Ndërlidhjet

Debat në BE për vlerësimin e komunizmit


Flamujt e BE-së
Flamujt e BE-së

Debati lidhur me të kaluarën historike të komunizmit po zë vend në Bashkimin Evropian. I futur në agjendën e bllokut nga ana e ish-shteteve komuniste, kjo çështje këtë javë u debatua në Parlamentin Evropian në Strasburg. Dallimet e thella ndërmjet vendeve anëtare dhe kampeve politike ndikuan që Parlamenti të mos arrijë marrëveshje për deklaratën e përbashkët.



A mund të krahasohet komunizmi me nazizmin? A e meriton komunizmi një dënim pa ekuivokë si nazizmi?

Këto pyetje ishin në qendër të ndarjeve që ende ekzistojnë ndërmjet vendeve anëtare të reja të Bashkimit Evropian dhe atyre të vjetra.

Shumica e vendeve anëtare të vjetra mendojnë se nuk ka nevojë për një vlerësim të ri historik. Ish-Bashkimi Sovjetik është parë si një aleat në luftën kundër Gjermanisë naziste dhe se partitë komuniste ekzistojnë ende.

Shtetet anëtare të reja të Bashkimit Evropian, nga ana tjetër, synojnë që këtë çështje ta shohin si pjesë kritike të ribashkimit të kontinentit.

Gjatë ekzistimit të bllokut sovjetik, shtypja komuniste ka shkaktuar humbjen e miliona njerëzve, të tjerët i ka privuar nga liria dhe vendet e tyre i ka vendosur në anën tjetër të perdes së hekurt për gjysmë shekulli.

Kjo linjë e argumentit po ashtu ka më tepër ton antagonizmi ndaj Rusisë, presidenti i së cilës, Vladimir Putin, ka thënë se shkatërrimi i ish-Bashkimit Sovjetik "ishte katastrofa më e madhe politike e shekullit XX".

Për ata që synojnë dënimin e komunizmit për krime kundër njerëzimit, e tërë kjo është një betejë në zhvillim e sipër. Por, rezistenca më e madhe vjen nga e majta politikë e BE-së.

Socialisti holandez, Jan Marinus Wiersma, që është një personalitet udhëheqës në grupin socialist të Bashkimit Evropian, e ka sulmuar atë që ai e ka përshkruar si "interpretim politik partiak i historisë".

"Shumë shpesh, interpretime të ndryshme mund të çojnë në vizione të ndryshme, mënyra të ndryshme të kuptimit të gjërave dhe ndonjëherë ksenofobi. Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme në Evropë, që karakterizohet me dallime, që përfshijnë edhe dallimet etnike”, tha zoti Wiersma.

“Nuk ka përgjigje të thjeshtë për çështje të vështira historike. Të mos e theksojmë shumë këtë çështje, pasi shumë shpesh njerëzit kanë interpretim populist të historisë", tha zoti Wiersma.

Ai i ka sulmuar përpjekjet për "krahasime të lehta" ndërmjet regjimeve totalitare, të cilat ai nuk i ka emëruar.

Sipas tij, debatet e këtilla nuk kanë vend në agjendën e Bashkimit Evropian.

Lideri i partisë së vogël majtiste, politikani francez, Fransiz Wurtz, ishte edhe më tepër i drejtpërdrejtë.

Ai refuzoi idenë e "Ideologjive të Nirnbergut" dhe tha se vënia e krimeve të epokës sovjetike në të njëjtën pozitë me ato të nazizmit i relativizon krimet naziste dhe Holokaustin.

Gjatë debatit në Parlamentin Evropian, deputetët nga Polonia, Lituania, Çekia, Estonia dhe nga vendet e tjera në Evropën Lindore, me zemërim i njehën mizoritë nga e kaluara komuniste e vendeve të tyre.

Ata argumentonin se ekzekutime masive të kundërshtarëve politikë dhe deportimi i civilëve që kishin ndodhur nën shtypjen sovjetike duhet të njihen si një pjesë përbërëse e historisë së trazuar evropiane.

Deputeti konservator nga Estonia, Tunne Kelam, u angazhua për "një vlerësim moral dhe politik" të trashëgimisë të regjimeve të komunizmit që do të ishte ekuivalent i vlerësimit të nazizmit.

"Unë jam pak i dëshpëruar me qëndrimin e Komisionit, pasi tema e tij kryesore është ajo se vlerësimi i totalitarizmit komunist do të jetë çështje e brendshme për secilin vend”, tha Kelam.

“Unë frikësohem se kjo do t'i thellojë standardet e dyfishta, pasi qartas, fashizmi dhe nazizmi nuk konsiderohen si çështje të brendshme për asnjë vend të BE-së. Çdo paraqitje e neo-nazizmit ose racizmit, shihet si kërcënim i drejtpërdrejtë për vlerat e përbashkëta të Evropës", tha Tunne Kelam nga Estonia.

Ai më tutje tha se komunizmi, sipas implikimeve të tij, nuk shihet si kërcënim për Evropën.

Viktimat e tij, nga ana tjetër, mbeten "viktima të rendit të dytë ose të tretë", tha ai.
XS
SM
MD
LG