Ndërlidhjet

Nushi: Jemi të detyruar të reagojmë kundër Del Pontes


Pajazit Nushi

Pajazit Nushi

“Përderisa bota e jashtme reagon në këtë mënyrë ndaj Del Pontes, edhe ne jemi të detyruar të reagojmë”, thotë Pajazit Nushi, drejtor i KMDLNJ-së, për Radion Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Nushi, bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë për personat e pagjetur kanë rifilluar. Ju keni kryesuar delegacionin kosovar në këto bisedime. A ka pasur ndonjë rezultat?

PAJAZIT NUSHI
Kjo ka qenë mbledhja e trembëdhjetë, e mbajtur ndërmjet delegacionit të Qeverisë së Serbisë dhe delegacionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Për herë të parë kemi shkuar si delegacion i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe kemi pasur një mirëkuptim, sepse kemi pritur që mund të ketë provokime të posaçme, por, për fat të mirë, nuk pati provokime.

Mbledhja ka pasur karakter të mbyllur. Janë shqyrtuar raportet e nëngrupit tonë që merret me çështjet profesionale mjekësore-ligjore, të cilin e ka përfaqësuar Zyra e UNMIK-ut për persona të pagjetur.

Kemi raportuar për 435 ekshumime që janë kryer prej dhjetorit deri në fund të marsit të këtij viti, nga të cilët 379 janë ekshumuar në Kosovë dhe 56 tjera të mbetura nga grupi i transferuar nga Serbia, mbesin për t’u identifikuar më vonë.

Ne, njëkohësisht, më 4 dhjetor, u kemi kthyer familjeve katër mbetje mortore, kurse në vitin 2008 kemi bërë edhe incizime të posaçme për mundësinë e gjetjes së atyre varrezave, ku supozohet se mund të kemi mbetje mortore.

Kjo tregon se një arritur e kohës ka qenë e mundur të bëhet, ndonëse familjarët nuk janë të kënaqur; ato nuk janë të kënaqur edhe kur po u sjellim eshtrat. Fatkeqësisht, kështu është situata e tyre dhe unë i kuptoj plotësisht.

Por, nuk mund të thuhet se nuk është bërë asgjë, siç po përcillet në lajmet e përgjithshme, sepse Kosova, bie fjala, ka gjetur më tepër të zhdukur, sesa që ka gjetur Kroacia apo Bosnja.

Për këtë arsye, të arriturat janë të pamjaftueshme, por shënojnë një hap përpara.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka pasur pengesa dhe cilat ishin ato?

PAJAZIT NUSHI
Pengesa të posaçme nuk kemi pasur. E mira e kësaj mbledhjeje ka qenë se janë zhveshur krejtësisht elementet politike dhe ne po i përmbahemi saktësisht misionit tonë. Ai mision ka karakter humanitar.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se kjo çështje do të mund të zgjidhet në ndonjë afat të caktuar kohor?

PAJAZIT NUSHI
Për fat të keq, do të jetë një numër (i të zhdukurve) që kurrë nuk do jetë e mundur të gjendet dhe të identifikohet.

Për fat të keq, kjo çështje do të zgjasë, e për fat edhe më të keq do të jetë një numër që kurrë nuk do jetë e mundur të gjendet dhe të identifikohet.

Është e keqe shumë e madhe për të gjithë ne. Edhe unë jam një prej familjarëve që kam të zhdukur, por e vërteta është kjo.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë se libri i Carla Del Pontes, “Gjahu”, ka qenë temë e bisedimeve gjatë takimit të fundit. Ju, ndërkaq, në një letër drejtuar Qeverisë së Kosovës, keni dhënë rekomandime për veprim në raport me këtë libër. Për çfarë bëhet fjalë?

PAJAZIT NUSHI
Ne nuk e kemi trajtuar çështjen e përmbajtjes së librit të Carla Del Pontes në këtë mbledhje, por kemi marrë një tekst përmbajtjeje që ka të bëjë me raportin tonë ndaj Serbisë dhe me të cilin tekst edhe pala serbe tregon se këto janë të pavërteta.

Dua të theksoj, lidhur me letrën e dërguar kryetarit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dy zëvendëskryetarëve të Qeverisë dhe ministres së Drejtësisë, se ajo ka për qëllim nxitjen e tyre për ta hulumtuar thellësisht përmbajtjen e kësaj letre, sepse kemi konstatuar se përmbajtja e kësaj letre godet jashtëzakonisht rëndë shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri.

Për këtë arsye, duhet kërkuar një përgjegjësi reale ndaj Carla Del Pontes, sikurse edhe ndaj atyre që e kanë udhëzuar ose prej të cilëve ka marrë informacione të tilla.

Unë do t’ju lexoj dy-tri pjesë të vogla, me të cilat ofendohet rëndë udhëheqësia e sotme e Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Në faqen 290-292, një person i familjarëve të të zhdukurve nga Beogradi, me mbiemrin Gjinoviq, i ka raportuar udhëheqësisë së atëhershme të Tribunalit të Hagës, gjatë kohës kur Carla Del Ponte ka vizituar Beogradin, si vijon: Liderë të organizatës së UÇK-së, Hashim Thaçi dhe komandanti i tij, Agim Çeku, janë përgjegjës për humbjen dhe gjakderdhjet në Kosovë.

Këta, thuhet në këtë faqe, kanë marrë me kamionë një numër civilësh serbë dhe i kanë bartur në territorin e Shqipërisë, ku përmendët Kuksi dhe Burreli.

Në Burrel përmendet një shtëpi e ngjyrosur me ngjyrë të verdhë, në të cilën, gjoja, qenkan kryer disa operacione kirurgjike për nxjerrjen e organeve vitale, në radhë të parë të veshkave, të njerëzve që paraprakisht janë mbajtur me ushqim të fortë dhe në kushte të mira, dhe ato organe më vonë qenkan tregtuar nga ana e përfaqësuesve të UÇK-së.
Ne (librin) e kemi marrë si ofendim jashtëzakonisht të rëndë për popullsinë e Kosovës, për UÇK-në dhe posaçërisht për zotin Hashim Thaçi, si kryeministër i Kosovës, dhe zotin Agim Çeku, si ish-kryeminsitër dhe një prej udhëheqësve të UÇK-së.

Ne këtë e kemi marrë si ofendim jashtëzakonisht të rëndë për popullsinë e Kosovës, për UÇK-në dhe posaçërisht për zotin Hashim Thaçi, si kryeministër i Kosovës, dhe zotin Agim Çeku, si ish-kryeministër i Kosovës dhe një prej udhëheqësve të UÇK-së.

Neve na duhet të reagojmë gjithsesi ndaj këtyre akteve shumë të rënda që paraqiten në një libër, i cili nuk ka gjetur përkrahjen as nga ana e Zvicrës.

Është thënë shumë rëndë edhe nga ana e këshilltares së Carla Del Pontes, sikurse që është komentuar me fjalë të rënda përmbajtja e këtij libri nga ish-përfaqësuesi i sekretarit gjeneral të OKB-së në Prishtinë, zoti Kushner, tash ministër i Punëve të Jashtme të Francës.

Përderisa bota e jashtme reagon në këtë mënyrë, ne jemi të detyruar që të reagojmë, sepse edhe ne, si institucion, si Këshill, jemi përgjegjës ndaj institucioneve ndërkombëtare, nëse nuk e bëjmë këtë reagim.

Nëse është e vërtetë, le të jetë ai edhe Pajazit Nushi, ai duhet të përgjigjet para gjyqit, ose nëse nuk është e vërtetë, le të përgjigjet vetë Carla Del Ponte.


  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG