Ndërlidhjet

logo-print

Asambleja Parlamentare e NATO-s përgatit raport për Kosovën


Logo e NATO-s

Logo e NATO-s

Një delegacion nga Asambleja Parlamentare e NATO-s ka qëndruar sot në Kosovë me ç’rast ka zhvilluar takime me udhëheqësit dhe përfaqësuesit e lartë të institucioneve të Kosovës, për hartimin e një raporti për Kosovën.


Asambleja Parlamentare e NATO-s është duke përgatitur një raport lidhur me Kosovën. Në këtë funksion, një delegacion nga kjo Asamble ka qëndruar sot në Prishtinë, me ç’rast ka zhvilluar takime me presidentin Fatmir Sjdiu, udhëheqësinë e Kuvendit dhe zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës.

Kryesuesi i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Michael Clapham, nga Britania e Madhe, tha se delegacioni po qëndron në Kosovë në kuadër të përgatitjes së një raporti, i cili do t’i shërbejë kësaj instance për takim në muajin maj, që do të mbahet në Berlin. Por, ai nuk sqaroi detaje tjera lidhur me këtë raport.

“Ne jemi këtu për të dëgjuar dhe mësuar. Ne duam t'i dëgjojmë pikëpamjet e presidentit për sa i përket të ardhmes së Kosovës. Ne do të përgatisim një raport për Asamblenë Parlamentare të NATO-s ,që do të përgatitet si lloj drafti në takimin e Berlinit në maj", tha Clapham.

Ai tha se pas këtij takimi do të kalohet në një takim të Asamblesë Parlamentare në vjeshtën e këtij viti, kur dhe pritet të ratifikohet raporti. Kryesuesi i këtij delegacioni tha se është i kënaqur me faktin që gjendja e sigurisë, edhe tash pas shpalljes së pavarësisë, mbetet e garantuar nga trupat paqeruajtës të KFOR it.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se roli i NATO-s në Kosovë ka një rëndësi të posaçme. Sejdiu kërkoi dhe mbështetjen e NATO-s për formimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Ne kishim një takim jashtëzakonisht të mirë dhe përmbajtjesor me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s”, tha presidenti Sejdiu.

“I njoftova për zhvillimet, pavarësinë e Kosovës dhe për ecjen tonë të suksesshme krahas sfidave që i kemi edhe qëndrimin tonë për vazhdimin e prezencës së NATO-s në Kosovë, rolin e saj të jashtëzakonshëm dhe për ecjen e Kosovës për të qenë anëtare e NATO-s në të ardhmen, krahas ndërtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në parametrat e duhura të rëndësishme të NATO-s”, tha Sejdiu.

Ndryshe, NATO-ja mbetet e angazhuar vazhdimisht në Kosovë. Pas kalimit të fazës tranzitore, KFOR-i dhe NATO-ja, sipas pakos së Ahtisaarit, pritet të ndihmojnë Kosovën edhe në ngritjen e forcës së saj të sigurisë.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG