Ndërlidhjet

Serbia përgatit hapjen e vendvotimeve në Kosovë


Harta e Kosovës
Harta e Kosovës

Komisioni Republikan Zgjedhor i Serbisë vazhdon përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve serbe parlamentare dhe lokale në Kosovë, duke mos përfillur kërkesën e UNMIK-ut për mosmbajtjen e këtyre zgjedhjeve.


Pavarësisht kundërshtimit të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë nga institucionet e Kosovës dhe Administrata e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Qeveria serbe tashmë ka nisur përgatitjet për hapjen e vendvotimeve në Kosovë.

Komisioni Zgjedhor Serb ka vendosur të hapë 297 vendvotime në 23 komuna.

Përfaqësues të UNMIK-ut kanë thënë se ende është herët që të flitet për masat që do të merren lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, përderisa në ShPK theksojnë se do të bëjnë gjithçka që më 11 maj të ketë qetësi në Kosovë.

“Në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, zgjedhjet lokale në Kosovë mund t’i organizojë vetëm UNMIK-u dhe vetëm UNMIK-u është përgjegjës, që t’i certifikojë rezultatet”, tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie, duke shtuar se mbajtja eventuale e zgjedhjeve do të konsiderohet e paligjshme.

UNMIK-u tashmë ka kërkuar nga Beogradi zyrtar që të mos mbajë zgjedhjet lokale në Kosovë, përderisa për zgjedhjet parlamentare vazhdon të mbajë qëndrim neutral - as i organizon e as i pengon ato.

Por, pavarësisht se edhe vetë Grupi i Kontaktit ka kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, pjesë e të cilit është edhe vetë Rusia, qeveritarët serbë këmbëngulin se zgjedhjet lokale nuk shkelin Rezolutën 1244.

Velko Odaloviq, nga Komisioni Republikan Zgjedhor, thotë se në vend se të reagojë, faktori ndërkombëtar duhet të jetë i kënaqur që në mjediset serbe po mbahen zgjedhjet.

“Unë mendoj se ata duhet të jenë të kënaqur, meqë po mbahen zgjedhjet dhe në të ardhmen ata do të kenë se më kënd të bisedojnë, me dikë që ka mandat legjitim”, tha Odaloviq.

“Deri tani, ata kanë biseduar me individë që nuk përfaqësojnë askënd dhe kjo e ka dëmtuar Republikën e Serbisë. Nëse për UNMIK-un është legjitime që ka serbë në Parlament, të cilët pas vetes i kanë vetëm 900 vota, nga rreth 200 mijë serbë me të drejtë vote, atëherë UNMIK-u gjendet në probleme të mëdha”, u shpreh Odaloviq.

Sipas Komisionit Republikan Serb, tashmë dihet edhe se sa vendvotime do të jenë të hapura në 23 komunat ku do të zhvillohen zgjedhjet - në Anamoravë 67, në rajonin e Pejës 16, në Prizren 13, në Mitrovicë 97 dhe në Prishtinë, ose atë që njihet si qarku i Kosovës, 67 vendvotime.

UNMIK-u ka deklaruar se të vetmet mjete që do t’i përdorë për të penguar zgjedhjet lokale, janë ato ligjore.

Zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë u është dhënë theks i veçantë edhe në takimin e fundit të Këshillit të Sigurimit, ku Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë kërkuar me ngulm që këto zgjedhje mos të mbahen në Kosovë.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se pretendimet e Beogradit për të mbajtur zgjedhje lokale në territorin e Kosovës, nuk do të prodhojnë kurrfarë efektesh dhe do të jenë jolegjitime.

XS
SM
MD
LG