Ndërlidhjet

Regjistrimi i popullsisë


Pamje në Prishtinë - Sheshi Nëna Terezë
Pamje në Prishtinë - Sheshi Nëna Terezë

Projekti për regjistrimin e popullsisë në Kosovë është duke u rishikuar për lëshimet eventuale që mund të jenë bërë. Me këtë shpjegim ka dalë Ministria e Shërbimeve Publike në Qeverinë e Kosovës, të cilin, ish-udhëheqësit e kësaj ministrie e cilësojnë si blerje kohe për të arsyetuar, siç thuhet, paaftësinë.


Në Ministrinë e Shërbimeve Publike pohojnë se ende nuk dihet se kur do të bëhet regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

Rifat Blaku, zëvendësministër i Shërbimeve Publike, thotë se ende po vazhdojnë përgatitjet për këtë proces dhe njëherësh janë duke u rishikuar lëshimet eventuale që janë bërë gjatë përgatitjes se këtij procesi nga qeveria e kaluar.

“Jemi duke iu përmbajtur një agjende që kemi hartuar, që edhe disa të meta dhe lëshime që janë bërë në afatin e kaluar, t’i riparojmë, t’i kompensojmë, në mënyrë që në fund të vitit të bëjmë edhe një regjistrim testues në formë anketimi, që është kërkesë e ndërkombëtare në EUROSTAT”, thotë Blaku.

Ndryshe, Ministria e Shërbimeve Publike udhëhiqet nga Partia Demokratike e Kosovës.

Melihate Tërmkolli, ish-ministre e Shërbimeve Publike, e cila vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës, partnere qeverisëse e PDK-së, pohon se përgatitjet për regjistrimin e popullsisë kanë qenë krejtësisht të përfunduara në vitin e kaluar, ndërkaq arsyetimet e ministrisë aktuale i quan blerje në kohë.

“Këto arsyetime janë më tepër blerje në kohë, për faktin e paaftësisë dhe pamundësisë për të caktuar datën e regjistrimit”, thotë Tërmkolli.

“Unë mendoj se përgatitjet në esencën e tyre janë të përfunduara, por gjithmonë do të ketë nevojë, përderisa të mos mbahet regjistrimi, në mënyrë që ky proces të mos devalvohet, të mos degradohet, që vazhdimisht të jetë në fokus të punës dhe interesimit”, thekson Tërmkolli.

Zëvendësministri Blaku, ndërkaq, pohon se në fund të vitit do të bëhet edhe një regjistrim testues.

“Në takimin që kemi pasur para dy javësh në Luksemburg, na është sugjeruar që do të ishte mirë dhe do të ndikojë në kualitetin e të dhënave, mbajtja edhe e një testi më të vogël, se ata të dy të parët, që të evitohen disa të meta, gabime, qoftë metodologjike, qoftë edhe përmbajtjesore, logjistike, që të aftësohet ekipi edhe më tepër”, tha Blaku.

Deri më tani janë mbajtur dy regjistrime testuese, të cilat janë vlerësuar si të suksesshme, thotë ish-ministrja Tërmkolli, duke shtuar se nuk ka nevojë për ndonjë regjistrim tjetër testues.

Ajo, ndërkaq, thotë se Ministria e Shërbimeve Publike duhet t’i mos devalvojë përgatitjet e deritashme.

“Ne kemi mbajtur dy regjistrime testuese; atë të dytin e kemi mbajtur kur është kyçur EUROSTAT-i dhe për faktin se ata kanë dëshiruar të jenë pjesë e një regjistrimi testues dhe ta monitorojnë atë proces. Unë mendoj se nuk ka asnjë arsye që të bëhet asnjë regjistrim testues”, thotë Tërmkolli.

Sidoqoftë, sipas ligjit aktual për regjistrimin e popullsisë, datën për regjistrim e përcakton Kuvendi i Kosovës, në bashkëpunim me shefin e administratës ndërkombëtare në Kosovë.

Ministria e Shërbimeve Publike, në qeverinë e kaluar, pati kërkuar, vitin e kaluar, caktimin e datës për regjistrim, por gjithmonë si një lloj arsyeje e shtyrjes së shpeshtë të këtij procesi ka qenë moszgjidhja e statusit të Kosovës.

Regjistrimi i fundit i popullsisë, ekonomive familjare dhe i banesave në Kosovë është bërë para 27 vjetësh.
XS
SM
MD
LG