Ndërlidhjet

Prishtina: Bisedimet OKB-Beograd të pabaza


Prishtina
Prishtina

Qeveria e Kosovës dhe opozita i konsiderojnë të pabaza bisedimet mes Zyrës së OKB-së në Nju Jork dhe Qeverisë së Beogradit, për shkak se në to nuk merr pjesë askush nga kosovarët.


Problemet në gjyqësi, polici e dogana, të paraqitura pas shpalljes së pavarësisë në mjediset serbe, konsiderohen të jenë çështjet që do diskutojë Zyra e Kombeve të Bashkuara në Beograd me Qeverinë serbe.

UNMIK-u nuk është përfshirë fare në këto bisedime, të quajtura teknike, sikurse që nuk është i përfshirë askush nga institucionet e Kosovës.

“Selia e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork ka kërkuar nga Zyra e OKB-së në Beograd, që me Qeverinë e Serbisë të kërkojë zgjidhje për minimin e vazhdueshëm të mandatit të UNMIK-ut”, tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Sven Lindholm.

“UNMIK-u, si mision, nuk është i përfshirë direkt në këto bisedime, por këto do të jenë të një natyre teknike, që do të merren me fushat, në të cilat UNMIK-u qe sfiduar”, thotë Lindholm, duke theksuar se bisedimet nuk kanë filluar ende.

Fillimin e bisedimeve e kanë konfirmuar mediat serbe.

Lindholm nënvizon se bisedimet kanë të bëjnë me fushat, të cilat që nga shpallja e pavarësisë nuk janë duke funksionuar në veri të Kosovës.

“Bëhet fjalë për fushat, ku para një muaj e gjysmë, siç e ka parë secili, UNMIK-u është sfiduar. Këtu përfshihen fusha të qeverisjes, policët që kanë braktisur SHPK-në, hekurudhat, doganat, pra fusha që lidhen me çështje teknike”, thotë Lindholm.

Qeveria e Kosovës është informuar për këto bisedime, por jo edhe e ftuar që të marrë pjesë në to.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i konsideron këto bisedime si të papranueshme, meqë në to nuk merr pjesë asnjë kosovar.

“Po, ne kemi marrë informata për disa bisedime që bëhen, por për Kosovën vendosin qytetarët e Kosovës dhe institucionet legjitime”, thotë Kuçi.

“Të gjitha bisedat tjera, në veçanti ato që kanë të bëjnë me zhvillimet e brendshme të Kosovës, janë të pabaza”, thekson ai.

Në anën tjetër, opozita kritikon qasjen e Kombeve të Bashkuara që të bisedojë për Kosovën, pa qenë të përfshirë vetë kosovarët.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gjylnaze Syla, shpreh shqetësimin e saj se në këto bisedime mund të përsëritet praktika e mëhershme e UNMIK-ut që të arrijë marrëveshje me Beogradin zyrtar, pa e pyetur fare Kosovën.

“Ne veç e kemi një përvojë me PSSP-në e mëparshëm, Hakerupin, që në të vërtetë ka qenë një marrëveshje e atëhershme në mes të UNMIK-ut dhe të Qeverisë së Serbisë dhe janë instaluar, me atë rast, në bazë të asaj marrëveshjeje, edhe strukturat paralele, gjë që ka paraqitur vazhdimisht problem për Kosovën, e që ky problem vazhdon edhe në ditën e sotme”, tha Syla.

Por, a do të zbatojë UNMIK-u atë që do të jetë rezultat i bisedimeve mes Zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe Qeverisë serbe?

“Çdo lloj diskutimi që ka kjo zyrë, e që kanë bisedime të rregullta me zyrtarët serbë. Por, çdo gjë që prek mandatin e UNMIK-ut, për këtë konsultohet edhe vetë shefi i UNMIK-ut dhe vetë misioni”, thotë Lindholm.

Në anën tjetër, zgjedhja e Zyrës së OKB-së në Beograd për të zhvilluar këto bisedime, sipas analistit politik, Ramush Tahiri, konsiderohet e vetmja mundësi për të bërë diçka në zgjidhjen e problemeve teknike në mjediset serbe, meqë serbët nuk duan të bashkëpunojnë me institucionet tjera të Kosovës, përveç se me UNMIK-un.

“Këto bisedime konsiderohem e vetmja mundësi për të realizuar, të themi përfitime praktike, ose të mira për të zgjidhur çështjen me komunitetin serb të Kosovës dhe që kanë të bëjnë me shtetin e Serbisë”, tha Tahiri.

“Momentalisht, edhe për një kohë nuk ka zgjidhje tjera më praktike, që do të mund të bëheshin me vullnetin e të gjitha palëve”, theksoi ai.

Pas shpalljes së pavarësisë, Qeveria serbe i ka kërkuar komunitetit serb në Kosovë që të dalë nga të gjitha institucionet e Kosovës, ndërkohë që ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, ka propozuar një marrëveshje për ndarjen e Kosovës në vija etnike.

UNMIK-u nuk beson se ky propozim do të diskutohet mes Zyrës së OKB-së në Beograd dhe Qeverisë serbe, meqë, sipas zyrtarëve të këtij misioni, bisedimet janë kërkuar që të mbahen nga Zyra e OKB-së, e jo nga Beogradi.
XS
SM
MD
LG