Ndërlidhjet

"Agjenda serbe për Kosovën, e mbështetur nga Rusia dhe disa aleatë të Serbisë, paraqet rrezik shumë të madh për Maqedoninë dhe rajonin", thotë për Radion Evropa e Lirë, Edward P. Joseph, ekspert amerikan për Ballkanin.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Joseph, Kosova mbetet shqetësim kryesor për votuesit në Serbi gjatë zgjedhjeve të majit, të parat që nga shpallja e pavarësisë. Cili do jetë ndikimi i Kosovës në këto zgjedhje?

EDWARD P. JOSEPH
Nuk jam shumë i sigurt se Kosova është shqetësimi kryesor, apo së paku i vetmi shqetësim kryesor për zgjedhësit serbë.

Anketat e opinionit tregojnë se ekonomia dhe korrupsioni janë shqetësime të mëdha, të cilat do mund të kenë ndikim të ndjeshëm në këto zgjedhje kyçe për Serbinë.

Për ironi, janë pikërisht këto çështje pikat e dobëta të partisë së Tadiqit.

Pa diskutim, Kosova është një çështje e rëndësishme, por nuk jam i sigurt që është çështja kryesore për këto zgjedhje.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa demokratik është blloku i partive të quajtura si të tilla në Serbi?

EDWARD P. JOSEPH
Mendoj se mënyra më e mirë për të gjykuar bllokun e partive demokratike në Serbi, është t'i krahasojmë me Kroacinë, për shkak të ngjashmërive, lidhjeve historike dhe problemit që kanë pasur dy vendet me nacionalistët.

Ky krahasim na nxjerr në pah një kontrast të thellë.

Në Kroaci ka një përparim të jashtëzakonshëm politik dhe ekonomik. HDZ-ja e Tugjmanit është reformuar, ka larguar bllokun nacionalist dhe u angazhua plotësisht për orientimin evropian.

Fatkeqësisht, një gjë e tillë nuk ka ndodhur në Serbi.

Ata janë ende në kurthin e nacionalizmit ballkanik, çfarë po e mban politikën dhe ekonominë serbe peng.

Përparimi do ishte shumë më i madh nëse do ishin shëruar nga virusi i nacionalizmit, që e ka brejtur kaq shumë këtë rajon që nga fillimi i viteve '90.

RADIO EVROPA E LIRË
Bazuar në këto që sapo thatë, a duhet të presim ndryshime reale pas zgjedhjeve të 11 Majit?

EDUARD P. JOSEPH
Nuk e di. Mendoj se zgjedhjet e 11 Majit mund të jenë shumë të rëndësishme, pasi jo të gjitha partitë në Serbi janë njësoj.

Ka dallime të ndjeshme mes partive politike, çfarë i bën këto zgjedhje të rëndësishme.

Le të kujtojmë se presidenti Tadiq ka angazhim shumë më të madh ndaj orientimit perëndimor se rivalët e tij dhe këtë nuk duhet ta nënvlerësojmë.

Duhet ta dimë se politika kufizohet nga mjedisi në të cilin zhvillohet. Në këtë kuptim, nuk jam i sigurt se në Serbi do të shohim hapa që do t'i qasen vendosmërisht të keqes së trashëguar nga e shkuara.

Megjithatë, 11 Maji mund të jetë një hap në këtë drejtim, pavarësisht rezultatit.

Këto zgjedhje mund të kenë ndikim pozitiv në zhvillimin politik të Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa e rrezikshme është politika aktuale serbe ndaj veriut të Kosovës? Dua të kujtoj këtu dhe vendimin e Beogradit për mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë.
Çfarë precedenti mund të krijojë një hap i tillë për Kosovën e pavarur dhe raportet mes dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë?

EDWARD P. JOSEPH
Është një politikë shumë e rrezikshme. Ky është dhe ilustrimi i mungesës së zhvillimit politik të Serbisë, i cili ka marrë në rastin konkret një drejtim jashtëzakonisht të rrezikshëm.

Pyetja që shtrohet është më e gjerë se mbajtja e zgjedhjeve.

Është e qartë se Beogradi ka një agjendë të caktuar për të zhvlerësuar pavarësinë e Kosovës.

Shqetësimi më i madh ka të bëjë me faktin se shumë nga udhëheqësit politikë serbë e mbështesin këtë agjendë.

Agjenda serbe, e mbështetur nga Rusia dhe disa aleatë të Serbisë, paraqet rrezik shumë të madh për Maqedoninë dhe rajonin në tërësi.
Është kyçe që çështja e Kosovës të mbyllet njëherë e përgjithmonë. Ky është thelbi i problemit dhe mbetet sfida kryesore.


Është kyçe që çështja e Kosovës të mbyllet njëherë e përgjithmonë. Ky është thelbi i problemit dhe mbetet sfida kryesore.

Natyrisht, plani i Ahtisaarit ia garanton të gjitha të drejtat pakicës serbe dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të fokusohet në këto çështje.

Për t’i realizuar këto të drejta, duhet bashkëpunuar me Beogradin dhe me serbët e Kosovës, që duhet të jenë plotësisht të përfaqësuar në një Kosovë, integriteti territorial i së cilës është i garantuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët rrezikun me të cilin përballet Maqedonia. Ç'mund të thoni më konkretisht?

EDWARD P. JOSEPH
Maqedonia që kemi sot, ka një sfidë ndëretnike brenda vetes. Së paku, çereku i popullsisë është shqiptare.

Kishim konfliktin e vitit 2001, i cili përfundoi me një marrëveshje, që ka rezultuar si marrëveshja paqësore më e suksesshme në rajon.

Ajo marrëveshje shërben si lokomotivë e një procesi, ku pakica ta ndjejë veten se është pjesëmarrëse e plotë në një shtet demokratik.

Është themelore që ta mbajmë këtë drejtim. Për fat të keq, u humb një mundësi që të sigurohet ecja në këtë drejtim gjatë takimit të NATO-s në Bukuresht.

RADIO EVROPA E LIRË
Para takimit të Bukureshtit keni shkruar se mosftesa e Maqedonisë për në NATO do ta rrezikojë vendin. Shkupi nuk e mori ftesën. A përballet Shkupi ende me këto rreziqe?

EDWARD P. JOSEPH
Na duhet t'i kuptojmë drejt se cilat janë rreziqet. Këto të fundit nuk përkthehen në rënie të menjëhershme të shtetit.

Më duhet të theksoj se nuk ka arsye për kolapsin e Maqedonisë, por duhet të jemi të qartë për rreziqet e trashëguara të këtij vendi.

Procesi i paqes është, në fund të fundit, një proces që mund të vazhdojë vetëm nëse ecën përpara.

Nëse procesi mbetet në vend, atëherë ekziston rreziku i përtëritjes së konfliktit.

Së dyti, e dimë se ka agjenda, të cilat bazohen në armiqësinë ndaj identitetit maqedonas, e këtu nuk futet vetëm Greqia, por edhe Bullgaria e Serbia. Kjo përfaqëson një sfidë të madhe për Maqedoninë.

Që marrëveshja e Ohrit të ecë përpara, duhet të ketë shtytësin kryesor, atë të integrimit euroatlantik, që i mban të lidhura dy bashkësitë.

Nëse ia heq këtë perspektivë, atëherë fillon t'i hapësh udhë komplikimeve mes shqiptarëve dhe maqedonasve dhe fillojnë të ngrenë krye vështirësitë ballkanike.

Në këto kushte duhet të adresohen në mënyrë sa më të ndershme dhe urgjente kundërshtimet greke për emrin, që t'ia kthejmë Maqedonisë perspektivën euroatlantike, çfarë ka ndikim të jashtëzakonshëm në Kosovën fqinje.

RADIO EVROPA E LIRË
Maqedonia ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës. Cilat janë arsyet e këtij qëndrimi dhe a është një qasje e mençur kjo e Shkupit?

EDWARD P. JOSEPH
Kjo është një çështje kyçe, që dëshmon se ka çështje politike brenda Maqedonisë që kërkojnë bashkëpunim të ngushtë dhe besim të ndërsjellë mes shumicës maqedonase dhe pakicës së konsiderueshme shqiptare.

Jam i bindur se çdo parti shqiptare, për t’u futur në koalicionin qeveritar pas zgjedhjeve të parakohshme, do vë si kusht njohjen e Kosovës.

Unë besoj se Maqedonia do ta njohë Kosovën.

Të gjitha këto çështje do ishin më të lehta për t’u zgjidhur, nëse Maqedonia do ta kishte marrë ftesën për në NATO.

Mosmarrja e ftesës për në NATO ka rritur zhgënjimin mes dy palëve dhe ka rritur gjasat për mosbesim të ndërsjellë.

Këtu dua të kujtoj se Kosova mbetet një çështje e hapur me pikëpyetjet që e shoqërojnë fatin e veriut të Mitrovicës.

Kjo rrit pasigurinë, çfarë përkthehet edhe në pasiguri për Maqedoninë.

Ata që duan ta mbajnë të hapur çështjen e Kosovës, natyrisht që mirëpresin pasigurinë dhe jostabilitetin në Maqedoni, si mënyrë për të zbatuar agjendën e tyre në Kosovë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG