Ndërlidhjet

logo-print

Ndasitë shkaktojnë dështimet e KS-së


Prishtina

Prishtina

Edhe diskutimet e djeshme për Kosovën në Këshillin e Sigurimit kanë treguar se për shkak të dallimeve mbi statusin e Kosovës, ato janë të destinuara të dështojnë, thonë njëzëri përfaqësues të pozitës dhe opozitës në Kosovë. Megjithatë, opozita thotë se po qe se Kosova do të njihej nga më shumë shtete, mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë mund të mos ishte shtruar fare për diskutim në seancën e djeshme të Këshillit të Sigurimit.


Përfaqësues të pozitës dhe opozitës në Kosovë konsiderojnë se për shkak të qëndrimit të ngurtë të Rusisë, diskutimet për Kosovën në Këshillin e Sigurimit nuk janë duke sjellë më asnjë rezultat.

Këshilli i Sigurimit ka shqyrtuar, të hënën, raportin e rregullt tremujor të shefit të UNMIK-ut, Joachim Ruecker, përderisa në seancën e mbyllur, Këshillit të Sigurimit i është drejtuar edhe kryeministri Hashim Thaçi.

Çështja e mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë ka dëshmuar edhe njëherë për ndasitë mes bllokut perëndimor dhe Rusisë. Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ramë Buja, thotë se duhet çmuar kundërshtimin që i bënë mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe.

“Logjika racionale e veprimeve të KS-së bën që, meqë Kosova ka shpallur pavarësinë, nuk do të duhej mbajtur në Kosovë, sepse janë zgjedhje lokale dhe cenojnë integritetin dhe sovranitetin, andaj ky qëndrim i tyre është për t’u falënderuar. Ndërsa, Rusia nuk na befason, pasi që vazhdon të mbajë qëndrimin e saj sikurse edhe më parë”, tha Buja.

Ibrahim Makolli, nga Grupi Parlamentar i Aleancës Kosova e Re, thotë se në Këshillin e Sigurimit ende ekziston blloku që nuk dëshiron të kuptojë realitetin e ri të krijuar në Kosovën e pas 17 shkurtit. Kjo, sipas tij, dëshmohet me insistimin rus se zgjedhjet serbe duhet mbajtur në Kosovë.

“Zërat siç është i Rusisë dhe disa të tjerëve për mbajtjen e zgjedhjeve, natyrisht kanë qenë edhe të pritur. Megjithatë, ajo që ka dominuar në këtë seancë, ka qenë që Serbisë t’i bëhet me dije se çfarëdo përpjekje për të mbajtur zgjedhje në Kosovë, vetëm sa mund të dëmtojë edhe ashtu gjendjen jo të mirë brenda, sikurse që do të reflektojë negativisht në marrëdhëniet ndëretnike”, tha Makolli.

Në anën tjetër, Arben Qirezi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, konsideron se zgjedhjet mund të mos ishin fare temë debati në Këshillin e Sigurimit, po qe se Kosova do të kishte arritur që deri tash të njihej nga një numër më i madh i shteteve.

“Një rritje numerike e njohjes së pavarësisë së Kosovës praktikisht do ta bënte misionin e UNMIK-ut të papërdorshëm, pra edhe debatet në Këshillin e Sigurimit rreth situatës në Kosovë; ajo që po ndodh është një debat që i ngjan debateve të rregullta në Këshillin e Sigurimit, që kanë ndodhur sa Kosova ka qenë protektorat. Kosova tash është shtet i pavarur; ajo duhet të ketë njohje të reja dhe institucionet e Kosovës duhet të impenjohen më shumë në lobizim te shtetet anëtare të OKB-së”, tha Qirezi.

Mbetja në fuqi e Rezolutës 1244, sipas juristëve kosovarë, i lë një shteg Këshillit të Sigurimit që edhe më tej të mblidhet dhe të diskutojë për Kosovën, edhe pse këto mbledhje, sipas tyre, janë të destinuara të dështojnë.

XS
SM
MD
LG