Ndërlidhjet

Sfidat e EULEX-it përballë UNMIK-ut


Selia e UNMIK-ut në Prishtinë
Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Analistët konsiderojnë se misioni i BE-së do ketë sfida të ndryshme për marrjen e kompetencave nga UNMIK-u, kurse ekspertët e së drejtës ndërkombëtare thonë se përgjegjësitë do jenë të ndara dhe se nuk do ketë probleme.


Sfida më e madhe për fillimin e punës së misionit të ri të Bashkimit Evropian në Kosovë do të jetë marrja e kompetencave nga UNMIK-u, thonë analistët politikë.

Driton Lajçi konsideron se Këshilli i Sigurimit duhet të marrë një vendim për përcaktimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Ai thotë se duhet të ketë bisedime serioze në mes të kreut të Bashkimit Evropian dhe anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.

"Akoma nuk ka vendimmarrje nga Këshilli i Sigurimit, i cili është organi i vetëm dhe kompetent për të tërhequr, vazhduar apo ndryshuar misionin e UNMIK-ut, për faktin se misioni i UNMIK-ut mban kompetencat ekzekutive, që reflektojnë edhe kah EULEX-i, edhe te Qeveria e Kosovës”, thotë Lajçi.

“Sfida kryesore dhe problemi më i madh është ardhja deri te vendimmarrja politike, për të filluar transferimi i kompetencave ekzekutive te EULEX-i dhe Qeveria e Kosovës", thekson Lajçi.

Ai ka shpjeguar se për të marrë vendim për vazhdimin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë, apo për t'i bartur përgjegjësitë te misioni EULEX, duhet të votohet nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, në mesin e të cilëve bën pjesë edhe Rusia.

Lajçi konsideron se Këshilli i Sigurimit duhet të bëjë një kompromis me Rusinë, në mënyrë që, sipas tij, të mos ketë probleme në fillimin e punës së EULEX-it.

"Këshilli i Sigurimit, sipas të gjitha gjasave, është i obliguar që të bëjë kompromis me Rusinë, në mënyrë që ta mundësojë zhbllokimin e procesit dhe vendosjen e EULEX-it në Kosovë - kompromis ky që do të thotë mbetja e një zyre të UNMIK-ut për integrimin e minoriteteve në Kosovë”, thotë Lajçi.

“Unë mendoj se do të ishte kompromis i mundshëm, i cili do të mundësonte fillimin e punës legale të EULEX-it, respektivisht të kompetencave ekzekutive të Qeverisë së Kosovës", u shpreh ai.

Nga ana tjetër, Iliriana Islami, eksperte e së drejtës ndërkombëtare, mendon se nuk mund të ketë ndonjë problem të bashkëveprimit të misionit të OKB-së dhe të BE-së në Kosovë. Ajo thotë se përgjegjësitë do të jenë të ndara.

"Unë nuk e shoh ndonjë vështirësi në aspektin e bashkëveprimit apo bashkërenditjes së punëve, qoftë në mes të EULEX-it apo të Kombeve të Bashkuara, për shkak se të dyja zyrat e reja e kanë për obligim që të kenë raporte kontraktore me Qeverinë e Kosovës, ndërsa mandatet do t’i kenë të qarta”, thotë Islami.

“EULEX-i do të merret me gjyqësinë dhe policinë, ndërsa Kombet e Bashkuara do ta ridefinojnë kompetencën e tyre, misionin e tyre dhe çdoherë do të jenë në bashkëpunim dhe bashkëveprim me Qeverinë e Kosovës", u shpreh Islami.

Ajo mendon se koordinimi i misioneve në Kosovë, në të ardhmen, do të jetë në harmoni me standardet ndërkombëtare, por shton se EULEX-i, si mision i ri, do të ketë sfida.

"BE-ja do të ta ketë një sfidë të re edhe për vete, sepse do ta vazhdojë një qeverisje në një aspekt të caktuar, në një aspekt të ngushtë. Kështu që për vetë mandatin e BE-së do të jetë një sfidë e re", tha Islami.

Ndryshe, kohët e fundit është duke u thënë se UNMIK-u do të mbetet edhe më tej në Kosovë, por nuk saktësohet se cili do të jetë roli i këtij misioni pas 15 qershorit, kur do të hyjë në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe kur misioni EULEX do të duhej të merrte detyrën e tij.
XS
SM
MD
LG