Ndërlidhjet

"A po stagnon njohja e shtetit të Kosovës?"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
ZËRI
Ishujt Marshall renditen në numrin 33 të vendeve që njohën deri më tash Republikën e Kosovës. Nga këto 38 shtete, 18 prej tyre janë vende anëtare të Bashkimit Evropian, ndërkaq për nga fuqia Kosova mund të krenohet se në mesin e tyre, 7 shtete i përkasin dhe G-8-shes. Por, për nga shifrat, numri prej 38 vendeve që njohën Kosovën si shtet ende nuk i kënaq në tërësi pritjet e kosovarëve. Pak ditë para shpalljes së Kosovës së pavarur, kryeministri Hashim Thaçi pati deklaruar se ai e ka konfirmimin e rreth 100 shteteve që do ta njohin Kosovën si shtet, qysh në fazën e parë. Ndërkaq, optimizëm të tillë patën shprehur dhe udhëheqës të tjerë kosovarë. Në seancën e fundit plenare të Kuvendit, opozita kritikoi në masë të madhe presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi për mungesën e një lobimi më aktiv në botë, në shërbim të njohjes së shtetit të Kosovës. Deputeti Ardian Gjini, nga AAK-ja, Adem Salihaj, nga LDD-ja, dhe deputetë të tjerë i cilësuan fjalimet e Sejdiut e të Thaçit si joserioze karshi njohjes së shtetit të Kosovës. Me vetë faktin se presidenti thotë se Kosova është njohur afërsisht nga 40 vende, kjo tregon seriozitetin dhe interesimin e tyre për këtë çështje, qenë shprehur deputetë opozitarë në seancën e fundit, ku është diskutuar programi qeverisës dhe puna e deritashme e qeverisë...

EPOKA E RE
Qeveria e Serbisë është duke biseduar me OKB-në për funksionalizimin e organeve të policisë, gjyqësorit dhe doganave në Kosovë, kanë konfirmuar burime të Zyrës së OKB-së në Beograd, e cila i udhëheq këto bisedime. Siç ka theksuar Mark Antoan de Renjak, i ngarkuar për marrëdhënie me publikun në këtë zyrë, bëhet fjalë për "masat e përkohshme praktike për rajonin e Kosovës, ku shumicë janë serbët".
Iniciator i dialogut për këto çështje praktike dhe jostatusore është Qendra e OKB-së në Nju Jork. Megjithatë, shkas për fillimin e diskutimeve janë sugjerimet e Qeverisë së Serbisë, se është e domosdoshme të zgjidhet çështja e policisë, gjyqësorit, bashkëpunimit ndërmjet UNMIK-ut dhe Beogradit, të cilat janë pjesë të marrëveshjes, të cilën ministri për Kosovën, Slobodan Samarxhiq, ia ka dorëzuar UNMIK-ut në Prishtinë, muajin e kaluar, kurse më pas i është dorëzuar edhe OKB-së në Nju Jork, nga shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiq...

KOSOVA SOT
Ndonëse ishte deklaruar se grupet parlamentare do ta harmonizonin qëndrimin për të nxjerrë një deklaratë të Kuvendit për të kundërshtuar pretendimin e Serbisë për t'i organizuar zgjedhjet edhe në Kosovë, asnjë prej ligjvënësve nuk e ka dorëzuar në Kryesi kërkesën për
një gjë të tillë. Deklarimi i legjislativit kosovar, si organi më i lartë i pushtetit në Republikën e Kosovës, kundër organizimit të zgjedhjeve të Serbisë më 11 maj edhe në vendin tonë, mund të bëhet vetëm përmes një mocioni, pasi format e tjera procedurale nuk janë ndjekur. Asnjë nga ligjvënësit kosovarë nuk ka dërguar kërkesë në Kryesi që, në seancën e 29 prillit, të procedohet një deklarim i legjislativit kundër këtij pretendimi të Serbisë. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi deklaroi dje pas mbledhjes së rregullt të Kryesisë së Kuvendit, se kërkesë me shkrim për këtë çështje nuk është bërë, prandaj ai tha se Kryesia nuk mund të adresojë për në Kuvend çështje pa u ngritur nga deputetët...

EXPRESS
Për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, kanë shtrënguar duart dhe kanë shkëmbyer opinione në sallën e Këshillit të Sigurimit, në Nju Jork. Kryeministri Thaçi ka pranuar se Kosova dhe Serbia mund të bisedojnë për çështje të interesit të ndërsjellë, por si dy shtete të pavarura. "Ne, edhe këtu në Këshillin e Sigurimit, në përshëndetjet me presidentin Tadiq dhe me shkëmbimin e disa opinioneve të shkurtra me njëri-tjetrin, unë si kryeministër i Republikës së Kosovës, dhe ai si president i Serbisë, mendoj se kemi dërguar mesazhe të qarta se gradualisht edhe Beogradi ka filluar të ndryshojë në raport me Kosovën. E njeh de fakto realitetin, por de jure i nevojitet edhe pak kohë", ka thënë Thaçi, në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës, të martën...

BOTA SOT
Siç pohon një analist i shquar në Kosovë, para 17 shkurtit (2008) ka ekzistuar një konsensus (së paku midis OKB-së, BE-së, SHBA-së, NATO-s) që deklaroheshin zyrtarisht se gjendja e status quo-s në Kosovë është e pamundur. Pajtueshmëria e forumeve dhe instancave ndërkombëtare për mundësinë e destabilizimit të situatës nëse vazhdonte status quo-ja e para datës 17 shkurt të këtij viti, jo vetëm në Kosovë, po edhe në rajon, i ka dhënë dritë të gjelbër faktorit politik në Kosovë që të shpallet pavarësia e mbikëqyrur. Është konstatuar se Kosovës i ka munguar një status politik që do t'u sfidonte rreziqeve të destabilizimit dhe që do të hapte rrugë për zhvillimin ekonomik dhe kulturor të Kosovës. Situata (nuk po i themi "statusi") i Kosovës para 17 shkurtit nuk i ka mjaftuar tejkalimit të fazës stabilizuese menjëherë pas lufte, dhe zvarritja e gjetjes së një statusi të ri, që zgjati gati nëntë vjet, e keqësoi situatën jo vetëm në planin politik, por edhe në atë ekonomik, kulturor dhe zuri të krijoj atmosferë të "hapësirës së getoizuar”...

INFOPRESS
Nuk mund të ketë një pozitë të fortë, pa një opozitë të fortë. Gjegjësisht kualiteti i qeverisjes së atyre që fitojnë mandatin për të qeverisur varet nga aftësia dhe energjia e opozitës për të monitoruar punën e të parëve. Nëse patëm një raport pune të qeverisë për 100 ditët e para si dhe vlerësime të dyanshme apo shumanshme rreth kësaj pune, sa mund të flitet për pjesën tjetër të politikës në Kosovë, për opozitën parlamentare apo jashtëparlamentare të vendit? Debatet e fundit në Parlamentin e Kosovës tregojnë në një masë se është thyer heshtja. Opozita ka vendosur të jetë e zëshme, që të ketë zërin e saj në proceset e vendit. Kjo shihet si sinjal i mirë. Por, disa nga debatet, megjithatë, cilësohen si "të nxehta", që në vend se të sqarojnë diçka, më tepër nxisin tension dhe grindje të panevojshme. Parlamentarët, të cilët kanë marrë votën e drejtpërdrejtë të popullit të Kosovës, kanë të drejtë të shtrojnë në kuvend të gjitha brengat e kësaj shoqërie. Por, njëkohësisht ata duhet të dëshmojnë një kulturë parlamentare dhe të mos bëhet një arenë kur askush nuk dëgjon tjetrin...

LAJM
Historia e programit qeveritar është pika më e dobët e "Qeverisë aktuale në punën e deritashme. Përveç se janë anashkaluar të gjitha praktikat parlamentare për dorëzimin e tij para deputetëve të Kuvendit, ai nuk e gëzon mbështetjen formale të shumicës së deputetëve. Mundësia e pranimit ose refuzimit të këtij programi nëpërmjet votës nuk u është lejuar atyre nga Rregullorja e punës së Kuvendit të Kosovës, përkatësisht nga kreu VII, i cili përcakton obligimet e kryeministrit dhe të Qeverisë. Rregulla numër 18, paragrafi i dytë, thotë se kandidati i propozuar për kryeministër brenda 15 ditësh pas nominimit të tij duhet t'ia paraqesë Kuvendit programin qeveritar dhe listën e zëvendëskryeministrit, të ministrave dhe të zëvendësministrave të propozuar. Me pas, sipas Rregullores, kabineti qeveritar, së bashku me programin, konsiderohet i zgjedhur nëse e merr shumicën e votave të deputetëve. Mirëpo, kjo rregullore e përcakton vetëm formën e rregullt të formimit të Qeverisë dhe miratimit të programit të saj. Ajo nuk parashikon asnjë mundësi që Qeveria të dorëzojë program 100 ditësh pasi të zgjidhet. Kjo edhe është shfrytëzuar nga përfaqësuesit e pozitës në Kryesinë e Kuvendit, të cilët nuk kanë parashikuar votim për programin e debatuar në Kuvend së fundi...

NACIONAL
Qytetarët e Kosovës kanë marrë pjesë në zgjedhje në përqindje të vogël (vetëm diçka mbi 30 për qind), sepse ata nuk kanë pasur alternativë dhe mundësi të zgjedhin diçka më shumë. Kanë votuar pa motiv. Sipas Pakos së Ahtisaarit, duhet të bëhemi gati për zgjedhje nacionale në pranverën qe vjen. Debëlldeu do të zgjidhet në të mirë të Kosovës dhe të debëlldeasve. Pa merak. S'ka ndarje të Kosovës. Kërkoj nga institucionet e Kosovës që zgjedhjet serbe të 11 majit të shpallen "nul" ne Kosovë. AAK-ja do ta mbajë kuvendin zgjedhor në tetor. Gati për kuadro të reja dhe përforcime. Flet për "Nacional" Ramush Haradinaj...

KOHA DITORE
Në Beograd, sot, (e mërkurë) rifillon takimi për personat e pagjetur, i pari i tillë pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Takimi, i cili do të ndërmjetësohet nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, nuk do të sjellë ndonjë rezultat për sa i përket çështjes së personave të pagjetur, kanë vlerësuar përfaqësues të familjarëve te pagjetur. "Nuk presim rezultat konkret nga takimi. Ky rifillim i punës është krejt formal përderisa nuk është ftuar delegacioni i plotë dhe përfaqësuesit e familjarëve të zhdukur, të cilët në takimet e mëparshme kanë qenë në cilësinë e vëzhguesve", ka thënë kryetari i Asociacionit të Familjeve të Personave të Pagjetur, Haki Kasumi. Ndërsa, kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj, ka thënë se takimi i sotëm ndërmjet dy komisioneve do të jetë informues për punën e deritashme të dy komisioneve. "Takimi do te jetë i karakterit informativ rreth çështjes së të pagjeturve dhe mundësisë së varrezave të dyshimta. Por, gjithashtu do të prezantohet raporti i Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Pagjetur", është shprehur Gjetaj...




XS
SM
MD
LG