Ndërlidhjet

GNK: BE-ja mos t'i bëjë koncesione Serbisë


Flamuri i BE-së

Flamuri i BE-së

"Brukseli dhe Uashingtoni duhet ta ulin tonin e mbështetjes për forcat pro evropiane dhe të mos ndërhyjnë përmes politikës së shkopit dhe karotës, duke i ofruar Beogradit nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit", thotë Grupi Ndërkombëtar i Krizave.


"T'i ofrohet Serbisë pakt me BE-në pa përmbushur kushtin për bashkëpunim me Hagën, do ishte një përpjekje në drejtimin e gabuar".

"Bashkimi Evropian nuk duhet t'i bëjë koncesione Serbisë me shpresën që të ndihmojë fitoren e forcave pro evropiane në zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit. Një hap i tillë mund të jetë kundërproduktiv duke ndihmuar realisht forcat nacionaliste."

Në këtë mënyrë i vlerëson Grupi Ndërkombëtar i Krizave, në raportin më të fundit, përpjekjet e Bashkimit Evropian që të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Serbinë, para zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.

Brukseli synon që përmes marrëveshjes të ndihmojë forcat demokratike serbe në votimet e ardhshme.

Raporti i GNK-së thekson se zemërimi i Serbisë për humbjen e Kosovës, e cila u pavarësua me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-ve, do luajë një rol të rëndësishëm në zgjedhjet e majit.

"Brukseli dhe Uashingtoni duhet ta ulin tonin e mbështetjes për forcat pro evropiane dhe të mos ndërhyjnë përmes politikës së shkopit dhe karotës, duke i ofruar Beogradit nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit", thotë GNK-ja.

Të njëjtat burime nënvizojnë se në krye të çështjeve që interesojnë votuesit serbë bashkë me Kosovën janë dhe papunësia dhe cilësia e jetesës, tema këto tradicionalisht të keqpërdorura nga nacionalistët.

T'i ofrohet Serbisë pakt me BE-në pa përmbushur kushtin për bashkëpunim me Hagën do ishte një përpjekje në drejtimin e gabuar thotë GNK-ja.

Nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Holanda dhe Belgjika po e kundërshtojnë nënshkrimin e Marrëveshjes pa bashkëpunuar plotësisht me Hagën, që nënkupton arrestimin dhe dorëzimin e Mlladiqit dhe Karaxhiqit.

Në takimin e javës së ardhshme në Luksemburg, vendet anëtare të BE-së do diskutojnë pikërisht qasjen ndaj Serbisë.

Vetë serbët janë të paqartë lidhur me të ardhmen e tyre evropiane. Rreth 70% e serbëve mbështesin idenë e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por vetëm 43% do zgjidhnin Brukselin përpara Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG