Ndjekja penale e trafikantëve me qenie njerëzore mbetet problemi kryesor në Kosovë, thonë përfaqësuese të organizatave joqeveritare. Sevdije Bunjaku, nga Shoqata e Gruas “Kalabria”, që merret me asistimin e viktimave të trafikimit, thotë se mungesa e ligjit për mbrojtjen e viktimave ka bërë që shumë herë trafikantët të lihen të lirë, për shkak të mungesës së provave, ndërkaq të tjerët që kalojnë në ndjekje penale dhe akuzohen, dënohen me dënime shumë të vogla.
“Dënimet që jepen, ende nuk janë në nivelin e duhur, sepse këtu është një procedurë me të cilën duhet të kalohet shumë. Por, kemi raste të shumta kur viktima ka vetë drojë të madhe, ka brengë se si do t’i paraqesë trafikantët”, thotë Bunjaku.
Lufta kundër trafikimit është shumë komplekse dhe e vështirë, thonë pjesëtarë të Shërbimit Policor të Kosovës. Megjithatë, Rrahman Sylejmani, asistent i zëvendëskomisarit për shtyllën e krimeve në SHPK, thotë se në këtë luftë ka pasur përparime, duke shtuar se janë arrestuar shumë trafikantë dhe persona që kanë ndihmuar në prostitucion.
“Ju e shihini se çdo ditë, nuk do të thotë se po detektojmë të gjithë, mirëpo aty përdoren masat e fshehta hetimore dhe hetimet zgjasin shumë gjatë. Prej masave të fshehta, përdoren stimulimi i veprës; normal se kemi problem për dokumentim dhe dëshmi. Ne ende nuk e kemi ligjin për mbrojtën e dëshmitarëve edhe shumë infrastruktura tjera ligjore, edhe pse i kemi ligjet bazike“, shprehet Sylejmani.
Ndryshe, trafikantët që merren me trafikim të qenieve njerëzore, akuzohen në bazë të kodit penal të Kosovës, thotë Besim Kelmendi, nga Prokuroria e Qarkut në Prishtinë.
Në bazë të këtij kodi, dënimi më i rëndë për këtë vepër është 20 vjet.
“Më i ulëti është deri në 5 vjet, kur kryhet vepra penale nga pakujdesia ose kur kryhet nga njerëzit që i shfrytëzojnë viktimat e trafikimit, duke ditur se ato janë viktima të trafikimit me njerëz. Dënimi më i lartë që është shqiptuar deri më tani, është dënimi me 12 vjet, por i cili ende është në procedurë. Ndryshe, një mesatare tjetër e dënimeve sillet prej 3 deri në 4 vjet”, thotë Kelmendi.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, ndërkaq, pohojnë se i kanë shpallur luftë
krimit të organizuar. Artan Duraku, këshilltar politik në Ministrinë e Punëve të Brendshme, thotë se në bazë të programit të ri qeveritar do të fuqizohet ndjekja dhe ndëshkimi i trafikantëve.
“Për këtë arsye ka edhe një lloj zhvendosjeje të politikave nga zyra për qeverisje të mirë drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme. Do të thotë, qasja e deritanishme e trajtimit të këtij problemi, si problem i të drejtave të njeriut, do të ndërrojë. Ne kemi një qasje tjetër, do të ketë qasje të luftimit të krimit të organizuar. Do të fuqizohet ndjekja dhe ndëshkimi i trafikantëve”, theksoi Duraku.
Ndryshe, sipas organizatave që merren me mbrojtjen e viktimave dhe parandalimin e trafikimit me qenie njerëzore, është rritur dukshëm numri i viktimave që shfrytëzohen për qëllime seksuale. Sipas këtyre organizatave, prej vitit 2001 e deri më tani janë identifikuar afër 600 viktima.