Ndërlidhjet

logo-print

“Vetëm me deklarata kundër zgjedhjeve serbe”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

LAJM
Tërmkolli, të premten e kaluar, e akuzoi rëndë kryeministrin Hashim Thaçi dhe qeverinë e tij si njerëz të korruptuar dhe të përfshirë në krimin e organizuar. Aq larg ka shkuar deputetja e LDK-së, saqë ka aluduar që kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e di se kush janë vrasësit e ish-zyrtarëve të LDK-së, të vrarë pas luftës në Kosovë. Por, pak ditë më vonë, asaj sikur i mungon guximi për ta mbështetur edhe më tej deklaratën e thënë në Kuvend dhe para mijëra shikuesve që po e përcillnin të premten seancën e tij. Edhe pse një ditë më herët Tërmkolli kishte pranuar të deklarohet për "Lajm" lidhur me akuzën e bërë, të mërkurën tha se nuk dëshiron të flasë. "Nuk jam e gatshme të flas sot. Atë çka kam pasur ta them, e kam bërë në seancë dhe kush ka dashur, e ka dëgjuar. Qëndroj pas asaj", tha Tërmkolli. Por, e pyetur nëse mosgatishmëria për të folur për gazetë është një shmangie nga ajo çka ka deklaruar të premten, Tërmkolli e ka konsideruar si fyerje të rëndë për të...

KOHA DITORE
Qeveria e Beogradit vazhdon t’i injorojë UNMIK-un dhe institucionet e Republikës së Kosovës për sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe parlamentare të Serbisë, që priten të mbahen më 11 maj edhe në Kosovë. Derisa përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të vendit kundërshtojnë mbajtjen e zgjedhjeve serbe vetëm me deklarata në media, zyrtarët e Qeverisë serbe tashmë i kanë filluar përgatitjet për organizimin e tyre. Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi ka vendosur për hapjen e 297 vendvotimeve në territorin e Kosovës për zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të këtij shteti. Në Prishtinë planifikohet të hapen 25 vendvotime, në Leposaviq 33 vendvotime, në Mitrovicë 20, në Gjilan 21, në Pejë e Vushtrri nga 8...

EPOKA E RE
Në vazhdën e fushatës zgjedhore të përqendruar në refuzimin e integrimeve evropiane të Serbisë, kryeministri teknik i këtij vendi, Koshtunica, ka vlerësuar se deklarata e komisarit evropian për zgjerim, Oli Rehn, për vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore mes Kosovës e Serbisë, paraqet qëndrimin zyrtar të Brukselit. "Deklaratat e Rehnit, se është obligim i Serbisë të vendosë marrëdhënie të mira fqinjësore me Kosovën dhe se Kosova ka perspektivë evropiane, në mënyre evidente paraqesin qëndrimin zyrtar të Brukselit, sipas të cilit, me nënshkrimin e 'Marrëveshjes së Solanës' (siç e quan Koshtunica Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit), Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe do të obligohet të bashkëpunojë me këtë shtet të rrejshëm", ka vlerësuar kryeministri serb. Koshtunica ka cekur se, pasi që një marrëveshje e tillë me BE-në është kundërkushtetuese dhe përmban qëllimet e pafshehura për copëtimin e Serbisë, askush nuk ka të drejtë ta nënshkruajë atë në emër të Serbisë...

KOSOVA SOT
Në mungesë të Ministrisë së Jashtme ligjvënësit mendojnë se duhet aktivizuar më shumë diplomacinë parlamentare. Ata ankohen se s'kanë buxhet për të lobuar për Kosovën, por pranojnë edhe se nuk kanë paraqitur nisma. Megjithëse shprehen që kanë obligim kushtetues për të punuar në drejtim të përshpejtimit të njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së vendit, anëtarët e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme çuditen pse janë lenë anash në këtë proces, madje edhe pa buxhet për të zhvilluar vizita në shtetet e tjera. Ata thonë se kjo "strategji" e institucioneve të Republikës më të re në botë është e gabuar, para së gjithash për faktin se diplomacia kosovare është e brishtë, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme nuk është e krijuar. Zëvendëskryetari i parë i këtij Komisioni, deputeti Xhavit Haliti, konsideron se Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme nuk e ka përgjegjësinë e atij niveli aq të fuqishëm që të jetë shumë aktiv në lobimin diplomatik, por edhe kur ka pasur iniciativa serioze nuk i është mundësuar aktivizimi...

ZËRI
Ministri Jashtëm i Sllovakisë, Jan Kubish, pas takimit që pati të martën me kryetarin, Fatmir Sejdiu, u gjet në një pozitë te palakmueshme, kur njeri prej gazetarëve kosovarë, me plot të drejtë, ia bëri një pyetje shumë të thjeshtë kryediplomatit sllovak: Ku gjendeni, në Republikën e Kosovës, apo në Krahinën autonome serbe të Kosovës? Kubish, i ciii përfaqëson njërin prej shteteve të Bashkimit Evropian që kanë mbetur në gjysmë të rrugës, u përpoq t'i shmanget duke u përgjigjur që gjendet në Kosovë, dhe që Sllovakia dëshiron të krijojë partneritet me Kosovën. Diplomati sllovak pra, kaloi në fushën e gjeografisë, në ato çaste, duke u kapur për emërtimin e këtij vendi, duke lënë prapa vetes sferën e politikës. Problemi që ka Kubish dhe diplomatët e shteteve të tjera të BE-së (para së gjithash), është i paevitueshëm: Këto shtee nuk mund të sillen edhe një kohë të gjatë ndaj Kosovës, por, në radhë të parë, ndaj shteteve të tjera anëtare të BE-së, dhe ndaj qendrës së BE-së në Bruksel, thuajse asgjë nuk ka ndodhur në Kosovë dhe me Kosovën...

EXPRESS
Pas gjysmës së qershorit, kur Kushtetuta e Kosovës të hyjë në fuqi, misioni i OKB-së në Kosovë do të detyrohet të zvogëlojë rolin dhe numrin e personelit, por tash për tash nuk dihen saktësisht përmasat e ndryshimit. Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, i cili të mërkurën bashkë me kryeministrin, Hashim Thaçi, është kthyer në Prishtinë nga Neë York-u, bëri të ditur se anëtarët e Këshillit të Sigurimit i ka njoftuar për ndryshimet që kanë ndodhur në Kosove që nga 17 shkurti, si dhe ka theksuar nevojën që UNMIK-u të përshtatet në rrethanat e reja. "E theksova këtë fakt, e informova Këshillin e Sigurimit që rrethanat në Kosovë po ndryshojnë dhe misioni i OKB-së në Kosovë duhet ta marrë parasysh këtë", ka thënë Ruecker...

NACIONAL

Letër e hapur kryeministrit Thaçi:
Mos i mbyll sytë para krimit të Del Pontes!
Prof. dr. Pajazit Nushi
I nderuari zoti kryeministër, Ish-prokurorja e Tribunalit për Krimet e Luftës në Hagë, zonja Carla del Ponte, në librin e saj të botuar në gjuhën italiane "La Caccia", shqip "Gjuetia", në mes të tjerash e trajton edhe periudhën e luftës në Kosovë në kontekstin më negativ dhe më diskreditues të mundshëm. Bashkautor i këtij libri është zoti Çak Sudetiq, edhe ky ish-i punësuar në Tribunalin e Hagës. Në këtë pamflet diskreditues, ish-prokurorja e Tribunalit te Hagës, zonja Carla Del Ponte, përveç se fyen të gjithë popujt nga hapësira e Ballkanit që kane qenë të përfshirë në luftë, në veçanti merret me ish-ushtarët e ish-UÇK-së. Në fakt, akuzat e saj janë një konstrukt monstruoz e që për qëllim kanë arritjen e efekteve politike pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës...

BOTA SOT
U hap panairi i shtatë ndërkombëtar Expokos 2008, i cili organizohet nga kompania Congres & Event Organization, në të cilën po marrin pjesë 115 kompani nga 13 shtete të botës. Për katër ditë do të ekspozohen prodhime nga sfera e ndërtimit, energjetikës, teknikës dhe industrisë se drurit. Hapjen e panairit e bëri kryetari i Kosovës Fatmir Sejdiu. Ai tha se në këtë panair ndërkombëtar tradicional, kësaj radhe prezantojnë bizneset e ndërtimit, energjetikës, teknikës dhe industrisë së drurit. Është kënaqësi që në panairin e parë në Kosovën e pavarur ndërkombëtarisht, po marrin pjesë dhe po prezantojnë prodhimet e tyre prodhues nga vende e kontinente të ndryshme...”, tha kreu i vendit...

INFOPRESS
Angazhimi i përfaqësuesve tanë, për gjithë çfarë po ndodh me Kosovën, pas 17 shkurtit, posaçërisht në këto javë të fundit, lë përshtypje sikur po ngacmon disponimin qytetar, i cili rezervat e tij është duke i manifestuar debateve pa ndonjë protokoll. Ndjenja e të qenit subjekt me atribute identiteti, adrese dhe përkatësisë që buron nga vetja jonë dhe e cila, në rastin e Kosovës, inkorporohet në shumicë vullnetesh, s'do mend që ka joshur qejfet tona për çfarë po ndodhte më 17 shkurt, mirëpo zhvillimet tjera pas deklarimit të pavarësisë, respektivisht agresioni i vazhdueshëm i Serbisë, e cila me strukturat e saj paralele s'la gjë pa bërë, duke përdorur edhe dhunën. Vetëpërmbajtja karshi provokimeve si vlerë qytetarie e shumicës së qytetarëve në ato situata aspak të zakonta, s'do mend që atëherë ka ndihmuar edhe pozicionimin e kujdesshëm edhe të përfaqësuesve tanë të institucioneve tona për gjithçka që po ndodhte, e që si i tillë u pasua nga vlerësime pozitive nga qendra që vëzhgonin situatën...



XS
SM
MD
LG