Ndërlidhjet

Sejdiu e Thaçi me qëndrime të kundërta për vizitën e Tadiqit


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi

Institucionet e Kosovës kanë qëndrime të kundërta për vizitën e Tadiqit. Presidenti Sejdiu e ka cilësuar si të papranueshme vizitën në fjalë, duke ia lënë përgjegjësinë UNMIK-ut. Kryeministri Thaçi mendon ndryshe, duke theksuar se vizita e Tadiqit "nënkupton fillimin e njohjes së Serbisë për Kosovën shtet".

"Boris Tadiq është presidenti i parë i një vendi të huaj që viziton Kosovën e pavarur", ka thënë sot kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ndonëse bëhet fjalë për një vizitë private të Tadiqit, kryeministri kosovar tha se Tadiqi, që në hyrje në kufirin e Kosovës, do të përshëndetet nga mbishkrimi "Mirë se vini në Republikën e Kosovës" dhe kështu, sipas Thaçit, Tadiq po hyn në historinë e Kosovës si presidenti serb që po e njeh realitetin e ri në Kosovë.

"Është vlerësimi im dhe i institucioneve të shtetit të Kosovës se vizita e zotit Tadiq në Kosovë është vizita e një presidenti të parë të një vendi të huaj që viziton Kosovën e pavarur, sovrane dhe demokratike", tha Thaçi.

"Do të mbetet në historinë më të re si presidenti i parë që ka vizituar Kosovën e pavarur dhe kjo nënkupton fillimin e njohjes së Serbisë për Kosovën shtet", tha Hashim Thaçi.

Sidoqoftë, vizita e Tadiqit, e lajmëruar si private, nuk është mirëpritur aspak nga presidenti Fatmir Sejdiu.

"Vizita të tilla, të cilat shkojnë në funksion të fushatës zgjedhore në kohën kur Serbia po përgatit edhe mbajtjen e zgjedhjeve ilegale nëpër komunat e Kosovës", sipas Sejdiut, "janë provokuese".

Sejdiu tha se për vizita të tilla, megjithatë, përgjegjësia ende bie mbi UNMIK-un, si autoriteti kryesor në Kosovë, duke tërhequr vërejtjen se propagandimi i politikave konfliktuoze nga zyrtarët serbë, e bën që ata nga institucionet e Kosovës të cilësohen si persona të padëshiruar.

"Asnjë vizitë në Kosovë, e cila ka propagandimin politik, për ne është e papranueshme. Çështjet që kanë të bëjnë me udhëheqje fushate, me nxitje urrejtjeje dhe situata konfliktuoze, për ne janë të papranueshme", tha Sejdiu.

"Kjo është çështje e UNMIK-ut. UNMIK-u është marrë me hyrjen e daljen e tyre, por ne ia kemi shprehur qëndrimin tonë UNMIK-ut se të gjithë personat që dëshirojnë të kalërojnë nëpër Kosovë, në formën që e kanë bërë deri më tash, janë persona 'non grata'", u shpreh Sejdiu.

Në agjendën e vizitës së Tadiqit është pjesëmarrja e tij në liturgjinë për Pashkët Ortodokse në Manastirin e Deçanit.

Ai do të qëndrojë në Kosovë gjatë gjithë fundjavës. Vizita e Tadiqit në Kosovë bëhet në kohën e fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e 11 majit në Serbi.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG