioneve të Kosovës.

Nuk shoh ndonjë pengesë që kjo të mos ndodhë, që zoti Pacolli të ketë edhe mbështetjen e institucioneve dhe mbase edhe institucionet t’i bashkohen kësaj padie, të bëjnë padi të përbashkët. Madje, edhe prej atyre institucioneve, që bëhet fjalë për vetë shoqatën e veteranëve të luftës së UÇK-së, për TMK-në ku ndodhet një numër i madh i ish-luftëtarëve të UÇK-së, të mbështetet kjo nismë e zotit Pacolli dhe iniciativa që përmes ngritjes së një padie nga zyrat e avokatëve ndërkombëtarë, të ndalohet shitja. Dhe, natyrisht, nëse kjo arrihet, procedura duhet të shkojë deri te përgjegjësia individuale e zonjës Del Ponte.

RADIO EVROPA E LIRË
Të flasim pak për zhvillimet e brendshme politike. Ditët e fundit, temë qendrore e diskutimeve ka qenë programi i Qeverisë së Kosovës dhe 100 ditëshi i funksionimit të saj. Si e shihni ju këtë çështje?

IBRAHIM GASHI
Ne kishim një seancë të premten, që nisi me një fjalë të presidentit, me të cilën ai iu drejtua opinionit për zhvillimet politike në Kosovë konform kornizës kushtetuese, por edhe rregullores së Kuvendit.

Natyrisht, unë do t’i referohem asaj që doli nga deputetët e Grupit Parlamentar të AKR-së, në këto dy seanca, përkatësisht në një seancë me dy vazhdime. Qëndrimi ynë lidhur me 100 ditëshin ishte se Qeveria ka pasur një agjendë të determinuar edhe nga faktori ndërkombëtar. Por, te pjesa që lidhet me procesin politik të definimit të statusit, ne mendojmë se këtu ka kryer me sukses detyrën e saj në çuarjen në vend të vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës për pavarësi, nismë e cila nuk daton nga koha kur kjo qeveri e ka marrë udhëheqjen e vendit, por dihet se procesi i statusit ka një nismë të mëhershme dhe në krejt këtë ka edhe kontribuues tjerë përveç qeverisë që aktualisht është në krye të vendit.

Në krejt këtë proces, ne vlerësuam punën që ka bërë qeveria, por natyrisht pohuam edhe atë se në këtë proces qeveria ka qenë e asistuar nga opozita dhe nga faktori ndërkombëtar. Pra, ka qenë një trekëndësh i akterëve që e kanë suportuar këtë proces dhe nuk mund të përshkruhet krejtësisht si meritë e kësaj qeverie.

Me tone më kritike, deputetët tanë diskutuan për pjesën e angazhimeve të qeverisë në zgjidhjen e problemeve emergjente të qytetarëve të Kosovës, çështje që ishin diskutuar edhe gjatë fushatës së partive fituese dhe ishin dhënë premtime goxha pretencioze se 100 ditëshi i parë do të rezultojë me rezultate më të prekshme, me përmirësime dhe të arritura konkrete.

Janë dy segmente të punës së kësaj qeverie, që në njëfarë mënyrë korrespondojnë me punën e dy ministrive përkatëse, asaj të Arsimit dhe asaj të Transportit dhe të Telekomunikacionit, ku janë vërejtur përpjekje që të konstatohen, që të preken dhe të krijohen strategji dhe të provohet që të zgjidhen disa probleme që janë në agjendën e qeverisë, përkatësisht të këtyre dy ministrive. Këtu pothuajse të gjithë deputetët, pa përjashtim, patën tone pohuese se është bërë diçka dhe tone përshëndetëse për punën që është bërë me kërkesë që ajo të vazhdohet.
Programi i qeverisë është shumë narrativ; i mungojnë parametra konkrete, numerike, i mungojnë parametra kohore të implementimit, i mungojnë përllogaritje të kostos implementuese.


Ndërkaq, me tone më kritike u fol për punën e dikastereve të tjera të kësaj qeverie, sidomos shëndetësia, çështja e rritjes së pagave, çështja e ekonomisë. Të gjitha këto diskutime u lidhën me vlerësimin e programit që ka ofruar qeveria dhe në mënyrë kontekstuale u prek edhe puna deri këtu. Vërejtje tjetër e jona ishte se programi është shumë narrativ, programit i mungojnë parametra konkrete, numerike, i mungojnë parametra kohore të implementimit, i mungojnë përllogaritje të kostos implementuese dhe i mungojnë edhe shumë parametra të tjera që lidhen me mundësitë e implementimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohët e fundit është ngritur edhe çështja e demarkacionit të kufirit me Maqedoninë. Si e sheh Aleanca Kosova e Re zgjidhjen e këtij problemi?

IBRAHIM GASHI
AKR-ja ka parasysh dispozitën që është me pakon e Ahtisaarit lidhur me demarkacionin në raport me Maqedoninë dhe përshëndet nismën e Qeverisë që ta ngrejë një komision teknik, të përbërë, sipas nesh, mjaft mirë nga ekspertët e fushave të caktuara, që do të diskutojë dhe raportojë pastaj te qeveria.

Ne, në njëfarë mënyre, mbështesim nismat që çështja e demarkacionit në secilin variant të zgjidhet brenda institucioneve. Domethënë, në asnjë mënyrë nuk përkrahim zgjidhje jashtë institucionale, sepse si të tilla nuk e kanë qëndrueshmërinë dhe nuk i zgjidhin në fakt këto probleme
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG