Ndërlidhjet

Thaçi: KS mirëpret Kosovën e pavarur


Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker dhe kryeministri Hashim Thaçi
Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker dhe kryeministri Hashim Thaçi

Këshilli i Sigurimit e ka mirëpritur në përgjithësi prezantimin e parë të Kosovës si shtet i pavarur, tha kryeministri Hashim Thaçi, me t'u kthyer nga Nju Jorku, ku, bashkë me shefin e UNMIK-ut, kanë paraqitur pikëpamjet e tyre për gjendjen dhe përparimet në Kosovë.


Kryeministri Thaçi tha se ka shfrytëzuar këtë vizitë në Nju Jork dhe për të zhvilluar një aktivitet diplomatik në shërbim të njohjes së shtetit të Kosovës.

Ai i veçoi si takime inkurajuese bisedat me përfaqësues të Ligës Arabe, Konferencës Islamike, vendeve të Karaibeve, Pakistanit, Libisë dhe vendeve tjera.

Nga Këshilli i Sigurimit, Thaçi tha se po kthehet dhe me mbështetjen e plotë se Serbia nuk mund të organizojë zgjedhje lokale në territorin e Republikës së Kosovës.

"Definitivisht, Kosova ka fituar një mbështetje të fuqishme në Këshillin e Sigurimit, është mirëpritur ai progres. Tash kërkohet avancimi i punëve tona", tha Thaçi.

"Zgjedhjet pretenduese të Beogradit për t'i mbajtur në Kosovë - zgjedhjet lokale- janë të paligjshme, prandaj gjithçka është e qartë. Ne vazhdojmë agjendën tonë", është shprehur Thaçi.

Kryeministri i Kosovës e ka quajtur të suksesshme periudhën e deritashme pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjen ndërkombëtare. Ai tha se nuk duhet shikuar vetëm numrat, por edhe kualitetin e njohjes.

"Nuk është me rëndësi vetëm numri, por edhe substanca e përmbajtja e njohjeve për Kosovën. Kemi mbështetje të fuqishme prej të gjitha atyre vendeve që e kanë njohur pavarësinë, por edhe përkrahje të atyre që janë në proces të njohjes", tha Thaçi.

"Ne, si institucione dhe qytetarë të Kosovës, duhet të kemi mirëkuptim për procedurat e tyre dhe për harmonizimin e qëndrimeve të tyre të brendshme, por mund të themi se e gjithë bota demokratike e përkrah Kosovën", ka shtuar ai.

Mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë është cilësuar e paligjshme edhe nga shefi i UNMIK-ut, Joachim Ryecker. Ai tha se ka biseduar me Nju Jorkun dhe në lidhje me rolin që do të ketë UNMIK-u pas 15 qershorit, kur hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës.

"Unë e informova Këshillin e Sigurimit se rrethanat në terren po ndryshojnë në Kosovë dhe në bashkësinë ndërkombëtare në përgjithësi, dhe ne në Kosovë duhet t'i marrim ato parasysh", tha Ruecker.

"Sidomos, kur Kushtetuta të hyjë në fuqi në qershor, ne me gjasë duhet ta marrim në konsideratë rolin e UNMIK-ut dhe të rikonfigurohemi në dritën e rrethanave që ndryshojnë", shtoi Ruecker.

Ai tha po ashtu se UNMIK-u do të vazhdojë të ketë prani dhe rolin e vet në Kosovë edhe pas 15 qershorit, por se çfarë roli dhe formati do të ketë UNMIK-u, kjo, sipas tij, ka mbetur të qartësohet bashkë me Këshillin e Sigurimit.

Kryeministri Hashim Thaçi, në anën tjetër, thotë se qeveria e tij nuk bisedon për fatin e UNMIK-ut pas 15 qershorit, por angazhohet për bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e UNMIK-ut.

Si Ruecker, ashtu edhe Thaçi, megjithatë, nuk i kanë komentuar bisedimet e Beogradit me autoritetet e OKB-së në lidhje me Kosovën dhe zgjedhjet lokale, por, vetëm përsëritën se ata janë për transparencë dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve teknike përmes dialogut.
XS
SM
MD
LG