Ndërlidhjet

"Dorëheqja e Rueckerit?"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
ZËRI
Joachim Ruecker, shefi i gjashtë i UNMIK-ut në Kosovë (që prej 10 qershorit të vitit 1999, kur në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së u krijua Administrata Ndërkombëtare në Kosovë), sipas burimeve diplomatike perëndimore, nuk dëshiron më të mbetet në këtë post, gjegjësisht, preferon të tërhiqet sa më parë nga pozita e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Ruecker ka ardhur në Kosovë në vitin 2005, së pari si udhëheqës i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut (Bashkimi Evropian), ku ndikoi në ringjalljen e procesit të bllokuar të privatizimit të ish-ndërmarrjeve shoqërore, ndërsa, pas largimit të Soren Jesen-Peterssenit, në fund të qershorit të vitit 2006, Ruecker mori postin e Njëshit të UNMIK-ut, me shpresë që do të jetë administratori i fundit ndërkombëtar në Kosovë.
Vetë Ruecker, përndryshe, hiç më pak se gjatë qëndrimit të tij në Nju-Jork {ku mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së), ka përgënjeshtruar paralajmërimet për largimin e tij nga Prishtina. Por, sipas burimeve diplomatike perëndimore, Ruecker tashmë ia ka bërë me dije Qeverisë së Gjermanisë, e më pas edhe kreut të OKB-së në Nju-Jork, që është i interesuar që sa më parë që është e mundur, ta përmbyllë detyrën e tij në Prishtinë...

KOSOVA SOT
Shteteve që e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës nuk do t’u ndalohet t’i mbajnë zyrat e tyre diplomatike në Prishtinë. Sipas kryetarit Sejdiu, edhe ashtu, një ditë ato zyra do të jenë ambasada. Rusia, Sllovakia e Spanja janë disa nga shtetet e pakta në numër që e kanë kundërshtuar ose kanë deklaruar se nuk janë të gatshme që deri në një fazë ta njohin pavarësinë e Kosovës. Sidoqoftë, shumë nga shtetet që kanë qëndrim të tillë karshi pavarësimit, vazhdojnë të mbajnë zyrat e tyre diplomatike në Prishtinë, që i kanë hapur para shpalljes së pavarësisë, kanë trupa në përbërje të KFOR-it ose pjesëtarë të tyre në kontingjentet e stafit të UNMIK-ut. Kryetari i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha dje se institucionet e vendit nuk kanë disponim që të izolojnë Kosovën ndaj asnjë shteti, e as edhe ndaj atyre që në këtë fazë nuk mund të njohin pavarësinë, ose edhe e kundërshtojnë atë...

EPOKA E RE

Puna e UNMIK-ut duhet të përfundonte me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Udhëheqësit politikë ndërkombëtarë dhe ata vendës të Kosovës kanë deklaruar se OKB-ja do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë edhe pas 15 qershorit, kur pritet që Kushtetuta e re e Kosovës të hyjë në fuqi. Por, ata janë shprehur se formati i saktë i misionit të ri do të duhet të përcaktohet më vonë. Lidhur me këtë çështje, kreu i administratës ndërkombëtare, Joachim Ruecker, ka deklaruar se Kosova vazhdon të udhëhiqet mbi bazën e Rezolutës 1244 dhe ajo do të jetë udhërrëfyese për të edhe për një periudhë kohore. "OKB-ja do të ketë një rol në vazhdimësi në Kosovë edhe pas 15 qershorit dhe rikonfigurimi i saktë si dhe formati i plotë i UNMIK-ut, pas kësaj date, mbeten të caktohen më vonë", është shprehur ai. Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë të enjten se administrata ndërkombëtare që vepron në Kosovë, është një e vetme, si për kosovarët, ashtu edhe për minoritetet...

EXPRESS
Qysh mundet një pushtet demokratik ta ndalojë një komunitet të caktuar për të organizuar zgjedhje paralele politike? Në rastin tonë konkret, qysh do të mundte Qeveria e Kosovës - ose edhe UNMIK-u - t'i ndalojë serbët lokalë që të hedhin votat e tyre në mënyrë paqësore në kutitë e votimit, e në anën tjetër ndaj pjesëtarëve të këtij komuniteti të mos përdorë mjete të dhunës? Sa demokratike do të ishte për një shtet në formësim e sipër, të cilin sapo e njohu shteti i 40, që jetën e tij ta niste me dajak ndaj pakicave? Pamjet e shëmtuara të çfarëdo dhune që do të mund t'i shoqëronte këto zgjedhje - pa marrë parasysh fajtorin - do ndikonin që ky numër prej 40 vendesh të ngelej këtu ku është edhe për ca muaj të tërë. Përveç kësaj, opinioni publik botëror nuk do të fitonte ndonjë simpati te veçantë për ne, nëse sheh policinë duke ndjekur me kërbaç, civilët të cilët në dorë kanë vetëm një fletë të bardhë votimi, ku ndoshta ende nuk e kanë nënvizuar kandidatin e preferuar të tyre?...

BOTA SOT
Shërbimi Inteligjent i Republikës së Kosovës është në formim e sipër, ndërkaq ligji për këtë shërbim aktualisht është në procedim dhe ky projektligj shumë shpejt do t'i dërgohet Kuvendit për miratim. Ky angazhim vjen si rezultat i punës shumëvjeçare të eksperiencave dhe modaliteteve më të avancuara nga shtetet me traditë lë gjatë demokratike. "Krijimit të Shërbimit Inteligjent të Kosovës i kanë paraprirë një sërë angazhimesh të improvizuara nga ndikimet partiake, por Shërbimi Inteligjent i Kosovës, i cili është në ndërtim e sipër, nuk posedon elementet e një strukture partiake. Kjo do të shërbejë në radhë të parë për të monitoruar kërcënimet kundër sigurisë së brendshme të Kosovës, por edhe në ndërhyrjet e shpejta dhe mënjanimin e aktiviteteve terroriste, kriminale dhe veprave të tjera antiligjore", vlerëson eksperti për çështje ndërkombëtare, Qerim Qerimi...

INFOPRESS

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas kthimit nga Nju Jorku, ku u paraqit në cilësinë e kryeministrit të shtetit, bëri të ditur se brenda një kohe relativisht të shkurtër, shtetin më të ri në botë, Kosovën, pritet ta njohin përafërsisht njëqind shtete të botës demokratike. Deri më tani, Kosova është pranuar nga rreth dyzet shtete, në mesin e tyre fuqitë më të mëdha ekonomike dhe ushtarake të botës. Me plotë të drejtë, kryeministri deklaron se deri më tani ka ndodhur njohja kualitative e Republikës së Kosovës, ndërsa tash e tutje vazhdon njohja numerike e shtetit tonë, që gjithashtu është e rëndësishme pothuajse sa ajo e para. Lobimi i institucioneve të Kosovës për këtë njohje, që po quhet numerike, tanimë ka filluar. Gjatë vizitës në Nju Jork, kryeministri bashkë me të nominuarin për ministër të Jashtëm të Republikës së Kosovës, kishin takime të shumta me krerë të ndryshëm të shteteve që e kanë njohur shtetin e Kosovës, me ata që janë ne proces të njohjes dhe ata krerë shtetesh, vendet e të cilëve ende po shprehin hezitim të ndërmarrin hapin e njohjes së Republikës së Kosovës. Pjesa e parë e këtyre të fundit, po hezitojnë në njohjen e shtetit të Kosovës, shkaku i ndërvarësisë ekonomiko-politike nga Rusia, ndërsa pjesa e dytë shkaku i problemeve me krahina separatiste brenda shteteve të tyre...

LAJM
Njëzet ditë pas kthimit nga Haga, Ramush Haradinaj është takuar me shumë personalitete lë larta politike, akademike e diplomatike. Ish-kryeministri i Kosovës është takuar me përfaqësues të lartë politikë nga Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës. Është takuar me familjet e heronjve të Kosovës, përfaqësuesit e Trupave Mbrojtëse (TMK) dhe me rektorin e Universitetit të Prishtinës. Ka pasur takime me liderët e opozitës, duke përfshirë edhe ata me të cilët ka pasur kundërthënie në të kaluarën, si Nexhat Daci. Por, Haradinaj nuk është takuar me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, përveç që nuk e kanë dërguar askënd në Aeroportin e Prishtinës kur Haradinaj ka arritur nga Haga, as nuk e kanë pritur ose vizituar atë në zyrën e tij në AAK. Për më tepër, institucionet e Kosovës nuk kanë organizuar asnjë ceremoni, sado modeste, për nder të lirimit të tij nga Haga, ku ai ka shkuar si kryeministër në dorëheqje i vendit...

KOHA DITORE
Kryetari serb, Boris Tadiq, të shtunën, vjen në Kosovë, për t'i festuar Pashkët Ortodokse me priftërinjtë e Manastirit të Deçanit. Udhëheqësit ndërkombëtarë ne Kosovë dhe ata vendorë kanë dhënë pëlqimin e tyre për këtë vizitë, edhe pse Tadiq nuk i ka pyetur ata fare. Derisa kryetari serb e ka koordinuar vizitën e tij në Kosovë me Zyrën e OKB-së në Beograd, shefi i Misionit të OKB-së në Kosovë, Joachim Ruecker, është konsultuar me eprorët kosovarë për këtë vizitë dhe është arritur pajtimi që "përderisa Tadiq të mos bëjë fushatë në Kosovë, ai mund të vijë", kanë bërë të ditur burime ndërkombëtare, të enjten. Ky pajtim, sipas burimeve në fjalë, është nxjerrë nga Qeveria dhe Presidenca e Republikës së Kosovës, dy ditë pasi një kërkesë e tillë u është parashtruar Kombeve të Bashkuara. Edhe pse Kombet e Bashkuara në vazhdimësi kërkojnë që Serbia të mos sfidojë autoritetin e Misionit të OKB-së në Kosovë, këtë herë vetë zyra e OKB-së në Beograd e ka anashkaluar UNMIK-un...

XS
SM
MD
LG