Ndërlidhjet

Debatet për ridefinimin e NATO-s


Ushtarët e NATO-s në Afganistan
Ushtarët e NATO-s në Afganistan

Magnati i medias, Rupert Murdoch, është i mendimit se Evropës i mungon gatishmëria politike dhe kultura sociale për të kontribuuar në kuptimin e plotë në operacionet e NATO-s. Ai ka bërë thirrje që NATO-ja të zgjerohet duke përfshirë edhe vendet joevropiane dhe se ideja e "Perëndimit" duhet të zhvillohet përtej kuptimit gjeografik dhe të ridefinohet si një "komunitet i vlerave dhe institucioneve".


Sikurse zoti Murdoch, edhe Patrick Thaddeus Jackson e sheh Afganistanin si çështje vendimtare për rolin e NATO-s në shekullin e 21-të. Zoti Jackson, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Amerikan në Washington, thotë se Afganistani është shembull i mirë se aleanca veri-atlantike është duke e bërë punën për të cilën edhe është krijuar.

Për zotin Jackson, propozimet e zotit Murdoch tingëllojnë si marrëveshje biznesi, me të cilën shtetet pajtohen të punojnë bashkërisht për një synim afatshkurtër dhe specifik dhe pastaj secila palë shkon rrugës së vet, pasi të jetë përmbushur synimi.

Megjithatë, ai thotë se edhe NATO-ja, sikurse edhe aleancat tjera të fuqishme, është më shumë një martesë, në të cilën ndahen vlerat që shkojnë përtej zotimeve specifike. Për shkak të përkushtimeve të përbashkëta me Evropën, zoti Jackson thotë se është gati e paimagjinueshme për Shtetet e Bashkuara që në mënyrë dramatike të ndryshojnë strukturën bazë të NATO-s.

"E vetmja mënyrë, e cila do të kishte kuptim për Shtetet e Bashkuara të thonë se nuk do ta bëjnë më një gjë të këtillë, është nëse ato e shohin veten si një shtet që nuk ka përkushtime të veçanta me Evropën. Me këtë do të nënkuptohej fundi i kësaj aleance që ne e quajmë perëndimore dhe fundi i marrëdhënieve transatlantike", thotë zoti Jacskon nga Universiteti Amerikan në Washington.

Për të, ideja e krijimit të aleancave të ndryshme për secilën krizë veç e veç i gjason pak koalicionit të vullnetit të mirë të presidentit George Bush në Irak.

Por, Michael Rubin beson se Shtetet e Bashkuara duhet që pikërisht kështu t'i aranzhojnë aleancat e tyre, të cilat ai i quan aleanca ad-hoc të vullnetit të mirë. Zoti Rubin është ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare në Institutin Amerikan.

Sipas tij, NATO-ja mbase nuk ka nevojë të shpërbëhet, por, padyshim, ka nevojë të ndryshojë formën se si udhëhiqet, mbi të gjitha për shkak të fraksioneve.

"Një pjesë e problemit qëndron tek Evropa, ku shumë politikanë kanë dëshirë të flasin për unitetin evropian, me gjithë faktin se Bashkimi Evropian ende vepron me rreth 20 politika të jashtme. Nuk mund të shohim veprime serioze nga Gjermania në raport me Afganistanin për shembull, deri pas zgjedhjeve gjermane dhe kështu nuk mund të udhëhiqet një operacion stabilizimi", thotë zoti Rubin.

Natyrisht, thotë ai, propozimet e Robert Murdoch nuk janë domosdoshmërish perfekte. Koalicionet ad-hoc të vullnetit të mirë nuk kanë nevojë ta zëvendësojnë NATO-n, por vetë fakti se alternativat ekzistojnë, mund ta nxisë këtë aleancë ta rishqyrtojë përkushtimin e saj në misionin që ka.
XS
SM
MD
LG