Ndërlidhjet

Politika bllokon Kosovën në hendbollin evropian


Logo e kampionatit evropian në hendboll
Logo e kampionatit evropian në hendboll

Federatës Kosovare të Hendbollit, në takimin në Austri për hedhjen e shortit për Kampionatin Evropian të Hendbollit, më 2010, nuk i është lejuar tërheqja e shortit. Kjo, sipas zyratrëve të kësaj federate, ka ndodhur për arsye politike.


Pavarësisht pjesëmarrjes, ditë më parë, të përfaqësuesve të Federatës Kosovare të Hendbollit në takimin në Austri për hedhjen e shortit për Kampionatin Evropian të Hendbollit në Austri, më 2010, dhe ndryshe nga pritjet e kosovarëve, Kosovës nuk i është lejuar futja në short për këtë garë dhe kjo ka ndodhur për arsye politike.

Kështu thotë Mexhit Devaja, kryetar i Federatës së Hendbollit të Kosovës.

“Ishim me ftesë, të barabartë me të gjitha federatat dhe menjëherë, si kemi arritur, kam kërkuar takim me zotëri Tor Lian. Ai është kryetar i Federatës Evropiane. Me të kam pasur një debat shumë të ashpër dhe ai e kuptonte se jam shumë i shqetësuar. Kam kërkuar arsyen se pse? Prandaj, ai menjëherë më tha se kjo është çështje politike”, tha Devaja.

“Ky është vendim kryekëput politik. Nga vjen ai, dihet. Tash është në pyetje Rusia. Deri kur më do të jetë çështje politike Kosova? Kosova e ka tejkaluar më çështjen politike. Më 17 shkurt është bërë e pavarur dhe nga atëherë, thjesht, ne jemi të Evropës dhe nuk jemi të Azisë. Sport i Kosovës që 20 vjet nuk ka parë dritë jeshile”, u shpreh Devaja.

Ai shton se Kosova, me gjithë faktin se është anëtare e Federatës Evropiane të Hendbollit, po ashtu për shkaqe politike, ajo ende ka mbetur si anëtare me të drejta të kufizuara.

Pengesat për mosfutjen e përfaqësueses kosovare të hendbollit në tërheqje të shortit për Kampionatin Evropian të Hendbollit, si politike i sheh edhe Gani Kosumi, redaktor për emisionet e sportit në Radio Kosovë.

“Lobimi serb e ka bërë të veten dhe në shumë federata evropiane dhe botërore, federatat e Kosovës kanë probleme sa i përket anëtarësimit të plotë në mekanizmat e sportit ndërkombëtar”, thotë Kosumi.

“Në këtë drejtim ishte edhe takimi i Federatës së Hendbollit të Kosovës që bëri përpjekje për pranim të plotë në Federatën Evropiane dhe Botërore të Hendbollit. Mendoj se situata politike është e atillë, siç është edhe me tërë Kosovën. Edhe sporti po përjeton çaste të vështira në këto momente”, shprehet Kosumi.

Ndryshe, zoti Devaja thotë se ekziston ende një mundësi që Kosova të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Hendbollit më 2010 në Austri, nëse ndërkohë ajo pranohet si anëtare e barabartë e federatës evropiane të hendbollit.

“Dje ka arritur shkresa nga EHF, me nënshkrimin e Tor Lianit, që Federata e Hendbollit të Kosovës ta bëjë kërkesën deri më 26 qershor. Do të thotë, parashihet që në kongresin e shtatorit të pranohet”, thotë Devaja.

“Këtu ka ende kohë, sepse janë tri grupe nga 6 shtete dhe janë katër grupe nga 5 shtete. Do të thotë, 38 shtete gjithsejtë. Prandaj, në katër grupet ku janë nga 5 shtete, ka vend që të hyjë edhe Kosova. Do të thotë, ende nuk është definitive. Ka gjasa, sepse kongresi mbahet më 26-27 shtator”, shtoi Devaja.

Ai tha se Federata e Hendbollit e Kosovës ka mbetur e vetmuar në luftën e saj për t’u pranuar në Federatën Evropiane të Hendbollit dhe se deri më tash nuk ka pasur ndihmën dhe mbështetjen e asnjë faktori politik në Kosovë, qoftë vendor, qoftë ndërkombëtar.

Ngjashëm thotë edhe zoti Kosumi.

“Kujtoj se Qeveria, Ministria e Sportit, pastaj kreu i federatave të sporteve të Kosovës duhet të bëjnë një trysni më të madhe, në mënyrë që të anëtarësohen në mekanizmat ndërkombëtarë”, shprehet ai.

“Sporti kosovar ka kaluar një periudhë të vështirë të mbijetesës, tash 17-18 vjet me radhë i izoluar në Kosovë, dhe tash, kur Kosova është shpallur Republikë e pavarur, mendoj se duhet të ndryshojë diçka dhe t’u hapen rrugët sportistëve kosovarë për pjesëmarrje në garat ndërkombëtare”, tha Kosumi.
XS
SM
MD
LG