Ndërlidhjet

Haradinaj: Kam ofertë politike


Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje shumicës shqiptare që t'i shtrijnë dorën pakicës serbe në përpjekje për të tejkaluar kundërshtimet e tyre rreth pavarësisë së Kosovës.

"Në këtë fazë ne duhet t'i paraqesim një ofertë të mirë, dhe duhet t'ia shpjegojmë si duhet pakicës serbe ofertën në fjalë. Duhet t'i tregojmë edhe serbëve në veri të Kosovës se cilat janë përfitimet që vijnë nëse e pranojnë ofertën tonë", tha Haradinaj në një intervistë për AP.

Ai shtoi se për sendërtimin e kësaj oferte duhet të bashkëpunohet ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare.

Haradinaj i ka bërë thirrje qeverive që nuk e kanë njohur ende Kosovën që ta ndërmarrin një hap të tillë, pasi kjo do ndihmonte në normalizimin e jetës në vend.

Ai kritikoi qeverinë Thaçi duke thënë se "duhet të bëjë më shumë përpjekje për njohjen e pavarësisës së Kosovës dhe se duhet të kërkojnë më shumë ndihmë për këtë proces".

Duke folur për synimet e tij politike Haradinaj tha se për popullin e Kosovës "kam një ofertë politike, që nuk është e shkuara ime, por aftësia për të qeverisur vendin në rrugën e duhur".
XS
SM
MD
LG